Albspirit

Media/News/Publishing

Hetimet: 17-vjeçarja nga Marinza që u arratis me “të dashurin” nga Facebook është rrëmbyer

 

ledina rrethi

Krimet e Rënda marrin në duar hetimet për zhdukjen e Ledina Rredhit. Vajza braktisi të fejuarin për një “dashuri Facebook-u”. Dyshimet që është në Kosovë. Nallbati: Ky është fenomen në të gjithë vendin

Një vajzë 17-vjeçare nga fshati Marinëz, lagje e Bashkisë Roskovec, prej më shumë se një muaji është larguar nga banesa, ku jeton së bashku me prindërit e vet. Ledina Rredhi, kështu quhet adoleshentja, që nga mesdita e së hënës, datë 23 maj, ora 14. 00, nuk është kthyer pranë prindërve Gramoz dhe Rozeta si dhe motrës e vëllait të saj. Kjo largesë dhe mungesë njëkohësisht ka alarmuar këtë familje, e cila ka gjetur si zgjidhje apelin nëpërmjet medias, ndaj shtetit dhe strukturave të tij, por edhe gjithë shoqërisë. Vajza e qetë, natyrë e mbyllur, me status e fejuar që nga muaji shkurt i këtij viti, ka qenë nxënëse në arsimin e mesëm. Disa ditë përpara largimit nga shtëpia, me vullnetin e vet dhe dijeninë e prindërve, ka lënë përgjysmë studimet.

Arsyetimi? Ndihej e sëmurë dhe e pamundur që të ndiqte shkollën! Dy ditë përpara largimit nga shtëpia, e reja 17-vjeçare ka komunikuar nëpërmjet telefonit me të fejuarin e saj, ky i fundit ndodhet i punësuar në Gjermani. Sipas të dhënave që japin prindërit për median, vajza gjatë komunikimit me të fejuarin, një djalë me origjinë nga Mallakastra dhe që jeton në qytetin bregdetar të Vlorës, nuk ka shfaqur shenja pakënaqësie. E ëma e saj Rozeta në rrëfimin e vet ka pohuar se ka dëgjuar pjesë nga bashkëbisedimi mes dy të fejuarve. Ajo që i është ngulitur në kokë nga kjo bisedë, ka qenë përgjigja po nëpërmjet telefonit e të fejuarit, ku i premtonte vajzës se do të kthehej shumë shpejt gjatë muajve të verës, në Shqipëri, pranë saj. Në çastin e largimit në shtëpi nuk ka patur pjesëtarë të tjerë të familjes. Tri ditë ka zgjatur ankthi dhe pritja e familjarëve për të mësuar mbi fatin e vajzës. Të paktën këtë ka pohuar babai i vajzës, Gramozi përpara gazetarëve.

Prindërit rrëfejnë ikjen

“Ka ikur pa dijeni nga shtëpia- fillon ai rrëfimin e vet. Nuk ka patur asnjë konflikt as me nënën, as më babanë dhe me askënd. Nuk e besoj ende që është larguar nga shtëpia. S’ma merrte mendja. Në çastin që nuk e gjeta vajzën në shtëpi, kam shkuar në Roskovec, në komisariatin më të afërm. Atje bëra denoncimin. Ju thashë se më ka ikur vajza. Kam shkuar më pas edhe në drejtorinë e Policisë Fier. Më kanë thënë që të mos mërzitem sepse vajza do të gjendej. Pastaj më telefonoi dhe më tha që gjendet në Kosovë bashkë me një djalë nga Vlora. Sipas saj e kishte njohur në Facebook. Pastaj foli edhe dy herë të tjera dhe më pas nuk kemi komunikuar. Ndihem keq dhe kërkoj ndihmë”- psherëtin ai. “Kam frikë se vajzën ma kanë rrëmbyer.

Kam dhënë edhe emër konkret në polici për një person që dyshoj se ka lidhje me këtë ikje të vajzës. Me tepër s`di ç’të them”, thotë burri gati i dorëzuar. Nëna e vajzës, Rozeta, çdo fjalë që shpreh duket se e lidh nëpërmjet lotëve, lot që përpiqet t`i fshehë dhe t`i fshijë me kujdes përpara të pranishmëve. “Nëse herën e parë komunikimi i saj me mua ishte të themi normal, herën e dytë mu duk shumë e mërzitur. Duke folur filloi të qante. Tha vetëm dy fjalë: “Jam mirë” dhe nuk foli më. Plasi duke qarë. Zërin e kishte shumë të mbytur dhe e kuptova që nuk ishte mirë. Derisa nuk foli më dhe filloi po qante e kuptova se nuk ishte mirë. Sepse nëna e ndjen kurdoherë kur fëmija nuk është mirë. Prej tri javësh nuk kam komunikuar me vajzën. Dyshoj se atë e mbajnë me zor”.

Fejesa

E ëma, Rozeta Rredhi, ka shtuar se vajza ishte e fejuar me pëlqimin e saj në muajin shkurt, në një familje, që ka jetuar në një fshat të rrethit Mallakastër dhe tani jeton në Vlorë. Ajo foli dy ditë përpara largimit me të fejuarin. E dëgjova që ai i thoshte se do të vinte me pushime në Shqipëri, këto kohë dhe do të qëndronin bashkë. Por dua të them se marrëdhënia e vajzës me të fejuarin kohët e fundit kishte pësuar ndryshime. Vajza kishte humbur entuziazmin e fillimit të fejesës. Ajo nuk ka harruar të mbrojë vajzën e vet duke pohuar se vajza ishte një tip i mbyllur dhe se kohët e fundit për arsye shëndetësore kishte lënë edhe shkollën.

Krimet e Rënda: Ngjarja është rrëmbim, kemi të dyshuar

Personi që ka pasur më tepër kontakt me 17-vjeçaren është xhaxhai i saj, Petrit Rredhi. Sipas tij e mbesa i ka telefonuar disa herë. Ai deklaroi se në telefonatën e parë vajza i kishte thënë se ndodhej në Kosovë me një vlonjat, të cilin e kishte njohur në Facebook, ndërsa më pas i kishte treguar se ishte me një kosovar. Petriti i mëshon fort faktit se në telefonatën e parë vajza dukej e qetë, ndërsa më vonë në zërin e saj dallohej frikë. Nga ana e policisë së Fierit, është bërë e ditur se rasti në fjalë po hetohet nga Krimet e Rënda ndërsa hetimet po zhvillohen intensivisht. Një person i dyshuar për rrëmbimin e vajzës është shpallur në kërkim.

Të dhëna ende të pakonfirmuara pohojnë se ai është banor i një lagjeje afër zonës së Marinzës. “Ikja” sipas psikologes Historia e largimit të adoleshentëve nga shtëpitë e tyre as i pari dhe as i fundit rast në Shqipëri. Largimet nga familjet nuk kanë në themel të tyre vetëm konfliktet, mes brezave, debatet e të rinjve adoleshentë me prindërit apo motrat e vëllezërit më të rritur.

Përkundrazi largimet në këto kohë prej vatrës familjare, sidomos të vajzave adoleshente, kanë në themel të tyre largimin nga autoriteti prindëror, që nuk i lejojnë të kenë lirinë që dëshirojnë, apo e thënë ndryshe nga këshillat e përsëritura që kthehen në zhargon të padëshirueshëm për një jetë me etikë, të ndershme dhe me moral që duhet të trashëgojnë nga familjet, shkurt, të jetuarit deri diku, për “hir të botës”.

“Adoleshenti është një i rritur fëmijë”-pohon psikologja, Esmeralda Dimo. Mosha e adoleshencës përmban problematika dhe dilema. Ai ndihet njëkohësisht si një fëmijë kur vetë prindërit e cilësojnë akoma të vogël, Nëse i japim lirinë dhe përgjegjësinë e duhur duke folur me ata për të mirat dhe problemet që ka jeta atëherë do të kemi me shumë mundësi të mos kishim adoleshentë rebelë dhe patjetër që do të ishin bashkëpunues. Mentaliteti i vendit dhe shoqërisë sonë nuk i jep mjaftueshëm adoleshentit liri. Nisur nga rregullat e forta adoleshentët shikojnë si më të përshtatshme zgjidhjet e pamenduara mirë, siç janë edhe largimet nga shtëpia. Duke marrë nxitje apo mbështetje nga njëri-tjetri, duke modeluar modelet e njëri- tjetrit, numri i largimeve të palajmëruara bëhet më i shpeshtë” – përfundon psikologja.

Nallbati Kështu janë me dhjetëra precedent të largimeve disa ditore të adoleshentëve që janë të regjistruara në regjistrin e denoncimeve në Policinë e Fierit. I kontaktuar nga “Shekulli”, kreu i kësaj Policie, Neritan Nallbati, ka pohuar se ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha. “Kemi mjaft raste të denoncimeve nga prindërit për largime të fëmijëve nga shtëpitë. Këto largime nuk kanë zgjatur më shumë se dy apo tre ditë. Kryesisht flitet për moshën deri në 17 vjeç.

Pas denoncimeve kemi punuar dhe rikthyer adoleshentët pranë familjeve të tyre. E rëndësishme është se këto largime nuk kanë patur në themel të tyre vepra penale si p.sh rrëmbime të personit. Të rinjtë kanë zgjedhur në shumicën e rasteve të largohen si një presion, apo si shenjë proteste të moshës ndaj kërkesave të prindërve, apo edhe për shkaqe që kanë brenda tyre deri dhe pëlqimet mes të rinjve. Lidhjet mes tyre kryhen sidomos nëpërmjet rrjeteve sociale. Fenomeni duhet luftuar, por sidomos në bashkëpunim me shkollat, sociologët, psikologët dhe natyrshëm, me familjet”.

Please follow and like us: