Ke një ide dhe je i papunë, merr 25 mijë euro t’ia fillosh
Të paktën 5000 persona mes të cilëve të rinj dhe të papunë që synojnë sipërmarrje të natyrave të ndryshme mund të përfitojnë nga një fond prej 22 milionë euro ofruar nga BE për persona më mundësi të kufizuara financimi.
Fondi Evropian për Investimet (FEI) dhe Fondi Besa (BESA) nënshkruan këtë javë marrëveshjen e parë të garancisë me qëllim mbështetjen e mikro-bizneseve në Shqipëri në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian për Punësimin dhe Inovacionin Social (EaSI).
Kjo marrëveshje e re garancie do të mbulojë një kredi prej 3 miliardë lekësh (22 milionë Euro) për huamarrësit e vegjël, duke u përqendruar në sektorin e agrobiznesit dhe aktivitetin sipërmarrës të të rinjve. Më shumë se 5,000 huamarrës të vegjël me mundësi të kufizuar në financime pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje.
Marianne Thyssen, Komisioneri për Punësimin deklaroi se: “Falë financimit të BE, 22 milionë Euro kredi me norma të ulëta interesi do t’u ofrohen sipërmarrësve të rinj dhe mikro-bizneseve në sektorin e agrobiznesit në Shqipëri. Bujqësia është një sektor jetik i ekonomisë së Shqipërisë dhe ofron punësim për pothuajse 50% të popullatës në zonat rurale. Nëpërmjet programit EaSI, Komisioni Evropian konfirmon angazhimin e tij për fuqizimin e ekonomive lokale, nxit rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe ndihmon njerëzit më të cenueshëm në tregun e punës.”
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Europisn për Investimet, Pier Luigi Gilibert deklaroi: “Jam shumë i lumtur që po nënshkruajmë marrëveshjen e parë të mikrofinancës EaSI në Shqipëri, e cila do të ndihmojë në ofrimin e financimeve ndaj më shumë se 5,000 mikro sipërmarrës në vend. Kreditë e mikrofinancës dhe shërbimet e këshillimit të Fondit Besa do t’u ofrojnë huamarrësve të vegjël mjete të vlefshme për të arritur suksesin e tyre”.
Drejtor Ekzekutiv i Fondit Besa, Bajram Mucaj deklaroi: “Kontributi ndaj fuqizimit të sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri qëndron në krye të prioriteteve të Fondit Besa dhe ne jemi shumë të lumtur të bashkëpunojmë me Fondin Evropian të Investimeve për zgjerimin e aksesit ndaj kredive për sektorin e agrobiznesit dhe sipërmarrësit e rinj”.
Mikro-bisneset që dëshirojnë të aplikojnë për një mikro-kredi në kuadrin e EaSI në Shqipëri mund ta bëjnë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet degëve të Fondit BESA.
Rreth Programit për Punësim dhe Inovacion Social
Programi i BE për skemën e Garancisë për Punësim dhe Inovacion Social është prezantuar në Qershor të vitit 2015 dhe financohet nga Komisioni Evropian si dhe menaxhohet nga Fondi Evropian i Investimeve. Në kuadër të EaSI, Komisioni Evropian mbështet mikrofinancën dhe sipërmarrjen sociale më një portofol total prej 193 milionë Euro për periudhën 2014-2020. Qëllimi është rritja e aksesit ndaj mikrofinancimeve për grupet më të dobëta të cilat dëshirojnë të krijojnë apo zhvillojnë bizneset dhe mikro-ndërmarrjet e tyre, nëpërmjet kredive deri në vlerën 25,000 Euro. Për më tepër, për herë të parë, Komisioni Evropian po ndihmon ndërmarrjet sociale nëpërmjet kredive deri në 500,000 Euro.
Rreth BESA
I themeluar në 1994, Fondi Besa sh.a. është një ndër institucionet mikrofinanciare jo-bankare më të mëdha në Shqipëri.
Klientët e fondit përfshijnë persona nga gjithë shtresat ekonomike dhe sociale, përfshirë të papunë dhe biznese të sapo nisura. Fondi BESA ofron të gjitha llojet e huave, përfshirë kredi konsumatore dhe hipotekare.
Shënim: Droni.al do të publikojë dittë në vijim procedurat dhe rrugën që duhet ndjekur për përfitimin e këtyre kredive