Albspirit

Media/News/Publishing

BE i mbyll dyert Mbretërisë, Tusk: S’ka akses në tregun e lirë

BE i mbyll dyert Mbretërisë, Tusk: S’ka akses në tregun e lirë

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk ka deklaruar se 27 vendet e Unionit kanë rënë dakord të mos i lejojnë Mbretërisë së Bashkuar akses në tregun e përbashkët europian, nëse ajo nuk pranon rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve.

“Liderët e kanë bërë të qartë si kristali sot se aksesi në tregun e përbashkët kërkon pranimin e të gjitha lirive tona, përfshirë këtu lirinë e lëvizjes”, ka deklaruar Tusk në një konferencë për shtyp.

Ai ka theksuar se, krerët e shteteve të vendeve anëtare kanë rënë gjithashtu dakord që dalja e Britanisë të bëhet sipas rregullave dhe se nuk do të ketë negociata të asnjë lloji derisa Britania të zyrtarizojë daljen e saj në Këshillin e Europës.

“I takon qeverisë britanike t’i zyrtarizojë Këshillit të Evropës synimin e Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga Unioni”, ka shtuar Tusk.

Samiti i së mërkurës ishte i pari i liderëve europianë pa homologët e tyre britanikë në 41 vjet. Tusk ka nënvizuar se, diskutimet kanë qenë të ”qeta dhe serioze”, duke pranuar se bëhet fjalë edhe për një “moment serioz në historinë tonë të përbashkët”.

“Një gjë është e sigurtë, liderët janë tërësisht të vendosur për të qëndruar të bashkuar dhe për të punuar së bashku si 27 vende anëtare”, ka shtuar Tusk.

Please follow and like us: