Albspirit

Media/News/Publishing

A do të përjashtohet edhe Manjani tani?!

Një deklaratë e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, përfaqësues i LSI-së në kabinetin qeveritar, është bërë që në orët e para të mëngjesit kryelajm në media. Manjani është shprehur në mbledhjen e fundit të KLD së, në mbrojtje të anëtarëve të këtij institucioni, pa ngurruar të marrë gjithashtu në mbrojtje një ndër gjyqtarët e kthyer në simbol të akuzave për korrupsion në Shqipëri, Gjin Gjonin.

Deklaratat e Manjanit për KLD dhe Gjin Gjonin, vijnë kur shumica qeverisëse, por edhe ambasadorë e zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë, kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur punën e KLD, duke stigmatizuar shkallën e lartë të politizimit dhe mbylljen e syve përballë një situate alarmante të sistemit të drejtësisë. Aq e vërtetë është kjo, saqë ndërkombëtarët nuk kanë ngurruar asnjë çast që ta shkrijnë totalisht këtë institucion nga harta e reformës së re në drejtësi. Nëse aty do kishte “burra të mirë”, siç pretendon ministri, ai organizëm sigurisht do t’i kishte mbijetuar reformës!

Në këto kushte, deklarata e Manjanit është diçka më shumë se një gafë apo një qëndrim personale, pasi ai nuk ka folur në atë mbledhje me titull personal. Ashtu siç nuk ka folur me titull personal, as atëhere kur thoshte se e kishte gati në mendje listën me 35 gjyqtarë të korruptuar. Ylli Manjani duhet ta dijë se duke mbrojtur një gjyqtar si Gjin Gjoni, faktikisht mbron dikë për të cilin thuhet se figuron prej kohësh në listën e zezë të SHBA, për të mos shkelur në territorin e saj. Dhe natyrisht kjo ka pak ose aspak lidhje me nocionin e njeriut “që na nderon”, siç shprehet ministri.

Këto deklarata vetëm sa përforcojnë idenë se LSI ka një qëndrim të ndryshëm nga aleati i saj i majtë dhe komuniteti ndërkombëtar, në lidhje me reformën në drejtësi. Sepse s’mund të mendohet që një ministër drejtësie të shkojë e të lavdërojë një institucion në prag të shpërbërjes së tij! E vetmja mundësi është që ai (dhe me shumë gjasë edhe partia e tij), të kenë mendimin se KLD vërtetë është një institucion i pakorruptuar dhe që duhet të vijojë punën! E vetmja pyetje që mund të shtrojmë në këto kushte, është nëse do të ketë edhe Ministri Manjani, të njëjtin fat me deputetin e LSI-së, Përparim Spahiu? A do të dalë edhe kësaj rradhe Petrit Vasili, për të na thënë se qëndrimet e Manjanit ishin “personale”?/ Javanews

Please follow and like us: