Albspirit

Media/News/Publishing

I burgosuri i Spaçit, Mërkur Babameto rrëfen kryengritjen e ‘73

I burgosuri i Spaçit, Mërkur Babameto rrëfen kryengritjen e ‘73: Si sfiduam shtetin komunist për 3 ditë në burgun famëkeq, vrasjet dhe torturat që pësuam

I burgosuri i Spaçit, Mërkur Babameto rrëfen kryengritjen e ‘73: Si sfiduam shtetin komunist për 3 ditë në burgun famëkeq, vrasjet dhe torturat që pësuam

 

I burgosuri i Spaçit, Mërkur Babameto, rrëfen detaje nga kryengritja e Spaçit në maj të 1973. Gjatë një interviste për gazetarin Robert Papa, ai ka rrëfyer se si nisi kjo kryengritje dhe pasojat që erdhën pas saj. Babameto ka rrëfyer se gjithçka nisi pas sherrit me një polic, teksa më pas kampi u mor në zotërim prej tyre dhe u mbajt 3 ditë. Nga ana tjetër ai ka rrëfyer se pas kësaj ngjarje 4 persona u pushkatuan ndërsa gjithë të tjerët u dhunuan në mënyra nga më të ndryshmet. Po ashtu ai ka rrëfyer se është kushëri i Enver Hoxhës.

-Si ndodhi revolta e Spaçit?

Një vërejtje kisha, për atë që thatë juve, për revoltë. Nuk ishte një revoltë por ishte një kryengritje. Dhe ishte një kryengritje që sado mund të duket e vogël, po në ato kushtet e diktaturës komuniste, ishte një kryengritje me përmasa që i kaloi dhe kufijtë. Gjithë veriu, sidomos Mirdita, por veriu i tëri, e mori vesh Kryengritjen e Spaçit. Se nga gjitha anët dëgjoheshin britmat për liri.

-Sa vetë ishit në Spaç atë kohë?

Ishin rreth 500 e kusur veta.

-Si ndodhi?

Atje kishte kohë që vlonte brenda njerëzve dhe nuk kishte më frikë. Nuk ndodhi si herë të tjera kur kishte ndodhur ndonjë revoltë e vogël më kërkesa për mirësjellje, nga ata që s’e njihnin fjalën mirësjellje dhe për ndonjë përmirësim të ushqimit nga ata që as i bënin e as donin t’i bënin këto gjëra. Por kërkesat i kaluan kufijtë dhe ishin kërkesa më të vërtetë politike. Arriti derisa të kërkohej liri për popullin, liri për Shqipërinë dhe të kërkohej ndërhyrja e OKB-së.

-Kishit shpresa se fjala juaj do dilte përtej kampit?

Nuk ishte se kishim shpresa. Kishim dëshirën dhe ata talleshin me ne, kur na lidhën pastaj e na prunë këtu në Tiranë, në Burgun e Ri. Talleshin. Hë, donit dhe përfaqësuesit e OKB-së? Po e dini se ku jeni, apo jo? Sot po t’ua thuash këtë, e mohojnë se kjo fjalë e dini ku jeni, e pranonin vetë ata me tallje, se kjo nuk mund të ndodhte. Të vinte OKB-ja?! Donit juve more surretër, të vinin të dërguarit e OKB-së për të parë se ç’bëhet këtu?

-Si nisi? Thjesht u rrah një polic, një nga sigurimsat?

Duhej një shkak. Një pretekst, si kudo, që duhet një pretekst të marrë zjarr diçka që e kishte brenda zjarrin. Ishte një njeri që u zu dhe pastaj atje filloi. Brenda në kamp, jo në galeri. Kjo zënkë e thjeshtë u kthye menjëherë në mbrëmje, sidomos, u kthye në një revoltë dhe unë jam habitur se unë isha në punë në turnin e dytë. Bashkë me një shokun tim, mikun tim, që ka vdekur, Astrit Delvinën. Dhe kur dëgjonim kërkesat, se jehona vinte atje tek ne në mal, ku ishim, lart në galeri ku nxirrnim mineral, ngazëlloheshim me ato kërkesa që i dëgjonim për herë të parë. Kërkesa që nuk ishin dëgjuar kurrë. Ata trembeshin, se e mbanin veten për trima, e nuk ishin aspak trima, se një trim nuk ka frikë nga e vërteta. Ata kishin frikë nga një grevë e vogël urie që mund ta bënte njëri prej nesh. Aq frikë kishin, sa kur ish-ministri i Arsimit, Xhevat Korça, bëri grevën e urisë për vdekje, i dërguam një njeri për t’i thënë se do ta plotësojmë kërkesën tënde për të çuar në spital, vetëm prish grevën. I dërguari, që ishte Koço Tasi, u tha unë Xhevat Korçën e kam mik. Nuk është as më pak i arsimuar dhe as më pak i zgjuar nga unë. Më vjen keq të vdesë, se ai ashtu ka vendosur, po më vjen më keq të turpërohet. E di vetë ai, s’ka nevojë për mua. Hajde ik! Iku, nuk e përçoi fjalën e tyre. Vdiq. Xhevat Korça vdiq dhe na tha do t’iu mësoj unë se si bëhet greva e urisë.

-Unë doja disa nga emrat e tjerë nga kryengritja. Mërkuri, mbi 80 vjeç, i kthehet asaj kohe. Diçka edhe nuk i kujtohet.

Të gjithë ata që u futën atje, ishin të gjithë trima. Se nuk ishte shaka të bëjë një gjë të tillë. Ishte ai që do vinte sonte, Mersin Vlashi (nuk erdhi se nuk kishte lekë për autobus). Emrat tani s’i mbaj mend se koha bën të sajën. Luan Burimi, Luan Koka, që në të vërtetë nuk u përzje fare i shkreti se e dinte se çfarë e priste, dhe e dënuan me 25 vjet. U dhanë disa qindra vjet dënime pas Kryengritjes.

-Si ndodhi, e morët Kampin në zotërim?

Kampi u mor në zotërim për 3 ditë me radhë. Kur jam kthyer në kamp nga puna, unë dhe Astrit Delvina, u habitëm me sjelljen e rojeve. Kishte filluar paniku. Na futën brenda dhe s’kishte më roje. Ata e kishin braktisur kampin nga frika.

-A morën të burgosurit armë?

Jo!

-Dua të di për flamurin. Ju përmendët Mersin Vlashin që do vinte sot. Është thënë se flamuri është ngjyer me gjakun e të burgosurve.

Këtë detaj nuk e di. Se të thashë që isha në punë, dhe kur jam kthyer, ai kulmi, vala e madhe kishte rënë. Ne fakt ajo vazhdoi 3 ditë. Ishte pas mesnatës. Natë e thellë. Dhe njerëzit kishin filluar edhe të shkonin të flinin. Këtë hollësi nuk e di.

-Kur erdhën repartet speciale? Kur nisi dhuna?

Ditën e tretë ka ardhur policia nga të gjitha anët. Kanë ardhur të gjithë kryetarët dhe nënkryetarët e Degëve të Rretheve, të Degëve të Brendshme. Kanë ardhur të gjithë prokurorët e rretheve të Shqipërisë. Erdhën në Spaç. E panë me sytë e tyre. Se gjëmonte nata, gjëmonte jehona e kërkesave të burgosurve për liri dhe për ndërhyrje të UN. Ata u trembën sa sollën Korpusin nga Burreli me gjeneral Bako Dervishin. Në gjendje lufte të gjithë. Me kaska në kokë dhe në atë pozicionin që bëjnë ata në kohë lufte. Këtë gjë e bënë për ne, por e bënë për gjithë Mirditën, që të thoshin ja ç’bëjmë ne po të ndodhë një gjë e tillë.

-Pati të vrarë?

Pati 4 të vrarë. I pushkatuan.

-U krye gjyq?

Si ato gjyqet e tyre. Një vendim që bënin ata natën, brenda atje në Spaç. Pastaj, atë ditë, na morën, jo të gjithë, një nga një. Nga ata që morën kam qenë dhe unë. Na lidhën duart me pranga, na lidhën këmbët dhe pastaj na lidhën rreth e rrotull me litar dhe na binin me dru. Gjithë policët ishin pajisur me ca drunj, por më të trashë se shkopinjtë e fshesave. Na binin ku të mundnin. Për fat të keq atë ditë, bënte një vapë e madhe, sa vdiqëm për ujë. Askush nuk na dha një filxhan me ujë, e jo një gotë. Kur na kanë sjellë këtu, në burgun e ri, të gjithë hetuesit e Shqipërisë ishin këtu. Dhe e dinin mirë ata, se i dinin mirë këto gjëra, e na i kishin lidhur duart nga mbrapa. Na kapnin prangat dhe i tundnin. Dhimbjet ishin të tilla që na kalonin nga zemra, na thoshin ata që ishin mjekë, se mes nesh kishte dhe doktorë. Astrit Delvina kishte studiuar për mjek. Këto dhimbje, kalojnë nga zemra, thoshte. Pastaj na kanë futur brenda në burgun e ri. Këtu jam vetë dëshmitar dhe s’ka pse të më thonë të tjerët, se ka ndodhur apo s’ka ndodhur. Më kanë rrahur, sa më binte të fikët. Dhe ai që më ka rrahur është këtu. Mehdi Bushati. Më ka rrahur, se ishte dhe mashkull i fortë, sportist, futbollist i njohur i “Dinamos”, sa më binte të fikët. Dhe ai e dinte mirë mjeshtërinë e tij. Ishte, në atë kohë, nënkryetar i Degës së Brendshme të Lushnjës. E të thashë, se të gjithë kryetarë e nën kryetarë kishin ardhur atje. Torturat vazhduan derisa u zhvillua procesi. Të thashë, më ka rrahur sa më binte të fikët. Më kapte, pasi më binte me grusht, edhe e dinte që isha afër murit. I goditur nga grushti do i bije pas murit. Kisha duart e lidhura nga pas me pranga gjermane që njerëzit ulërinin pa qenë atje. Kur përplaseshe pas murit, të binte të fikët. Mehdiun e njihja. Kam pasur respekt si figurë e sportit. Më mirë të mos e kisha dëgjuar, apo më mirë që e tha, se e vërteta duhet thënë. Mehdiu më ka ndalur në rrugë, pas kësaj dhe ka dashur ta mohojë, por një 83 vjeçar nuk gënjen.

-Menduat për një çast se mund të vdisnit?

Po ishte një tjetër. Ishte Drejtor në Ministrinë e Brendshme.

-Si e kishte emrin? 

Nuk më kujtohet tani. Çojeni tha, se s’do të flasë, çojeni, tha në dhomën nr 1. Poshtë. Se atje, tha, e di se ku do vejë. Ishte përmetar. Nuk ja mbaj mend emrin. Këto ishin për to, për tortura psikologjike për të trembur. Torturat vazhduan 7-8 ditë. Pastaj na çuan në kamp, bënë procesin. Unë kam pasur, të them të vërtetën pa u mburrur, unë nuk mora pjesë në revoltë, se nuk isha atje, isha në punë dhe kur kam ardhur, thashë, ishte fashitur një çikë. Pse më morën? Sepse ai operativi, një farë Fejziu e kishte emrin, Fejzi, Fejzi. Unë i jepja gojës një çikë shumë, por shumë ama dhe ai më kishte në listë. Ata kishin një listë të personave që nuk i donin. Dhe më futi ai në listë. Isha dënuar për Agjitacion e Propagandë.

-Në fakt, a kishit bërë agjitacion dhe propagandë?

I kam dhënë gojës sa kam mundur, edhe kur u lirova nga burgu prapë kam folur, nuk vura mend. Edhe kur isha në internim, se pas burgut më internuan, arrija të shaja edhe Enver Hoxhën. Po, do thuash ti, kaq gomar ishe që të shaje Enver Hoxhën? Jo nuk e shaja në atë mënyrë.

-E kishe patriot nga Gjirokastra?

Jo, e kisha kushëri, gjyshet tona ishin motra.

-Ai paska dënuar kushëririn e tij…

Jo mor jo, ai mbase s’e dinte fare. Nuk e ulte hundën ai aq e shumë sa të merrej me mua. Gjyshet tona ishin motra. Mbase s’e dinte, se isha ne burg.

-Pra Hoxha paska qenë me biografi të keqe se paska pasur një kushëri në burg?

Pse? Kishte dhëndrin ai, Bahri Omarin. Ishte i prekur se i ishte pushkatuar Bahri Omari, edhe megjithatë, ky njeri që godiste një familje se kishte pasur një xhandar, jo mua se ne ishim në radhën e parë të luftës kundër komunizmit që në ’42-shin. Por, një xhandar të thjeshtë që merrte një rrogë për të mbajtur familjen dhe ja strapaconte familjen e tij, familjen e Bahri Omarit dhe ishte nga krerët e Ballit Kombëtar, nuk e ngau meqë e kishte motër. Ky njeri i parimeve të larta, nuk e ngajti por çoi, detyroi gjithë byronë, të gjithë ata trima, vajtën për vdekjen e gruas së Bahriut. Ajo edhe tani në varreza e ka Fahrie Omari, nuk e ka Fahrie Hoxha. I biri është i këtij krahu. I krahut komunist.

-E ndjeni ju vetëm fitimtar?

Ne fitimtarë, ndaj tyre? Ç’kemi fituar ne, që ta ndjejmë veten fitimtar?

-E ndjen veten të humbur?

Jo! Do ju them një episod. Isha duke marrë pensionin. Përbri gjimnazit “Qemal Stafa”, por kishte shumë njerëz. Ishte vapë. Qe një grua aty, e veshur bukur, elegante, emrin e të cilës e përmendte të deformuar ajo faturistja. Në vend t’i thoshte emrin e burrit që e kishte, i thoshte Enver dhe kësaj s’i erdhi mirë që në atë turmë deformohej në këtë mënyrë emri i Enver Hoxhës. I tha mos ma bëj Enver, po ma bëj Salë. Një herë, dy herë por ajo s’dëgjoi. Unë isha afër. Moj, i thashë, bëja Salë, jo Enver, se ka frikë se i përdhoset emri i ndritur i Enver Hoxhës, ndaj bëja Salë. O, tha, duket je njeri i Salës. Jo moj jo, as i Salës as i Enverit, unë jam i Mërkur Babametos. Vetëm një gjë kam sot, që së paku, nuk më vjen më polici të më vejë koburen të koka, si ma vunë kaq vjet përpara, dhe të më thonë dhe atë fjalën. Në emër të popullit je arrestuar. Dhe kur më bie zilja në shtëpi, se kemi dhe ne shtëpi, tani moj zonjë, nuk rri më në bodrume si rrija përpara, pra kam blerë një shtëpi, ka dhe zile shtëpia ime dhe kur më bie porta natën nuk kam frikë, por gëzohem se do më vijë ndonjë mik e do pimë ndonjë gotë raki të prishim monotoninë e natës. Për këtë i jam mirënjohës kësaj kohe, asgjë tjetër, se s’më ka sjellë ndonjë gjë.

 

Please follow and like us: