Shqipëria në sytë e Josef Roth
Josef Roth është një shkrimtar austriak që vdiq në mërgim në Paris. Dikur kisha lexuar se gjatë viteve 30’, gazetar i ri, ai kishte qenë në Shqipëri.
Por rastësia e solli ta gjej në varrezat e Thiais, në periferi të Parisit, jo larg të varrit të mbretit Zog I. Në fakt, kishte qenë Zogu, ai që e kishte pritur së pari në Shqipëri të dërguarin e posaçëm të gazetës gjermane Frankfurter Zeitung, në zyrën e tij presidenciale në mes të Tiranës, në një ditë plot diell. Një vit më vonë, presidenti shqiptar nga Burgajeti do ta shpallte veten mbret. Dhe ja tashmë, pas kaq e kaq dekadash, që të dy këta bashkëbisedues të dikurshëm, ishin pikëtakuar në varrezat e Thiais, ku në varrin e njërit ishte shkruar Joseph Roth, poet austriak (1894 -1939) dhe në tjetrin Zogu I, “Mbret i shqiptarëve”, (1895 – 1961). Duket si një paradoks. Që të dy pothuaj në të njëjtën moshë, të përzënë, të mërguar, të kërcënuar me vdekje: mbretit i ishte ndaluar kthimi në Shqipëri nga qeveria komuniste e pas luftës, ndërsa tjetri, hebre nga origjina dhe filozofia, nxënës i dikurshëm i Bertold Brecht. Si shkrimtari më anti-hitlerian i Europës, në vitet 1933-1939, për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, ai u detyrua të gjejë strehë në Paris, ku më së fundi kishte vdekur larg vendlindjes së tij, Vjenës. Por sidoqoftë, presidenti-mbret i shqiptarëve e kishte kritikuar rëndë gazetarin Roth për kritikat e tij ndaj prijësit të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Kritikët e letërsisë thonë se vepra e tij gazetareske është po aq e fuqishme sa dhe letërsia e tij dhe kryeveprat romaneske. Por sigurisht, gazetarët e mirë bëhen shkrimtarë të mirë. E kundërta nuk ndodh. A nuk kishte ndodhur kështu me Hemingway apo George Orwell e shumë të tjerë?! Në fakt, romanet e tij, Roth shkroi pas vitit 1927, pra pasi e ka vizituar tokën e shqiptarëve. Më 1932 u botua kryevepra e tij Marshi i Radetzy, duke huazuar jo pa qëllim dhe në mënyrë ironike këtë titull që lidhej me marshin e ushtarëve të ish perandorisë austro-hungareze, që tashmë ishte kthyer në një marsh funebër….”Detyra e shkrimtarit – shkruan ai në përmbledhjen Një orë para fundit të botës, – është lufta e pamëshirshme kundër Gjermanisë naziste, pasi ajo është vatra e së keqes së kohës sonë, një filiale e ferrit dhe vendi i Anti-Krishtit!… Solidariteti evropian nuk është i mundur me Gjermaninë dhe Rajhun e III. Me të, Europa nuk ka më kuptim… Duhet të pohojmë se arma jonë e vetme është fjala. Ajo është një armë e fuqishme, e rrezikshme, madje magjike. Por përballë topave të uzinës Krupp, të avionëve te Goering, të Kampeve të Përqëndrimit, të Policisë së Fshehtë, ne nuk jemi veçse “shkrimtarë të mjerë”…”
Në periudhën e fundit të jetës së tij, ai botoi romane të tjerë po aq interesante dhe të përkthyer në shumë gjuhë të botës si Legjenda e Shën Pijetarit, Masat e rreme, etj. Në vitet mes dy luftrave të mëdha botërore, Roth ishte një nga të katërtit e mëdhenj (quatour) të inteligjencës austriake, krahas Stefan Zweig, Robert Musil dhe Arthur Schlintzer. Ishte ai që në një nga artikujt e tij mes të tjerave kishte shkruar: “Në fillim Gjermania do të gëzojë fitoret e saj, por në fund ajo do të vdesë urie dhe do të shpartallohet. Mos keni asnjë iluzion për këtë regjim ferri!…”
Në tokën e shqiptarëve
kulture1Gazetari Josef Roth kishte udhëtuar në shumë vende si korrespondent i gazetave gjermane. Ai kishte rrahur Turqinë, Ballkanin, vendin e madh të Sovjetëve, vendet e veriut të Evropës, etj. Rasti e solli që në vitin 1927 të merrte udhën drejt një vendi që shumë pak flitej në atë kohë: Shqipërisë, vendit ku do të qëndronte disa javë dhe do të botonte në gazetën e tij shtatë artikuj rradhazi si Mbërritja në Shqipëri, Artikull mbi Shqipërinë, Te presidenti Ahmet Zog, Jugosllavia dhe Shqipëria – probleme të brëndshme, Tirana, kryeqytet i Shqipërisë, Populli shqiptar dhe Ushtria shqiptare.
Kur mbërrin në portin e Durrësit, ai kujton në shënimet e tij se bashkë me të, në orën 7 të mëngjesit, veçse një njeri zbarkoi nga anija në portin e vogël shqiptar: “një tregëtar që do të shesë në vendin e mjekrave ca brisqe “Gillette”. Përballë tyre, në një kolibe druri “me një oxhak idilik nga ku ngrihet një tym i drejtë, si vija e hequr nga një vizore, një njeri i veshur me një uniformë të zezë që dredh një cigare, i vetëm përfaqëson policinë shqiptare. Ai e njeh alfabetin, por nuk është stërvitur me të shkruar, çka u humbet kohën udhëtarëve, duke lexuar pasaportat e tyre…”
Kur zbarkon në Tiranë, përshtypja e parë e tij është se në të djathtë të xhamisë, në oborrin e një kafeneje primitive, në mes të diellit, klientët pjekin një qëngj në hell dhe i duket sikur qeleshet e bardha diskutojnë mes tyre. “Xhamia është si një kazermë, pasi aty ruajnë ushtarë. Të gjitha hotelet janë plot, pasi ngado kanë ardhur gazetarë, diplomatë e deputetë, oficerë nga Anglia e Italia, meqë është mbledhur Parlamenti. Tirana është një minierë subjektesh sensacionale: rrugët janë me kalldrëm, komplikacionet politike janë të shumta dhe vendi i ngjan një “molle sherri”… Dhe më pas, në artikullin e tij të parë për Tiranën, ai vazhdon: “Ja tek shfaqet me një pamje madhështore, kryegjenerali i ushtrisë shqiptare Xhemal Aranitasi, hipur mbi një kalë të bardhë e të fismë. Llustraxhinjtë e vegjël të këpucëve largohen gjatë kalimit të tij, të cilin e ndjek një shtallar. Sapo ka kaluar trupat e tij në revistë. Por qëndrimi i tij është i trishtë: nuk ka shtet pa gjeneral dhe nuk ka gjeneral pa një kalë të bardhë. Ari në supet e tij shpërndan rrezëllime, ndërkohë që me një dorë të ngathët, ai përshëndet njerëzit që njeh dhe që janë ulur rrugës në tavolinat e tyre të zakonëshme.”
Por më së fundi, pas një peripecie të gjatë për të futur kokën në këtë kryeqytet, për të cilin ai thotë se “tiranasit duan trëndafilat dhe muzikën”, ai mund të marrë frymë lirisht: “Ja ku u gjet një njeri me emrin Nikollë, për të më dhënë me qera një dhomë. Të katër këmbët e shtratit janë rrethuar nga ca njolla të mëdha vajguri për të larguar tartabiqet. Xhami i dritës është thyer poshtë dhe është mbuluar nga një cohë kundër mushkonjave…”
Disa ditë pas mbërritjes së tij në Tiranë, gazetari i Frankfurter Zeitung njoftohet se do ta presë vetë presidenti. “Të shtunë, në orën 5 pasdite, shkoj te presidenti i Shqipërisë. Një ndihmës i tij më pret në paradhomë. Eshtë një komandant batalioni, i dobët, i dashur dhe i gatshëm të flasë për kohën, peizazhin shqiptar, rrezikun e malarjes. Pra një ndihmës i vërtetë.
Në zyrën e presidentit gjëndet një burrë i moshuar. Eshtë ministri i Punëve të Jashtme. Eshtë inteligjent dhe i shëndoshë. Ai bën në të njëjtën kohë dhe përkthyesin e protokollin. Presidenti ka një uniformë gjenerali… Reveranca. Fundosem në një kolltuk. Presidenti thotë në shqip se është i lumtur të përshëndesë një gazetë të madhe gjermane në Shqipëri. Pastaj ai fillon të flasë në gjermanisht (ai ka shërbyer në ushtrinë austriake)… Ai nuk uron gjë tjetër veç që gazetat të shkruajnë të vërtetën… “
Bashkëbisedimi i tyre është i shkurtër. “Reveranca, reveranca”… siç shkruan ai. Nuk i bën asnjë pyetje. Eshtë thjesht një vizitë kortezie. Atij i intereson realiteti. Janë vetë njerëzit dhe faktet që flasin. “Thuhet se ai është diktator pa skrupuj, – shkruan në shënimet e tij Roth, – por a është e mundur të mos ekzistojë këtu gjë tjetër veç një dikator pa skrupuj, në këtë Shqipëri ku çdo shef çete apo bande është një diktator më vete… Veç të tjerash, ai ka patur ndihmën e jugosllavëve, të cilët e kanë ndihmuar financiarisht: me ndihmën e bandave të krijuara në Jugosllavi, ai e “fitoi” Shqipërinë, çka i lejoi pastaj menjëherë të firmosë paktin e famshëm me Italinë.”
Një polici e mirë është më mirë se tradita e mikpritjes…
kultureGazetari Josef Roth është nga ata gazetarë që nuk mjaftohen të dëgjojnë bashkëbisedues vetëm nëpër kafene dhe hollet e hoteleve. Ai kërkon të shohë vendet ku jetojnë njerëzit, fshatra e qytete ; shkon në Elbasan, Krujë e gjetkë, ku përshtypje të veçantë i bëjnë kullat e ngujimit, të cilat nuk janë vetëm në veriun shqiptar. “Ja disa shtëpi pa dritare, plotësisht të mbrojtura, me gurë në formë kubi, të shurdhta dhe qorre, me një pamje të shëmtuar, misterioze e tragjike, të rënda për nga fati i tyre dhe që mbajnë në vetvete një mallkimi enigmatik. Sipër, çdonjëra prej shtëpive është ndërtuar në atë mënyrë për t’i dhënë strehë, azil, një vrasësi të lodhur, një njeriu të përndjekur, t’i japë strehë gjithë një klani. Pra aty endet ajo që quhet magjia e vendeve të shqetësuara – një magji nga e cila dua të qëndroj larg. Nuk mund të vish ta vizitosh këtë kasolle të mjerë pa autorizimin e të zotit. Por nëse e kërkon këtë leje, mikpritja është e përzemërt dhe e pa kushtëzuar. Eshtë një zakon i mirë mikpritje që na çon në provat fisnike të njerëzimit. Por në të vërtetë ajo është e motivuar nga konsiderata egoiste e këtyre njerëzve që preferojnë më mirë hakmarrjen sesa institucionet e Drejtësisë: duhet gjëndur diku një strehë kur përndiqemi, pasi të gjithëve u ndodh të përndiqen në një moment apo një tjetër të jetës së tyre. Nëse e analizojmë këtë fenomen në mënyrë kritike dhe ta arësyetojmë gjer në fund, do arrijmë të bindemi se një polici e mirë është më mirë se tradita e mikpritjes. A mund të më ndjejnë për këtë shqiptarët dhe kombet e tjera, që nuk kanë dhe aq dhunti duke vlerësuar këtë konservatorizëm jo produktiv?…”
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Josef Roth ka fatin të takojë një personazh të jashtëzakonshëm, të denjë për një roman apo film, por që kjo mund të ndodhte vetëm në Shqipëri, një histori, që afërsisht do të ndodhte dhe në fund të mijëvjeçarit të dytë, kur një emigrant nga Belgjika, pas ndryshimeve politike në Shqipëri, dëgjoi “kushtrimin e të parëve” dhe shkoi të merrte gjakun, sipas zakonit të gjakmarrjes. Ja çfarë shkruan Roth në reportazhin e tij: “Vendi është aq i qetë sa e ke të vështirë të besosh se këtu je në rrezik nga zakonet e vrasjes. Megjithatë, unë e njoha një njeri që një ditë deshi të hakmerrej për një mikun e tij dhe gabimisht kishte vrarë një të pafajshëm. Ja pra, ai i mjerë s’pati fat, kjo është e gjitha. Pasi ky i pafajshëm që s’kishte fat, kishte shtatë vëllezër dhe që të gjithë ata ishin vënë në kërkim të vrasësit. Vrasësi u kishte dërguar disa ndërmjetës, por atë mund ta vrisnin para se të bëhet marrëveshja. Që prej tri muajsh, në çdo moment, ai pret vdekjen. Ai ka punuar në Paris, si puntor në një uzinë municionesh dhe që kishte ardhur në Shqipëri, veç për të bërë këtë hakmarrje. Edhe pse atë e ndjekin për ta vrarë, ai vetë është në kërkim te vrasësit të mikut të tij…”.
Në fund të një shkrimi të tij për Shqipërinë, duke iu referuar gjakmarrjes, Roth shkruante: “Shqipëria është pikërisht në gjysmë të udhës, midis gjakmarrjes dhe Shoqatës së Kombeve”. Por dhe tetëdhjetë vjet më vonë, në botën e qytetëruar, gjakmarrja ende bën kërdinë po në këtë Shqipëri. Kullat e ngujimit janë kthyer në një referencë të Shqipërisë aktuale, ku shteti nuk arrin ta ndalë “mekanizmin e gjakut”. Vallë a mund t’i bashkohemi Europës moderne me peshën e kodeve të gjakmarrjes që rëndojnë ende?
Sidoqoftë, Roth kishte dhe një ndjesi simpatie për njerëzit e thjeshtë që takonte nëpër qytetet shqiptare të Shqipërisë së mesme. Fotografia e tij shqiptare, veshur me kostumin kombëtar dhe një qeleshe të bardhë në kokë, ishte një nga kujtimet e bukura të këtij shkrimtari të madh që i kujtonte gjithnjë atë udhëtim të çuditshëm por dhe me plot humanizëm.
Trishti i madh shkrimtarit për tragjedinë e Europës
Veprat e Josef Roth u bënë të njohura gjithashtu dhe nga artikujt e tij të viteve të fundit, atëherë kur Roth ngrinte zërin kundër Europës së frikësuar që po e linte Hitlerin të bënte ç’të donte dhe të vazhdonte marshin e tij të luftës e të vdekjes. Si një anti-nazist i përbetuar, shkrimet e tij u botuan në rrethet e emigrantëve të përndjekur dhe ata që e dënonin ashpër politikën ekspansioniste të Gjermanisë naziste.
Në vitet 1936-1939, Josef Roth banonte në “Hotel Tournon”, në rrugën me të njëjtin emër në cep të Kopshteve të Luxembourg-ut në zemër të Parisit, dy hapa larg Senatit francez. Miku i afërt i tij, shkrimtari Stefan Zweig e ndihmonte me para sa herë ngelej pa një dysh. Në atë periudhë, Roth nuk shkruante më, as në letër dhe as në makinë shkrimi, por ai vetëm diktonte. Çdo mëngjes, një sekretare e tij vinte në kafenenë poshtë hotelit, ata uleshin në tavolinën e tij të përherëshme që shikonte nga rruga dhe ai si gjithnjë, i thoshte: “Atëherë ku e kemi lënë?… Ajo i lexonte paragrafin e fundit dhe ai fillonte t’i diktonte vazhdimin… Kështu u shkruan romanet e fundit të tij. Roth ishte një gjeni i fjalës dhe në kafenenë e tij mblidheshin emigrantë të shumë austriakë e gjermanë, që ishin kundër Hitlerit. Një ditë unë shkova në atë kafene ngjitur me Senatin francez apo ndryshe Pallatin e Luksemburgut dhe u ula pikërisht në tavolinën e tij. Pronarja e dikurshme e lokalit kishte vdekur prej kohësh. Ajo quhej Germaine Alzard. Roth e kishte qef pijen, madje përhumbej në të dhe në trishtin jo vetëm për ish gruan e tij tëi nternuar në një spital psiqiatrik prej dhjetë vjetësh, por dhe për gjithë ata austriakë e gjermanë antinazistë që endeshin në mërgim. Dhe ai vetë u kthye në një azilant deri sa vdiq. Shpesh i thoshte patroness ë lokalit se “një fletë e shkruar është sa një gotë “Penod”. Para se të vdiste francezja Germaine i kishte lënë disa kujtime një gazetari që e kishte pyetur rreth shkrimtarit. Madje ajo i kishte treguar se si njëherë, një mbrëmje të vonët, kur ai ishte i dehur, i kishte kërkuar akoma dhe një gotë, ajo ia kishte refuzuar dhe i kishte thënë se do ta mbyllte lokalin dhe se duhej shkuar për të fjetur. Patronia e re kishte shkuar ta mbyllte kafenenë nga brënda dhe pastaj ishte ngjitur nga dalja e pasme, e ndjekur nga klienti i fundit dhe i përhershëm i saj. Por ja që Roth, nën avujt e alkoolit, kishte zgjatur duart drejt vitheve të saj. Një e shtyrë dhe një goditje në bark e kishte shëmbur shkrimtarin nëpër shkallë. “Të nesërmen, – kujtonte ajo, – e kisha harruar fare këtë histori dhe e pashë Roth-in, por ai veçse kaloi para kafenesë dhe shkoi drejt Saint-Germain-dès-Près. Pas një ore, dikush më solli një tufë me lule me një kartë të shkrojtur nga Roth, i cili ndjehej për incidentin e një mbrëmje më parë”. Jo rrallë, Roth i shkruante poezi patrones së tij.
Shqipëria dhe “kortezhi funebër” i Roth
Kur Josef Roth vdiq, disa nga miqtë e tij thanë se ai bëri mirë që vdiq në atë kohë, edhe pse ishte veçse 45 vjeçar, pasi lumturisht, ai nuk e përjetoi tmerrin e Luftës së Dytë Botërore, ferrin që ai kishte parathënë me zë të lartë para gjithë botës. Më 24 maj të vitit 1939, atje në kafene “Tournon”, ai mori vesh lajmin e vetvrasjes së mikut të tij të afërt Ernest Toller në New York, çka e tronditi aq shumë, sa e çuan në spital nga ku s’do të dilte më. Tri ditë më vonë ai vdiq… Ai nuk e pa përndjekjen e hebrenjve nëpër Evropë dhe në Francë, nuk i pa as trenat e vdekjes… ndoshta dhe ai mund të kishte qenë një udhëtar i pafat i trenave naziste që shkonin drejt kampeve të Auschvitz, Dachau, Mathausen… Ai vdiq si një poet i dëshpëruar për fatet e botës. Artikujt e tij për Shqipërinë kanë një lloj lirizmi, por dhe një ironi të thekshme. “Qortimet shqiptare” të Josef Roth, nuk i dëgjoi askush, për dekada me rradhë, në këtë vend që vazhdonte të vegjetonte në një plogështi të skajshme mejhanesh, në një autarki të pashëmbëllt dhe frikë obsesionale ndaj të huajit, pa folur për gjakmarrjen, që një shtet i sotëm demokratik, nga një anë mburret në mënyrë folklorike para botës (MISS-et janë një uverturë koncertale), dhe nga ana tjetër nuk sheh sesi gëlon gjakmarrja dhe sesi në peizazhin njerëzor shqiptar bulëzojnë ferexhetë, ai “kortezh funebër” për të cilin shkruante Roth.
Josef ROTH
“… Banorët e Tiranës i duan trëndafilët dhe muzikën. Një pjesë tjetër e popullatës i është përkushtuar instrumentave frymore. Për ushtrinë shqiptare janë rekrutuar instrumentistë e bori për atdheun. Ata gjallërojnë marshin e ushtarëve, lajmërojnë fundin e ditës së tyre dhe pushimin. Presidenti ka një orkestër personale. Dirigjenti është nga Trieste dhe mban një monokël në sy. Intrumentistët e instrumentave frymore janë nga Korça, jug-lindja e vendit, ku njerëzve u pëlqen të këndojnë, po ashtu si në Çekosllovaki, e cila, kur ekzistonte ende mbretëria e Bohemisë, e furnizonte ushtrinë perandorake e mbretërore me dirigjentë të mrekullueshëm. Çdo instrumentist merr 15 napolona në muaj. Por është ai që duhet ta sigurojë vetë uniformën e bukur të zezë dhe të qëndisur me fije ari.
Ekzaktësisht, në orën 7 të mëngjesit, kur ushtarët luajnë instrumentet frymore, muzikantët ngrihen, dhe ashtu si laureshat, përsërisin në mes të rrugës qëndrore, copëza marshesh e uverturash. Njerëzit kanë bërë gjashtë peticione që provat të bëhen në ndonjë lëndinë jashtë qytetit. Por gjashtë herë rradhazi, ata kishin harruar të argumentonin kërkesat e tyre. Asgjë nuk bëhet pa argumente. Ata nuk janë as ushtri dhe as orkestër, por pëlqejnë tingullin e ëmbël të mandolinës. Shumica e tyre kanë qenë në Amerikë. Atje kanë vënë dhe dhëmbë të florinjta dhe kanë blerë instrumenta me kordë. Këndojnë këngën e bananeve për të treguar dukshëm se ata kanë parë botë me sy. Ndoshta dhe për të treguar nostalgjinë për Amerikën që kanë lënë, ngaqë vuanin për Tiranën. Zemra e tyre vozit mbi oqean, por tregëtia është në Tiranë: krehrat, pasqyrat, letrat. Nuk u mbetet gjë tjetër veç të luajnë mandolinë. Ata qëndrojnë ulur për orë të tëra para dyqaneve të tyre. Gjithçka është tepër e qetë. Veç talenteve muzikore, Tirana është një qytet i qetë. Kur rastësisht nuk luhen instrumentet frymore, dëgjohen gjelat të këndojnë, çekiçët e farkëtarëve në Pazar dhe thirrjet e rregullta që ngjiten drejt minareve. Dielli nxeh pluhurin e rrugëve. Ai pjek si saç dhe gjithçka dekompozohet, pra çdo qelizë, duke u zhdukur lart ne qiell, pa arritur që rruga të fshihet apo të lahet.
Tregojnë se çdo mëngjes, Këshilli Bashkiak dërgon nje djalosh me një pompë uji që të ruajë higjenën e quytetit. Por askush nuk e ka parë me sy. Motorri që duhet të furnizojë energjinë për ndriçim, është tepër i dobët për 60 llampat. Ato ndizen gjatë natës. Por duken si thëngjij karboni. Të varura nëpër kordonë ngjajnë si vargje të shndritshme. Për të hapur rrugë të drejta, janë prekur apo prishur shtëpi, që Tirana të bëhet një qytet modern dhe rezidencial. Gjysma e shtëpive janë me bark të hapur dhe të errta. Në dhomat ku s’ka njerëz, kalimtarët bëjnë nevojat në mënyrë ekzotike, pa i hequr pistoletat dhe pushkët e tyre. Në asnjë moment nuk mund të jesh i sigurt dhe i mbrojtur nga gjakmarrja. Gratë janë të mbuluara në të zezë dhe të bardhë, e duke i parë kështu, të duken si një kortezh funebër, apo një kortezh i Ku-Klux-Klanit. Para syve ato kanë nga një të çarë dhe duken kështu si të murosura me cohë. Do të doja të dija se ç’bëjnë pas atyre mureve. Më bëjnë kureshtar, me atë pamje si në xhamat e një shtëpie të huaj që figurat njëherësh janë të ndriçuara e të fshehura pas një perdeje. Janë memece si foshnjat dhe po aq të frikëshme si të vdekurit. Vallë sytë e tyre qajnë? S’mund t’i shohim. Ato flasin mes tyre, por zërat e tyre s’dëgjohen, sepse shkasin ngadalë mes poreve të cohëve, ashtu si uji i patër nga një sitë e trashë dhe e pisët. Këto gra me çarçaf, këta qindra qenër pa zot dhe që era i bën zap, këta qylafë mbi flokë me yndyrë në fytyrat me mjekër, këto fytyra të gjakmarrjes me revolverë me mulli në brez, me pushkën në vend të çadrës, gjithë këta filistinë ekzotikë që fitojnë dhe bëjnë afere, janë këtu të shumtë dhe jashtë kohe. S’ka gjë më të mërzitëshme se gjoja ky lloj folklori që e shohim në vallet e vdekjes dhe seminaret etnologjike e që megjithatë vazhdojnë ta ekspozojnë. Ekziston tashmë një parlament me një llozhë presidenciale, me letra për të bërë ndërhyrjet, me një tribunë për shtypin. Ka tashmë një bankë me punonjësa italianë që janë të ngadaltë, me kursin e shkëmbimit të ekspozuar me ca letra të kapura me gjilpërë si fluturat; ka një drejtor që merret vetëm me transaksionet. Patroni i hotelit i mban monedhat në një këllëf lëkure të kobures së tij. Në raftet e bufesë së tij janë renditur dallëndyshet e para të qytetërimit: “Gieshübler”, Whisky, Vermut, Fernet-Branca. Me dhëmballët e mbushura, me zhargonin nju-jorkez, nën-kultura dhe mandolinat e atyre që kthehen nga Amerika, me veturat Ford që të bëjnë të mendosh për organet e vjetra të Barbarisë, ato formojnë tranzicionin e “kulturës kombëtare” sipas kërkesës për “autonomi të Shtetit”. Shqipëria është pikërisht në gjysmë të udhës, midis gjakmarrjes dhe Shoqatës së Kombeve.
Frankfurter Zeitung, 15 qershor, 1927