Në Rusi nënshkruhet deklarata për territorin neutral në Ballkan
Partia ruse në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka nënshkruar një deklaratë bashkëpunimi me përfaqësuesit e partive politike nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Bullgaria, me të cilën angazhohen për formimin e një territori neutral ushtarak në Ballkan.
Nënshkruesit e deklaratës, sipas një komunikate të publikuar nga partia Rusia e Bashkuar, potencojnë se në funksion të përpjekjeve për zvogëlimin e tensioneve ndërkombëtare, një rëndësi të veçantë për Evropën Juglindore paraqesin nismat e shumë politikanëve në Ballkan për formimin e territoreve neutrale të shteteve sovrane, ku do të ishin Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Deklarata, nga pala ruse është nënshkruar nga zyrtari i lartë, Sergej Zheleznjak, i cili e ka cilësuar atë si një ngjarje me rëndësi historike.
Përderisa Marko Gjuriq ishte nënshkrues nga Partia Përparimtare Serbe, që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq.
Zyrtarja e kësaj partie politike, Maria Obradoviq, thotë se çështjet ushtarake përmenden në deklaratë, por në një kontekst tjetër dhe nuk bëhet fjalë për neutralitetin ushtarak.
“Nuk qëndron teza e neutralitetit ushtarak dhe as formimit të territorit të ri”, thotë Obradoviq. Sipas saj, bëhet fjalë për një deklaratë e cila është në funksion të relaksimit të marrëdhënieve në Ballkan dhe Evropë.
“Kjo nuk është një marrëveshje ushtarake”, thotë Obradoviq, duke potencuar se ka një shpërputhje mes asaj që është nënshkruar dhe asaj që është publikuar si përmbajtje e deklaratës.
Megjithatë, Rusia e Bashkuar ka publikuar në faqen e vet të internetit se deklarata paraqet vullnetin e nënshkruesve që të krijohet një territor neutral në Ballkan. Ndërkaq potencohet edhe interesi i vendeve ballkanike për bashkëpunim ekonomik me shtetet e Federatës Euro-aziatike.
Ish-ambasadori Sreçko Gjukiq, tani anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se nënshkruese të deklaratës janë parti politike që kaherë kanë bashkëpunuar me Rusinë. Kriza, reformat e vonuara në Bashkimin Evropian, politikat e stërzgjatura të zgjerimit, të gjitha këto zhvillime, sipas tij, mund të sjellin një përpjekje të shtrirje së re ndikimit të politikës ruse.
“Këtë do ta shpjegoja si një përpjekje për të dalë nga kriza në Ballkan, ngase është e dukshme që përcaktimi i deritashëm për integrime euro-atlantike nuk i ka sjellë dobi rajonit”, thotë Gjukiq.
Sidoqoftë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë paralajmëruar me kohë që vonesat e Bashkimit Evropian që të trajtojnë Ballkanin si një territor që do të ketë perspektivë të qartë evropiane, do të mund të sjellin eventualisht alternativa dhe opsionet tjera, dhe një prej tyre është ajo ruse. (REL)