Albspirit

Media/News/Publishing

Katër dokumenta të përplasjes së Qoses me Ismail Kadarenë në 1973

 

Dokumenti 1 

Bisedë me shokët Kahreman Ylli, Thoma Deljana, Agim Mero mbi disa çështje lidhur me Kosovën.

  1. T’u përmbahemi udhëzimeve të dhëna. Të kemi parasysh situatën aktuale në Kosovë, politikën titiste që kërkon të shtrëngojë vidhat, të pengojë kontaktet tona, futjen e influencës sonë të nxitë bile qëndrime e veprimtari kundër vendit tonë. Pra më të matur dhe kurdoherë shumë vigjilentë.
  2. Të ndalohen letërkëmbimet midis shkollave dhe midis nxënësve.
  3. Mos hyjmë në polemikë me shkrimtarët e kritikët kosovarë, por t’u përmbahemi kritereve tona për veprat kosovare që botojmë këtu; e dyta, me rast kur e vlen për aq sa e vlen, si ndihmë, të kritikojmë tendencat e gabuara në letërsinë kosovare.
  4. Edhe për botimet historike në Kosovë lidhur me Shqipërinë mund të bëhen recensione, edhe ndonjë kritikë kur është rasti, dhe kritikë për çështje parimore me rëndësi.
  5. Të rriten kërkesat ndaj pedagogëve tanë që venë në Kosovë bazë të programit me UP më të zgjedhurit, më të aftit, më të përgatiturit. Edhe në fushat e tjera (sport, grupe artistike etj.), më të mirët, ndryshe jo.

Behar Shtylla,13 prill 1973.

——————————————-

Dokumenti 2

 Shoku Behar,

Kohët e fundit ngritëm një grup pune për të parë disa probleme që dalin nga botimi i letërsisë kosovare në vendin tonë. Siç na porositët edhe në takimin e fundit këto çështje duhet të trajtohen me kujdes, prandaj Ju lutem nëse do e shihni të arsyeshme të shkëmbejmë mendime për të përcaktuar më mirë masat në të ardhmen.

Mantho Bala

———————–

Dokumenti 3

MBI LETËRSINË E SOTME KOSOVARE QË BOTOHET NË SHQIPËRI

Letërsia e Kosovës ka filluar të botohet te ne që nga viti 1970. U botua përmbledhja me poezi “Për ty”, ku përfshiheshin më shumë vjersha të Esat Mekulit, romane si “Malësorja” e Nazmi Rrahmanit, “Fëmijët e lumit tim” dhe “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit e ndonjë tjetër. Tani së fundi doli edhe një përmbledhje me poezi të 17 autorëve, e titulluar “E di një fjalë prej guri”. Përveç botimeve të veçanta, ka pasur edhe vjersha e tregime në “Nëntori” e nganjëherë rrallë edhe në “Drita”.

Në vëllimet relativisht të pakta që janë botuar, mund të themi se, në përgjithësi, zgjedhja ka qenë e mirë. Botuesit janë munduar të zgjedhin poezi e prozë që shpreh përpjekjet, historinë tragjike të popullit të Kosovës, fatin e njeriut të thjeshtë, si edhe motive nga Lufta Nacionalçlirimtare. Romanet dhe tregimet kanë qenë me prirje realiste, ngrenë probleme sociale dhe ngrihen mbi qëndrime etike të drejta, për ndershmërinë (“Fëmijët e lumit tim”), kundër arbitraritetit etj.

Për sa i takon poezisë është duke u parë veçanërisht më me kujdes një përmbledhje që është përgatitur kohët e fundit. Kriteret, në përgjithësi kanë qenë të drejta, shokët e botimeve dhe të revistave janë nisur nga qëllimi për të dhënë krijime me përmbajtje të shëndoshë (sa të jetë e mundur) dhe me formë të kuptueshme. Por kjo e dyta ka qenë më e vështirë, sepse pothuaj e gjithë poezia e tyre vuan nga paqartësia, nga ndikimet formaliste e përgjithësisht nga prirjet drejt largimit nga perceptimi realist, ndonëse shpesh në përmbajtje ka edhe protestë ndaj regjimit.Shtypi ynë letrar, duke botuar disa herë poezi (sidomos “Nëntori”), ka lejuar më shumë vargje të paqarta, hermetike, edhe ndonjë poezi që shpreh miratimin e vet për gjendjen e sotme në Kosovë (E. Gjerqeku).

Janë botuar edhe poezi të A. Podrimës, E. Bashës, K. Kryeziut, R. Berishës etj., që dallohen për hermetizëm ose thjesht lodra fjalësh e figura të katërçipta. Nuk është bërë dallimi i njerëzve edhe sipas qëndrimeve politike dhe estetike. Është treguar madje preferencë për A. Podrimën, i cili ka edhe merita në qëndrimet e tij në të kaluarën, por u përzie me grupin e atyre që hartuan manifestin “Vox clamantis in deserte”, që në thelb drejtohej kundër realizmit socialist.Përvoja e deritanishme, botimet e para, kriteret e shtypit letrar, si edhe të gjashtë vëllimet me poezi, të shtypura nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, por që ende nuk kanë qarkulluar, tregojnë se duhet një kujdes më i madh në zgjedhjen e materialit, sidomos në kushtet e sotme të një lufte të ashpër kundër ndikimeve të huaja.

Ne mendojmë se kriteri i zgjedhjes duhet të jetë më i qartë. Qëndrimi ndaj letërsisë së Kosovës, botimi i saj te ne, në përmasat e duhura, padyshim shkon krahas politikës sonë, vijës së partisë në qëndrimet ndaj Kosovës. Prandaj, jemi të mendimit, se duhet të vazhdojmë të botojmë, por duke i zgjedhur më mirë veprat e tyre si nga ana e përmbajtjes, ashtu edhe e formës, e cila hera-herës, me shtrembërimet e veta, kthehet në problem të brendisë dhe të botëkuptimit. Kështu që, kriteret duhet të nisen si nga idetë, nga domethënia kryesore, edhe nga tingëllimi estetik, sepse të dyja këto, sidomos kjo e fundit, ndikojnë shumë te rinia, te poezia që krijohet te ne, e cila ka shfaqje formaliste.

Por, është e qartë, se nuk mund të kërkojmë nga poezia e Kosovës, po atë që kërkojmë nga poezia jonë. Duhet marrë parasysh se, në disa raste, gjuha e theksuar e alegorike, ato shprehjet e errëta dhe aludimet në poezinë kosovare e kanë burimin te kushtet e Kosovës, te censura.

Por do të ishte e gabuar, që gjithçka të shpjegohej me këtë. Jemi të mendimit që disa libra të pajisen edhe me parathënie, për të bërë me taktin e duhur edhe ndonjë vërejtje e kritikë, të cilën lexuesi i Kosovës do ta mirëpriste. Mendojmë se edhe në shtypin tonë letrar mund të mbahen qëndrime, duke u nisur nga pozita dashamirëse, por duke bërë edhe ndonjë vërejtje që mund të ndihmonte lexuesin tonë dhe atë kosovar.Komisioni studioi, sa ishte e mundur të gjashtë vëllimet me poezi që janë në shtyp, të D. Mehmetit, A. Podrimës, A. Shkrelit, E. Gjerqekut, F. Gungës, Rr. Dedes. Ndër to ka vëllime të mira, të cilët mund të botohen pasi t’u hiqen disa poezi të errëta, me figura që vijnë zinxhir dhe të shpien te surealizmi apo në një panteizëm të theksuar poetik.

Pikënisja në disa raste, mund të jetë kontestuese por forma bëhet qëllimi në vetvete dhe ajo shndërrohet në përmbajtje kryesore, kurse ideja fillestare humbet dhe fshihet. Vëllimet më të mira janë i D. Mehmetit dhe A. Shkrelit. Vëllimet e Rr. Dedes, F. Gungës, A. Podrimës kanë vjersha të mira, por vuajnë shumë nga burokratizmi. Disa prej tyre si F. Gunga, Rr. Deda kanë mbajtur qëndrim të mirë dhe duhen përkrahur, natyrisht, pa sakrifikuar në kriteret tona të përgjithshme ideoestetike. Vëllimi i E. Gjerqekut duhet parë gjithashtu veçanërisht se ka edhe një simbolikë të gjallëruar, mungesë angazhimi, sado që nuk është shumë i errët. Sidoqoftë nuk mund të merren të gjitha bashkë dhe të thuhet një mendim – po apo jo.

Çdo vëllim do studiuar veçanërisht përpara se të qarkullojë, duke filluar nga ata që janë më të gatshëm, me kopertinë etj. (edhe kopertinat po shihen që të mos kenë shfaqje formaliste). Redaksia e poezisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” tani po i shqyrton një për një këto vëllime.

Qëndrimi ndaj autorëve “Vox”-istë si A. Podrimja, A. Pashku etj., mendojmë se duhet të jetë i diferencuar. Sidoqoftë kjo duhet të diskutohet më vete. Mendohet se A. Pashku është ndër iniciatorët dhe autorët e bindur të manifestit kundër realizmit socialist, ndërsa A. Podrimja duket se është tërhequr prej tyre dhe shpesh ka bërë përpjekje të afrohet me ne. Në vjershat e tij ai ka mendime patriotike dhe protestuese (me gjithë hermetizmin). Pa i dhënë preferencë siç bëhej, midis të tjerëve, mund të botohet edhe ai. Me sa kemi dëgjuar nga njerëzit tanë që kanë vajtur atje, del se ai ka qenë i persekutuar nga Tito dhe në Kosovë gëzon simpati.

Nëse ka arsye që ne nuk i dimë, është tjetër punë. Por, duke i diferencuar këta autorë, ne qëndrojmë mbi tarafet e tyre, dhe sa të jetë e mundur të ndihmojmë që të kthehen në rrugë të drejtë ata që kanë mundësi të kthehen.Kritikë të njohur të Kosovës si R. Qosja, H. Mekuli, A. Aliu, A. Jasiqi kanë shkruar shpesh për letërsinë tonë të sotme, si edhe për klasikët tanë. Kritika e tyre është zhvilluar mjaft, shpesh mbahen qëndrime të drejta, dashamirëse ndaj nesh dhe bëhen vërejtje të thelluara. Por krahas qëndrimeve realiste, ka në kritikën e tyre edhe ndikime formaliste, fetishizime, kult të njërit poet ose injorim të tjetrit.

Edhe kundër formalizmit në krijimtarinë dhe në kritikën e Kosovës ka shkruar kritiku A. Aliu, i cili është në pozita më të drejta dhe të afërta me tonat. R. Qosja është një kritik me aftësi dhe prodhimtar por, ndonëse nuk pajtohet në tërësi me formalizmin, ka pasur edhe ai shfaqje të estetizmit, të përbuzjes ndaj angazhimeve të drejtpërdrejta (Migjeni) etj. Vihet re një qëndrim i pakristalizuar dhe eklektik hera-herës në kritikën e tij. Artikulli i tij i fundit për vëllimin me kritika të I. Kadaresë kishte gabime, konkluzione të padrejta dhe mendime që të habisin, po të krahasohet me qëndrimet e tij të mëparshme.

Libri i I. Kadaresë ka merita, sidomos studimi “Autobiografia e popullit në vargje”, është i frymëzuar dhe i thelluar. Por ai lë vend për kritikë, ka qëndrime të njëanshme, të pabazuara shkencërisht, preferenca subjektive, mungesë argumentesh. Megjithatë R. Qosja është treguar tepër i revoltuar dhe pohon ide të tilla si p.sh. kur thotë se letërsia shqipe është nën nivelin e letërsive të tjera ballkanike, gjë që nuk i përgjigjet të vërtetës.

Veç kësaj, ai merr shpesh fraza të veçuara të I. Kadaresë dhe arrin në përfundime që ky nuk ka dashur të thotë. Edhe me rastin e kritikës ndaj R. Brahimit, R. Qosja, duke bërë edhe vërejtje të drejta, niset nga formalizmi, nuk zbërthen idetë e kritikës. Kohët e fundit si shumë po përzihet në çështjet tona, pa taktin e duhur dhe për gjëra që nuk i takojnë. Sidoqoftë figura e këtij kritiku duhet parë në kompleks dhe ai duhet ndihmuar sa të jetë e mundur, që të ecë në udhë më të drejtë. Ka edhe kritikë si Hysni Hoxha etj., që janë krejt në pozita formaliste dhe kundër realizmit socialist.

Nga grupi i punës

Tiranë, më 20.IV.1973

—————————–

Dokumenti 4

Bisedova me shokun Mantho Bala:

1. Të botojmë nga letërsia kosovare ato vepra që pajtohen me kriteret tona, siç përmendet në faqen 2 (e shënuar anës nga unë). Të bëhen edhe parashikimet përkatëse.

2. Nuk jemi të detyruar që një vepër ta botojmë integralisht: të shkurtojmë, të heqim, të zgjedhim (poezi ose vjershë) ato që i quajmë të përshtatshme.

3. Veprat aktualisht të shtypura por të pa shpërndara, të rishikohen dhe po të jenë të sakta, të shpërndahen gradualisht, jo përnjëherë.

4. Zgjedhja që do të bëjmë për botim (autorë dhe vepra) të vlejë si orientim për letërsinë kosovare (pa e thënë doemos hapët). Në këtë mënyrë mbajmë qëndrim edhe ndaj atyre autorëve që ndjekin rryma të huaja ose janë deklaruar kundër realizmit socialist (A. Pashku).

5. Të mos hyjmë në polemikë me R. Qosen, por në shtypin tonë letrar mund të shkruhet ndonjë artikull lidhur mbi letërsinë kosovare, kryesisht pozitiv, por duke kritikuar ato rryma dhe ndonjë shkrimtar që duan të fusin në letërsinë kosovare pikëpamje të huaja e dekadente.

Behar Shtylla.

Please follow and like us: