Albspirit

Media/News/Publishing

BE i ka dyert e hapura për Shqipërinë, ka investuar miliarda për integrimin

Ruben Avxhiu

Që nga rënia e komunizmit, Bashkimi Europian ka investuar miliarda dollarë të taksapaguesve europianë për të ndihmuar Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Kjo është bërë sepse BE është e vendosur të krijojë një familje të përbashkët europiane, sepse shqiptarët e rrëzuan komunizmit me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe se alternativa e një Europe të bashkuar e të zhvilluar janë vetëm luftërat shkatërrimtare dhe paqendrueshmëria ekonomike.
Struktura dhe vizioni i BE-së mund të ndryshojë. Bllokua është reformuar dhe shndërruar disa herë në 25 vitet e fundit.
Gjatë kësaj kohe, numëri i vendeve anëtare është shtuar disa herë. Shqipëria për shkak të politikanëve që ka zgjedhur është vonuar në kryerjen e reformave, ndryshimin e ligjeve, demokratizimin e vendit, etj. Politikanët që kanë zgjedhur kanë shpërdoruar shanset historike pa u lodhur.
Shqipëria e vogël duhej të ishte bërë anëtare qysh me grupin e parë në vitin 2004. Po ishte e fundit që hoqi dorë nga komunizmi. E fundit që filloi reformat. E vetmja që në 1997, e ktheu mbrapsh gjithshka në pikën zero. U vonua me vite për shkak të luftës në Kosovë e Maqedoni, e më tej ka nxituar të kapë kohën e humbur.
Rregullisht partitë politike kanë qenë entuziaste për anëtarësimin gjatë kohës që qeverisin dhe sabotuese të anëtarësimit sa kohë që ndodhen në opozitë. Asnjëherë interesat kombëtare nuk janë vendosur mbi ato partiake.
12 vjet nga zgjerimi i parë, taksapaguesit europianë kanë filluar të debatojnë nëse ia vlen të mbajnë hopa ekonomitë e dështuara të disa vendeve të lindjes. Vullneti i mirë për të pranuar anëtarë të rinj, ia ka lënë vendin mërisë dhe dyshimit. Kriza financiare botërore nuk ka ndihmuar në këtë drejtim, ndërsa plogështia ekonomike ka përndezur parti ksenofobe që nxisin urrejtje ndaj eurolindorëve dhe refugjatëve.
Kërcënimi i terrorizmit dhe agresiviteti e sabotimi nga Rusia janë rreziqet e jashtme të bllokut, ndërsa kriza e institucioneve dhe rrymat politike euroskeptike janë ato të brendshme.
Rusia është veçanërisht e interesuar që Ballkani të mbetet një fushë loje, jo se ka ndonjë plan për të ardhmen e rajonit porse e sheh si mundësi për ta shpërqendruar aty Perëndimin.
Çfarë i duhet vërtet BE-së ky rajon i bezdsisshëm? Pse nuk e lë të notojë mes rrymave pro-turke e pro-ruse? Pse duhet perëndimorët të investojnë për reformimin e këtyre vendeve kur kanë plot të varfër në vendet e tyre? Pse duhet të lodhen ambasadorët që t’u shpjegojnë se pse nevojiten reformat, ndërkohë që politikanët vendas buzëqeshin me pamjen e idiotit që nuk ia hedh njeri?
Në BE se një Ballkan që i paintegruar do të rrëshqasë përsëri në luftë, ku i madhi do të hajë të voglin, do të rikthehen krimet e luftës, dallgët e refugjatëve të dëbuar, spastrimet etnike. Vitet 90 janë ende të gjalla në mendjen e politikanët e seriozë perëndimorë.
Në Bruksel nuk duan që miliardat e shpenzuara në vende si Shqipëria të shkojnë dëm. Nuk duan që vite pune e energji pafund të derdhur për përshtatjen e strukturë ligjore në të gjitha vendet të shkojnë dëm.
Shumica e shqiptarëve gjithashtu duan që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Për shumë prej tyre anëtarësimi nuk është vetëm një projekt politik por edhe një aprovim i identitetit të tyre të mohuar.
Sot, kur BE rrezikon të hyjë në krizë për shkak të votës britanike për të dalë nga blloku, euroskeptikët janë entuziasmuar. Në Rusi janë mbledhur sot politikanët më anti-NATO dhe më antishqiptarë për t’u betuar për një rajon që të mos mbajë anë. Moska është duke shpresuar shumë për një barazim. Për fat të mirë, asnjë parti shqiptare nuk iu bashkua cirkut të Putinit. Të paktën ende jo. Po entuziasmi për idenë se BE mund të rrëzohet nuk mungon në rrjete sociale e media, se asgjë nuk entuziasmon disa njerëz më shumë sesa kur shohin se si shkatërrohet diçka.
Është si puna e asaj anektodës së atyre dy turistëve (nuk po them se nga ishin) që shkuan për të vizituar Parisin dhe po shihnin Kullën e Eifelit. Ndërsa të gjithë pyesnin se si dhe kur është ndërtuar, këta pyesnin se për sa ditë mund të rrëzohet.
Të rrëzosh është lehtë, të ndërtosh është vështirë. U deshën vetëm disa javë në mos ditë për të rrëzuar shtetin në 1997. Po në 25 vjet punë e reforma e ende nuk kemi një shtet tërësisht ligjor e funksional. Zhvillimi është i mërzitshëm dhe i ngadalshëm. Po BE nuk ka hequr dorë nga shqiptarët dhe as shqiptarët nga vendosmëria për të qenë pjesë e një familjeje europiane, me të mirat dhe të këqiat e saj.
Historia do të ketë të papritura, po kur sheh pas i vetmi përfundim i sinqertë dhe serioz është që rruga europiane është e vetmja në të cilën duhet të vazhdojmë.

Please follow and like us: