Hafize Elshani: Rrobat e gabuara të terrorizmit
Fatkeqësisht terrorizmi është një problem aktual dhe i mprehtë, që kurrë nuk ka fituar seriozitetin e duhur as nga politikanët dhe si pasojë as nga qytetarët që kërcënohen prej akteve të dhunshme të tij.
Politikanët që i shikojnë gjërat brenda periudhës 4-vjeçare që përkon midis dy fushatave zgjedhore bëjnë shumë herë gabime fatale duke i veshur terrorizmit rroba të gabuara, duke e lidhur atë me shkaqe jo-reale ose duke i dhënë atij fytyra sipas qejfit (psh. armiku më i madh i Sadamit, Al-Qaeda, një mëngjes të bukur na u shfaq aleat i tij etj.,etj.,etj.). Veç se këto veshjet e gabuara kanë disa pasoja të gabuara, psh. publiku fillon akuzon njerëz të gabuar, qeveria “detyrohet” të ndjeki njerëzit e gabuar dhe kështu si në kohën e Vdekjes së Zezë (nga e cila u shfaros 1/3 e popullsisë europiane) të gjithë ndiqnin duke vrarë macet dhe qentë po asnjëherë nuk arritën të luftojnë armikun e vërtetë që ishte miu.
Gjithashtu politika të tilla brumosin urrejtje të pafundme që vetëm mirë nuk bëjnë!
Por ndodhi si 11 Shtatori, Beslani, Londra dhe sot ndodhi në Turqi nuk mundet veçse të na shqetësojnë. Sepse nuk është gjë e bukur të shikosh trupa të ndarë në mes dhe fëmijë që lebetiten nga tmerri; dikush humbi prindërit, dikush qan se humbi vëllain, ky tjetri klith se e humbi motrën; mjaft më; ju lutem, mjaft!…
Njëri nga të vrarët mund të ishte student, i punësuar, vizionar, mund të ishte i dashuruar, mund të ishte gjithçka nga universi njerëzor…
Gjithashtu kushdo do të ndihet i pasigurtë dhe do të ketë frikë kur i hipën autobuzit për në punë ose shkollë, ose asnjeri nuk do të niset për tek e dashura dhe të përfundojë tek varrezat!
Asnjë nënë nuk do ta kishte menduar që djalit apo vajza e vet do nisej për në punë, shkollë dhe do të vinte i vdekur; kjo botë kaq e vogël ka megjithatë shumë probleme, kjo botë kaq imcake dhe me shumë vrasje, kaq e paktë dhe me shumë urrejtje, kaç e vogël dhe shumë e padrejtë, çka nëse do të ishte më e madhe, çka?!
Ky sulm është njëlloj si aj në Paris dhe është duke u ditur se kush e bëri, në këtë rast nuk duhet që analistët të flasin kot.
Prandaj do i lutesha çdo qënie tokësore njerëzore që të zhvesh rroben e tij “fetare” (që fatkeqësisht kanë arritur, gabimisht përsëri, të na i lidhin edhe me shtjellimet tona politike, sociale e ndërkombëtare) dhe të mos mjaftohet tek analiza e ndonjë publicisti të zgjuar (ka shumë të tillë që me të vërtetë kanë informacion dhe zgjuarësi, por nuk janë edhe objektivistët më të shquar). Ti lëmë mënjanë mitet dhe “zgjuarësitë”; thonë se zgjuarësia e madhe nganjëherë të shpie në budallallëk dhe naivitet dhe ta kapim themelin e problemit.
Nuk i kërkoj asnjerit të jetë objektivist, nuk do mundesha unë të kërkoja diçka të tillë. Ajo që kërkoj është pak më shumë interes njerëzor dhe seriozitet…
Pra seriozisht ju ftoj të hidhni ndonjë mendim të argumentuar dhe logjik mbi shkaqet e terrorizmit dhe mënyrat e shmangjes së tij, pa qenë e nevojshme të shpërfaqim besimet tona, që nuk kanë asnjë lidhje me fenomenin ose të mbulojmë problemin real që ai krijon!
Diçka të tillë do mundohem të bëj edhe vetë…
#prayforIstanbul