BE i duhen tani udhërrëfyes të mirë
“Keep calm and carry on” – në fakt janë britanikët ata që gjithmonë ruajnë qetësinë. Por këtë herë jo. Prandaj Merkel, Hollande dhe Renzi u treguan të vendosur të veprojnë
Çfarë ka në thelb për të diskutuar gjatë pas vendimit të britanikëve për t’u larguar nga BE? Ka shkak për të vajtuar, po. Diçka të cilën ishim mësuar ta donim na iku. Britanikët vërtet që kanë qenë gjithmonë pak dele e zezë në familjen evropiane: kokë më vete, të parehatshëm dhe me një tendencë për t’u grindur. Por megjithatë të trishton kur dikush largohet me të vërtetë. Por ja që tani kështu është dhe me këtë duhet të mësohemi. Pikërisht kjo është ajo që bëjnë Angela Merkel, François Hollande dhe Matteo Renzi. Jo rastësisht ishin ata të tre që u takuan në Berlin. Gjermania, Franca dhe Italia janë anëtare themeluese të organizatës pararendëse të BE, Komunitetit Evropian dhe janë edhe shtetet me numrin më të madh të popullatës në BE.
Tregohen kufijtë
Pas shkëputjes faktike të Britanisë së Madhe, rolet e rëndësishme politike në BE duhet të ndahen nga e para. Gjermanisë, Francës dhe Italisë u bie të luajnë një rol drejtues. Kjo do të thotë që këto tri shtete duhet t’u tregojnë 24 shteteve të tjera rrugën se si duhet ta trajtojë bashkësia daljen e Britanisë së Madhe nga organizata. Të ruash qetësinë është njëra gjë, mbajtja e bashkuar e pjesës tjetër të familjes është tjetra. Është e drejtë që Britania e Madhe mbetet anëtare e BE me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, edhe kur qeveria britanike të kërkojë dalje nga BE në bazë të Nenin 50 të Marrëveshjes së BE. Po e drejtë dhe e rëndësishme është që të mos kryhet asnjë lloj bisedimesh joformale dhe të mos bëhen marrëveshje paraprake. Këtu nuk ka asgjë për të diskutuar!
Kërkesa të paturpshme
Ngelesh pa gojë, kur dëgjon që britanikët negociojnë me të vërtetë për daljen nga BE dhe njëkohësisht duan të ruajnë sa më shumë përparësi të anëtarësisë, pa u hyrë fare detyrimeve. Kjo është jo vetëm e paturpshme, por edhe e papërgjegjshme. Ai që shtron kërkesa të tilla, ai duhet ta dijë se BE nuk mund të pajtohet dhe nuk do të pajtohet me to. Tani duhet dhënë një shembull. Brenda BE ka shumë paqetësi dhe forca centrifugale. Përndryshe, mendja mund t’u vejë edhe shteteve të tjera evropiane, që të shqyrtojnë dalje nga BE.
Britanikët duhet të mbajnë parasysh edhe që ishulli i tyre, edhe për shkaqe ekonomike, është i varur nga marrëdhëniet e ngushta me BE. Kjo presupozon që të respektohen pozicionet e njëri-tjetrit. Me partnerë që veprojnë në mënyrë të paturpshme nuk merret askush me dëshirë. Aq më tepër që 27 anëtarët e BE nuk janë të të njëjtit mendim nëse do të bënin mirë t’i ndëshkonin britanikët, apo të vepronin në mënyrë fare pragmatike me situatën. Edhe për këtë duhet të mendohet Brukseli.
Angela Merkel dhe homologët e saj në Paris dhe Romë duan të ndjekin rrugën pragmatike. Dhe ata duan t’i tregojnë BE dhe qytetarëve të tij perspektiva të reja. Impulse të reja do të jepen, për të krijuar më shumë vende pune për rininë, mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE dhe më shumë rritje ekonomike. BE duhet të bëhet Evropa e kopshteve të fëmijëve, muzeve dhe institucioneve kulturore dhe jo vetëm i bankave. Fjalë të bukura, por që duhet të ndiqen nga veprat.
/DW