Luftë e re fjalësh SHBA-Rusi
Ministria e Jashtme ruse e ka bërë një goditje tjetër në një luftë edhe ashtu të pahijshme fjalësh me homologët e tyre amerikanë, duke e quajtur një ish-diplomat amerikan të paaftë dhe duke u ankuar se Uashingtoni iu ka bërë presion diplomatëve rusë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e njohur për qëndrimet e saj thumbuese, mbrëmjen e së martës ka bërë disa deklarata që edhe për të janë konsideruar tepër të pamatura.
Javëve të fundit, zyrtarët amerikanë janë ankuar se diplomatët e SHBA-ve në Moskë dhe në disa vende të tjera janë keqtrajtuar dhe janë mbajtur çdo herë e më shumë nën vëzhgim.
Zënka publike po ndodh në kohën kur marrëdhëniet ruso-amerikane konsiderohen në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të veprimeve ruse në Ukrainë, sanksioneve të vendosura ndaj njëra tjetrës dhe rritjes së planifikuar të pranisë së NATO-s në kufirin që aleanca ushtarake e ndan me Rusinë.
Gazeta amerikane, “The Washington Post” ka raportuar më 27 qershor se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka diskutuar çështjen e keqtrajtimit të diplomatëve me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Moskë në muajin mars.
Ndërkaq, Zakharova është ankuar në disa institucione amerikane ndërsa e ka përmendur veçanërisht Michael McFaul, i cili si ambasador amerikan në Moskë ka shërbyer prej vitit 2012 deri më 2014. McFaul është një nga diplomatët amerikan që në kuadër të raportit të “The Washington Post” është ankuar se është keqtrajtuar nga zyrtarët e sigurisë së Rusisë dhe është sulmuar nga gazetarët e televizionit shtetëror.
Zakharova e ka quajtur artikullin e gazetës amerikane si “gjysmë të gatuar”, ndërsa ka përmendur veçanërisht citatet e McFaul.
“Ne e kujtojmë paaftësinë profesionale të tij. Misioni diplomatik i McFaulit ka dështuar me goditje të rëndë”, ka thënë ajo gjatë një konference me media në Moskë dhe ka vazhduar: “Është e mundshme që përpjekjet e tij janë ato që kanë kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve bilaterale”.
Një nga zyrtarët amerikan së fundi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diplomatët amerikanë dhe familjet e tyre së fundi janë ndaluar më shpesh nga policia e trafikut, derisa janë përcjellë shumë më shpesh edhe nga agjentët e sigurisë së Rusisë.
“Ne do e ngrisim si çështje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në nivelet më të larta, çfarëdo incidenti që nuk ka lidhje me mbrojtjen për diplomatët që duhet ofruar sipas ligjit ndërkombëtar. Të njëjtës ne do i përgjigjemi në mënyrën e duhur, sipas ligjeve amerikane dhe atyre ndërkombëtare”, iu ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau, gazetarëve më 27 qershor.
Zakharova ndërkaq ka thënë: “SHBA-të çdo herë dalin me ndalesa të reja për diplomatët tanë, të cilët rregullisht përballen me provokime nga CIA dhe FBI-ja. Rregullisht ndërmerr masa të palejueshme, përfshirë presionin psikologjik edhe në prani të anëtarëve të familjeve të tyre. Disa raste kanë ndodhur edhe në prani të grave shtatzëna të diplomatëve tanë”.
McFaul, i cili tani ligjëron në Universitetin Stanford të Kalifornisë, nuk ka pranuar që të kthejë përgjigje kur është pyetur për këto deklarime, por ai deri diku është tallur me këto qëndrime ruse në rrjetin social, Twitter.
Një nga postimet e McFaul, shtron pyetje për deklarimet e Zakharovës: “Pse ajo është kaq e obsesionuar me mua?”