Albspirit

Media/News/Publishing

Bushati i përgjigjet Zhejit: Pse vazhdoj të qesh me të 

 

artur zheji - andi bushati

Nga Andi Bushati

Kam vendosur të qesh me Artur Zhejin. Kam vendosur të qesh me këtë “koleg” që vendosi ti kthehet profesionit të gazetarit të pavarur, pasi nuk u zgjodh dot më as deputet (siç u përpoq në Durrës në 2009 me LSI-në), as drejtor i televizionit publik (falë Nanos) dhe as drejtori i ATSH (falë Berishës).

Kam vendosur të qesh prej një kohe të gjatë edhe kur më thonë që të mos i përgjigjem një njeriu që për shkak të një vesi që ia njohin të gjithë, është gjithnjë në kërkim të parave.

Kam vendosur të qesh kur më thotë se unë i shërbej Edi Ramës dhe e besoj këtë fabul marroke, po aq sa i besoj trillimit të çmendur se ky paladin i vlerave kombëtare, qenkësh një bir i Skënderbeut.

Kam vendosur të qesh dhe natyrisht ta anashkaloj këtë tribun publik, që kolegët e mij më të mirë më këshillojnë që të mos i përgjigjem, pasi ai tenton të shndërrojë hallet prej pengu, në debate idesh.

Në fakt, nuk do të kishte asgjë më të lehtë sesa të çmontoje botërisht këtë obez mediatik që mashtrimet i ka në përmasat e orekseve të veta.

Mund ta bëja fare lehtë këtë, boll ti përmendja atë mashtrimin e fundit sikur videot me seks që ai kishte parë, ia kishte treguar Mentor Kikia. Ai nuk foli asnjë fjalë, pasi kryeredaktori i Top Channel e nxori blof duke vërtetuar edhe njëherë se gënjente për llogari të tjetërkujt.

Mund ta bëja fare lehtë, duke i kujtuar kohën e artë kur ishte drejtori i RTSh dhe kur zhduku nga fushata elektorale e 2005 edhe PD edhe LS. Ishte ajo kohë kur drejtuesi i televizionit që i përkiste publikut, shkruante fjalimet qesharake të “zogut vetmitar” dhe arrinte deri aty sa bënte edhe këshilltarin estetik të zonjës së vetmuar.

Mund ta bëja fare lehtë duke i kujtuar se në emër të servilizmit të theksuar ndaj Nanos që në fakt fshihte të tjera interesa, Kontrolli i Lartë i shtetit e bëri subjekt të abuzimeve. Mund ta bëja fare lehtë duke i kujtuar se si pasi nuk e kishte pasqyruar fare gjatë fushatës, i çoi në selinë e PD-së autobusin e lidhjeve direkte Berishës pas fitores, aq sa RD-ja i bëri thirrje të ta largonte atë gërdallë që tashmë nuk i duhej më.

Mund të qeshja pafund më këtë ithtar të shprehjes “ç’më duhet mua se çfarë kam thënë unë” kur kujtoj se kandidati i LSI-së për deputet bënte fushatë në Durrës duke akuzuar Sali Gërdecin, por ama, menjëherë pas zgjedhjeve, po i njëjti, u shndërrua në drejtor të ATSh-së me firmën e Saliut.

Mund të qesh hidhur kur kujtoj se si mbronte në 21 janar vrasjet në bulevard duke vënë shërbimin ndaj pushtetit mbi skrupujt për fytyrën e tij. Kur e kujtoj si lëshonte britma histerike kundër atyre që guxonin të preknin gardhin e kryeministrisë dhe se si i bërtiste në studio: “spiuuuuuuun” kolegëve që mbronin ide të ndryshme nga të tijat.

Mund të qesh me neveri kur kujtoj se sa në hall qe kur i duhej të komentonte kapjen e Metës me bllok në dorë dhe shfajësohej si gjithë eunukët: “do të flas kur të flasi drejtësia”.

Mund të qesh e të gajasem kur kujtoj se si i mbronte votat e vjedhura të Bashës, se si bëri këshilltarin okult dhe mbrojtësin e pavarur të fushatës së tij.

Mund ta bëj këtë kur kujtoj se si prodhoi ato shkrimet për “holandezin fluturues” lulet e të cilit po çelnin në Tiranë, artikuj që në vend që të shkonin tek publiku, përfunduan të botuara të plota në Antenën humoristike të Mero Bazes.

Mund të pushoj së qeshuri dhe ta përçmoj kur kujtoj se si papritmas ky mbrojtës i flaktë i “Doktorit të madh” dhe “Holandezit të lulëzuar” u bë ithtar i mazhorancës së re të pas 23 qershorit.

E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja se si spërdridhej e s’kishte argument në debatin parazgjedhor me Shkullakun, në Zonë e Lirë, kur duhej të fiste për masakrën elektorale të Vorës.

E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja në të njëjtën përballje se si zhvlerësonte emigrimin masiv të shqiptarëve duke e shikuar si një mundësi “për ngritjen kulturore të tyre” (fatmirësisht arkivat e emisionit të Çanit janë të ruajtura të gjitha).

E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja se si hakërrehej kundër Blushit duke mbrojtur tezën se Rama është fitues i 1 milionë votave dhe prandaj nuk është e nevojshme të bëjë zgjedhje në PS.

E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja në studion e “Faktit” të Çim Pekës (edhe këtu arkivat janë) të mbronte ardhjen e armëve kimike në Shqipëri.

Sot thotë, pa pikë turpi, se ka luftuar që këto armë të mos vinin. Ashtu sikurse argumentet për largimin masiv të shqiptarëve (pasi ka harruar se si ka debatuar me Shkullakun) i ka kthyer nga argument në mbrojtje të Ramës, në një armë kundër tij. Ashtu sikurse Ramën që mbyt liritë në PS, sot e ka përvetësuar si tezë të tij.

Njerëzit që e njohin thonë se ky transformim i fundit i ka ardhur pas një takimi me kryeministrin, të cilit i ka kërkuar të kthehet tek thesari i jetës së tij, në Televizioni Publik, dhe vetëm pasi nuk e ka kapur peshkun e madh, ka ndryshuar përsëri qëndrim.

Por, unë besoj se ky është një thashetheme, për sa kohë nuk e kam të vërtetuar. Një thashetheme ndoshta aq i pabesueshëm sa edhe prejardhja e Arturit nga Skënderbeu.

Por mjafton ky parakalim i shpejtë tek piruetat e tij, për të vërtetuar se kam pasur të drejtë që kam qeshur me të dhe nuk e kam marrë seriozisht. Ia kam kuptuar hallin, dobësitë njerëzore prezente tek të gjithë, borxhet që harbuesi i orëve të vona të natës, i ka opinionistit që shkruan ditën.

Por, ndoshta ka një moment që i duhet thënë mjaft këtij qëndrimi hokatar, kur ky pehlivan që duhej të kishte frikë të nxirrte fytyrën në publik, guxon e thotë se jam unë që po fshehem. Kur ky shrlatan më akuzon mua se i shërbej Edi Ramës. Kur më përshkruan si dikë që militon që kryeministri të kapë drejtësinë.

Vetëm me dy fjalë, jo për të, por për ata pak njerëz që nuk e njohin ende, dua të them se unë e konsideroj Ramën një të keqe të madhe. Një prijës së bandës së kleptoktarëve që po vazhdojnë të plaçkisin këtë vend. Një njeri, që po mori në dorë drejtësinë do ta bëjë një gërmadhë më të madhe sesa PS-ja që drejton prej një dekade.

Por ama thënë këtë, nuk e kuptoj si për këto arsye mund të jesh kokë e këmbë kundër Ramës dhe të mbrosh Ilir Metën.

Si mund ta quash njërin rrezik dhe tjetrin garanci?

Si mund të quash njërin fatkeqësi dhe tjetrin shpresë, kur ata po e plaçkisin dhe rrënojnë bashkarisht këtë vend ?

Si mund të jesh kundër Ramës sot për të njëjtat arsye që ke qenë pro Nanos dikur dhe Berishës dje?

Mua më mundojnë këto pyetje. Sepse për “paaftësinë” time s’kam arritur të jem me asnjë kryeministër.

Me sa duket Artur Zhejin jo.

Ai e ka pasur aftësinë (këtu e pranoj është më i zoti se shumë të tjerët) ti shërbejë edhe të parit dhe të dytit duke u paguar për devotshmërinë e tij me para publike. Le ti gëzojë.

Ashtu sikurse me bëhet qejfi që i shijon edhe sot shërbimet për Ilir Metën.

Për këtë e kam lënë në rrugën e tij.

Kam qeshur me piruetat që bën dhe jam i jam bashkuar shpesh atyre që janë gajasur me paturpësinë që ka për të ndryshuar lëkurë. Puna e tij.

Tani ka ca kohë që ka vendosur të bëjë opozitarin. Përsëri po qesh. Se është një punë që do ti zgjasë deri sa të strehohet në ndonjë zyrë shteti.

Zoti e ndihmoftë.

Please follow and like us: