Gjermania: Harrojeni hapjen e negociatave. Do t’iu heqim edhe statusin
Gjermania ka shtuar presionet ndaj politikës shqiptare për miratimin e Reformës në Drejtësi, duke u treguar edhe më e ashpër me paralajmërimin se, nëse reforma nuk do të miratohet më 21 korrik, jo bisedimet, por Shqipëria mund të humbasë edhe statusin e vendit kandidat.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në “Bundestag” tha se, “ne vërtet ju kemi mbështetur, por nuk do të qëndrojmë gjithmonë pas shpinës tuaj. Tashmë do të na keni edhe përballë”.
““E rëndësishme është që në fund të këtij procesi të kemi një reformë, në të cilën të gjejnë veten të gjitha palët e përfshira. Por mendoj që tashmë janë pjekur kushtet që të merret edhe një vendim. Data 21 korrik është një datë vendimtare përsa i përket kësaj çështjeje, sepse duhet marrë një vendim. Ajo që duhet të shmangim ne është që në fund fare, Bashkimi Europian dhe opozita e qeveria duhet të ecin në të njëjtën udhë dhe të gjejnë një kompromis. Mendoj që të gjitha palët e përfshira të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë që kanë në këtë rast. Durimi ynë nuk është i pafund. Ne nga ana jonë, qeveria federale e Bundestagu, ju mbështesim në të gjitha çështjet dhe në këtë kuadër ju keni marrë statusin e vendit kandidat. Por nëqoftëse në fund të ditës, neve na krijohet përshtypja që kjo reformë nuk është e dëshiruar, që lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon ashtu siç duhet, atëherë ne, në fund të ditës do të marrim vendimin që t’iua heqin statusin e vendit kandidat”, tha gjermani Gunther Krichbaum.