Albspirit

Media/News/Publishing

Sturgeon, nesër në Bruksel për mbetjen e Skocisë në BE


Udhëheqësja e Skocisë, Nicola Sturgeon

Zyrtarja më e lartë e Skocisë, Nicola Sturgeon do të udhëtojë nesër për në Bruksel me qëllim që të diskutojë metodën e mundshme të qëndrimit të Skocisë në Bashkimin Evropian.

Vizita është e para pas referendumit të 23 qershorit kur britanikët vendosën që vendi i tyre të largohet nga BE-ja.

Gjatë një fjalimi të sotëm në parlamentin skocez, Sturgeon ka thënë se ajo do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ndërsa e ka në plan që qëndrimin skocez t’ia bëj me dije drejtpërdrejtë edhe Komisionit Evropian.

Sturgeon ka thënë se largimi nga BE do të ishte kundër dëshirës së popullit skocez.

“Skocia ka votuar qartazi për mbetje në BE dhe unë jam e vendosur që zëri i Skocisë të dëgjohet”, ka thënë Sturgeon duke shtuar se ajo është “jashtëzakonisht shumë e përkushtuar për të mbrojtur vendin e Skocisë në BE”.

Mbi 62 % e votuesve në Skoci kanë votuar për mbetje në BE në referendumin e 23 qershorit.

Please follow and like us: