Albspirit

Media/News/Publishing

Dionis Xhafa: Etje për gjuhën shqipe

 

Shkupi është sa i bukur, sa drithërues, sa mahnitës, po kaq fsheh tradhëti, poshtërsi dhe ligësi.
I bukur sepse është një qytet ku mund të gjesh stampimin e shumë kulturave, etnive dhe religjioneve.
I tradhëtuar më së shumti nga ana e politikës sidomos asaj aktuale.
Qytet si i ndarë më dysh, si i vrarë prej pushtetit, ku nga njëra anë ngrihen në pietestal “Aleksandri i Madh”, dreqi e shejtani bashkë që më shumë janë figura politike e historike të Greqisë së Lashtë e pa pikë lidhje me Maqedoninë e sotme, ndërsa nga ana tjetër zhytet, poshtërohet shqiptarizma, myslimanizmi si fe kryesore e shqiptarëve në këto anë dhe çdo lloj vlere që e ka etnia jonë kombëtare.
Madje shkohet deri në absurd dhe në tragjizëm se meqenëse figura si Nënë Tereza, Fan Noli e Pjetër Bogradi kanë qenë të krishterë  një pjesë e mirë e këtyre tentohet të paraqiten sikur janë maqedonas ose keq e më keq ngrihen lart vetëm pse janë të të njëjtit besim fetar sikundër maqedonasit.
Nuk bën të shahen maqedonasit apo cilado etni pse e ka tjetër besim fetar, por është turp kur përkatësia fetare keqpërdoret në këtë lloj mënyre.
Kjo dëfton se pushteti maqedonas tenton deri përçarjen e shqiptarëve duke ua theksuar fort se kanë besime të ndryshme fetare.
Po nëse kanë besime të ndryshme fetare shqiptarët, ku qëndron problem këtu? Ku është e keqja se shqiptarët janë edhe myslimanë, edhe të krishterë? Asgjëkund!
Përkundrazi fakti se shqiptarët kanë besime të ndryshme fetare tregon tolerancën e një populli të lashtë me rrënjë tek paganizmi.
Problemi është se duke qenë se maqedonasit, serbët etj. janë thuajse të gjithë të krishterë, jo rrallë quajnë “armik” apo “të padëshirueshëm” cilindo që nuk e ka besimin fetar të njëjtë me to.
Jo vetëm kaq, por edhe dhuna politike, nacionalizmi dhe ekstremizmi politik i Shkupit zyrtar ka arritur kulmin. Sikur të mos mjaftonte teatri i madh grek i improvizuar në qendër të Shkupit me statuja, përgjithësisht sllavët po tentojnë të kryejnë vepra që janë kryekëput anti-njerëzore: Vendosja e statujës së Car Dushanit në qytete ku ka edhe shqiptarë. A është normale kjo?
Do të thotë ndokush se duhet të jesh veç anti-sllav sepse derisa Mitrovica ka serbë atje duhet statuja e Car Dushanit. Jo, ajo statujë nuk duhet.
S’po gjykoj Car Dushanin pse ky është serb. Nga djalli e dreqi të ketë dalë.
E gjykoj këtë hero të Serbisë ose të kthyer në të tillë nga ana e serbëve, për shkak se  siç na mëson nëna e shkencave humane, historia, Car Dushani ka qenë vrasës, më së tepërmi i shqiptarëve.
Ky vriste njerëz krejt të pafajshëm në mesjetë ku të shumtët kuptohet se ishin shqiptarë.
Këto vrasje cari Llazar i kryente vetëm për të realizuar objektivat e veta “famoze” dhe famëkeqe, për qëllimet ekspansioniste territoriale të Serbisë, për të realizuar projektin  famëkeq “Serbi e Madhe” dhe se përmes vrasjeve, terrorizimeve dhe barbarive ndaj popullatës kryesisht shqiptare, e shtriu Serbinë në mesjetë deri në Vlorë.
Për t’u nderuar është ky njeri që vret njerëz të cilët nuk kanë faj? Për tu nderuar është ky? Le të jetë në daç shqiptar, serb a dreq i mallkuar, derisa ka vrarë është kriminel dhe jo hero.
Ja pra pse nderimi i Car Llazarit dhe ngritja e një përmendore për të nga ana e sllavëve është tiu ngresh përmendore gjakësve të pushtetit, vrasësve të njerëzve të pafajshëm, kriminelëve me damkë që njollosin vlerat njerëzore.
“Car Llazarët” modernë
Car Llazari vërtetë nuk jeton më , por se “Car Llazarët” dhe projektet “madhore” të mbretit serb ende janë të gjalla ndër liderët e sotëm, kryesisht sllavë.
Një gjë të tillë e ka pohuar me gojën e vet presidenti serb Tomislav Nikoliç.
Por edhe Aleksandër Vuçiç ka thënë fjalë të mira për kriminelin në fjalë. Por edhe Gruevski nuk ndryshon shumë në retorikën dhe sidomos në politikën që e ndjek nga strategjia politike e Beogradit.
Madje në mos Gruevski është më keq. Shqiptarët e Maqedonisë e vuajnë shumë nacionalizmin e skajshëm gruevskian dhe këtë kam mundur ta shoh në shumë qytete të shtetit maqedon të banuara nga ana e shqiptarëve.
Prej Ohrit, Strugës, Tetovës, Kumanovës dhe Shkupit është lëngim dhe vuajtje e përbrendshme. Kjo në saj të politikës që e ndjek prej disa viteve VMRO-DPMNE e ndihmuar sigurisht nga ana e dyshes shqiptare BDI-PDSH.
Nënshtrimi i partive shqiptare karshi atyre maqedonase thuajse shtrihet në çdo lloj fushe, por se e rëndë mbetet sidomos pjesa e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.
Bastardimi i gjuhës shqipe
Përmes një shëtitje të vogël në Shkup ku natyrisht edhe vërejta sesi jetohej aty, mund të shihej nga tepër afër realiteti tragjik i shekullit XXI-të.
Shqiptarët i vëreja qartazi të bastarduar ekonomikisht se politikisht janë shitur dhe janë masakruar si pasojë e shitjes në një realitet mjeran.
Aq sa disa prej shqiptarëve përpos se ishin veshur keqas, ecnin edhe sikur të ishin sakat, sikur e kishin humbur krejtësisht realitetin.
Sikur të mos mjaftonte i gjithë ky bombardim kostant i shqiptarëve që vjen kryesisht nga ana e pushtetit, kjo dorë e fortë pushtetare përpiqet që shqiptarëve tiu vjedhë edhe kulturë,  traditë e zakone për ti parë lakuriq e të sakatosur.
Çfarë ndodh më saktësisht? Nëpër tabela të rrugëve ka orientime në maqedonisht, por edhe në gjuhën shqipe. Shpesh kur shkruhet në shqip ka gabime ortografike tepër të rënda.
Gabimet janë kaq të dukshme dhe trashanike, sa për një shqiptar vihen re fare thjeshtë. Por a nuk është e turpshme kjo?
A nuk është e turpshme që qytetet, vendbanimet dhe njerëzit e rëndësishëm mbishkrimet ti kenë të shkruara shtrembër gramatikisht në gjuhën shqipe?
Si mund të ndihet një etni e tërë shtet-formuese kur e vë re të tillë fenomen? Sigurisht e fyer, e poshtëruar. Por nga iu vjen shqiprtarëve kjo fyerje dhe ky poshtërim? Përse poshtërohen shqiptarët kaq shumë dhe nga kush? Me patjetër që nga klasa e vet qeverisëse politike.
BDI, paterica e VMRO
Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka si të mos jetë fajtore për një sërë çështjes të mprehta problematike për Maqedoninë.
BDI është partnere në koalicionin qeveritar dhe sigurisht fajtore për projektin çmendurak “Shkupi 2014”, me baza të ethshme e të tmerrshme etnike maqedonase.
BDI po ashtu nuk ka sesi të mos jetë fajtore për miliona paratë e derdhura nga taksat e qytetarëve për të njëjtin projekt fantastiko-shkencor. Kjo ndodh kur gjithë këta para mund të kishin shkuar për rritjen e mirëqënies së qytetarëve.
BDI nuk ka sesi të mos jetë fajtore për sharlatanizmin nacionalist të Gruevskit, për shtypjen e shqiptarëve, për skenarët ogurzi dhe për shërbimet e dyshimta sekrete brenda vendit e të ngjashme.
Bashkimi Demnokratik për Integrim, paçka nga retorika e mban vendin peng të integrimit për në BE për shkak se çështja e emrit të Maqedonisë me Greqinë as që ka ndërmend të zgjidhet ndonjëherë.
Janë këto dhe qindra të zeza që BDI ua ka sjellë shqiptarëve. Tani le të ndalemi tek gjuha, tek identiteti i shqiptarëve.
Shumë shqiptarë etnikë në qytete ku etnia e shqiptarëve është pakicë, po e humbasin identitetin. Më ka rastisur të komunikoj me një shqiptar nga Prilepi, që thuajse e kishte harruar gjuhën shqipe.
Masakrimi i vërtetë ndaj gjuhës shqipe në Maqedoni ndodh nëpër shkolla, në tekste shkollore e deri në Akademinë e Shkencave.
Kurse kulmin e kanë arritur teksa shqiptarëve “ua plasin përpara syve” kur nëpër qytete iu vënë tabele me shqipen e deformuar.
Tani pyetja që shtrohet është: A ka faj BDI për tabelat? Sigurisht që ka faj. Kjo sepse sipas një shpjegimi të disa profesorëve në media ndërkombëtare tabelat në gjuhën shqipe përgatiten deri nga maqedonas.
Pra nga njerëz që nuk e dinë mirë gjuhën shqipe dhe kushedi punojnë me “copy paste”.
Kjo ndodh sepse politizimi në vend nuk ka të ndalur dhe se njerëzit e VMRO-së vendosin nëpër komisionet e përgatitjes së tabelave për gjuhën shqipe njerëzit e vet.
Katastrofë! Por se ky është realitet që ndodh në Maqedoni, sipas shpjegimit të profesorëve.
Po BDI si e lejon diçka të tillë, ku prishet e shkërrmoqet gjuha shqipe dhe për të cilën shqiptarët janë ende të uritur?
BDI e shkel gjuhën shqipe për shkak sesa duket është e uritur vetëm për pushtet dhe jo për gjuhën shqipe. Derisa BDI ka uri veç për pushtet, shqiptarët me siguri që kanë etje për gjuhën shqipe.

Please follow and like us: