Lu shton presionin – Reforma në drejtësi, kush po luan?!
Ambasadori amerikan Donald Lu ka shtuar presionin ndaj aktorëve të politikës për miratimin e reformën në drejtësi.
Pak orë pas thirrjes drejtuar brezit të ri në Shqipëri për t’u bërë presion partive politike të votojnë pro reformës për ta çuar vendin përpara, Lu u takua me kreun e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Mazhoranca po diskuton e vetme paketën e 7 projektligjeve të emergjencës, dhe është në pritje të Konferencës së Kryetarëve të enjten, për të vendosur nëse ndryshimet kushtetuese do jenë pjesë e punimeve në kalendarin e 3 javor të parlamentit, apo do të miratohen menjëherë.
Ora News pyeti të rinj që ishin duke shijuar në Tiranë temperaturat e larta të këtij fund qershori, jo vetëm në kuptimin atmosferik dhe përgjigjet e tyre ishin një ‘ujë i ftohtë’ për politikën dhe për reformën në drejtësi
Të rinjtë: S’më intereson! Nuk e kam dëgjuar, por mendoj se reforma në drejtësi duhet të miratohet.
-Debatin e di, por këtë gjë nuk e kam dëgjuar.
-Jo më vjen keq, nuk i ndjek shumë.
Ambasadori theksonte gjithashtu se PD ka refuzuar tre herë një marrëveshje për reformën, një deklaratë që analisti Alfred Lela e lexon si jo të shëndetshme për raportet SHBA-PD, por njëherësh si mundësinë e vetme që i ka mbetur Donald Lu për të influencuar tek opozita.
Lela: Deklaratat publike janë mjeti i fundit që i kanë mbetur faktorit ndërkombëtar dhe me këtë rast zt.Lu që është në vazhdën e përpjekjes për ta vënë palën që ai identifikon si mospranuese përballë opinionit publik. Ai cenon dhe ai ciflos dhe shkon kundër një raporti harmonik dhe të frytshëm. Të paktën ka një ngërç deri më tash, ka një klimë mos besimi të hapur.
Në reagimin e tij, zyrtari amerikan thoshte se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra, por kush po luan sipas Lelës?
Lela: Të gjitha palët po luajnë. Po luajnë ata që refuzojnë dhe po luajnë më shumë ata që nuk po bëjnë sikur refuzojnë.