Sëmundjet e verës
Çdo stinë verë, nuk kalon pa shfaqur patologjitë e saj të zakonshme të njerëzit, por edhe të tilla të reja për çdo vit. Në këtë kuadër, kërkues e shkencëtarë të fushës së mjekësisë kanë studiuar rastet e sëmundjeve tipike që shfaqen nën të nxehtin e madh, duke dhënë këshillat përkatëse.
Sëmundjet që përkeqësohen më së shumti nga ekspozimi në diell janë ato të cilat lidhen me lëkurën, zemrën, tensionin, etj. Megjithatë, ato nuk janë të vetmet që ndikohen negativisht nga rrezet UV. Më poshtë do të njiheni me një listë të plotë të tyre në mënyrë që të tregoni më shumë kujdes për shëndetin tuaj në këtë drejtim.
Temperaturat e larta janë të rrezikshme për ata që marrin frymë me vështirësi, pasi ato e thajnë ajrin dhe e ashpërsojnë atë. Të gjithë ata që vuajnë prej kësaj sëmundjeje, sapo vjen stina e verës, nisin njëkohësisht edhe stinën e “vuajtjeve” të tyre. Prandaj, ekspertët japin këshillën kryesore ndaj këtyre pacientëve, që të mos dalin në asnjë mënyrë gjatë pikut të vapës në stinën e nxehtë të verës. Pasi ata rrezikohen të pësojnë atake të forta astmatike, të cilat mund t’i çojnë edhe drejt vdekjes. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se shkalla e lartë e lagështirës, shkakton probleme të mëdha në rrugët e frymëmarrjes si edhe në lëngjet e kockave. Viruset respiratore bëhen edhe më agresive në temperatura të larta. Astma bronkiale është një sëmundje alergjike e bronkeve dhe rrugëve të frymëmarrjes. Në pjesën më të madhe, në gati 80 për qind të rasteve, shkaqet përgjegjëse për shfaqjen e sëmundjes ndodhen në ajër dhe përcaktohen me anë të provave të alergjisë. Në një pjesë të vogël, gati në 20 për qind, sëmundja nuk ka shkaktarë përgjegjës të dukshëm. Por mund të ndodhë që faktorë shkaktarë të ndodhura në mjedisin e jashtëm ta shpërthejnë për herë të parë dhe ta ngacmojnë vazhdimisht sëmundjen gjatë ecurisë së saj në mënyrë të vazhdueshme. Përveç kësaj, të gjitha astmat bronkiale janë të njëjta për sa i përket mekanizmave që janë përgjegjës për ndryshimet që ndodhin në epitelin bronkial (mukozën që mbështjell bronket). Si rezultat, të gjitha astmat bronkiale janë sëmundje alergjike të rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktarët alergjikë në ajër më të shpeshtë janë mikroorganizmat, që ndodhen te pluhurat e shtëpisë dhe polenet e ndryshme. Por ajo mund të shkaktohet dhe nga substanca të ndryshme të prejardhura nga kafshët shtëpiake, mykrat e ambienteve të brendshme, por dhe të jashtme, alergjenët e tjerë që gjenden te ilaçet dhe ushqimet, viruset e ndryshme që kapin rrugët e frymëmarrjes (të ftohurat e zakonshme). Në faktorët e jashtëm futen dhe cilësia e ajrit si: lagështia, presioni atmosferik, tymrat dhe ndotësit e ndryshëm, faktorë këta që zënë një peshë të rëndësishme në rëndimin e gjendjes shëndetësore të astmatikëve.
Këshilla parandaluese
-Mbajini fëmijët në vende të ajrosura mirë
-Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit
-Eliminoni ambientet e pa ajrosura mirë dhe me myk
-Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç
-Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve
-Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve
-Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjentë
-Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve
-Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani
-Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan
-Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikmëri i rekomandimeve të tij
2. Dehidratimi
Dehidratimi i organizmit ndodh atëherë kur trupi nuk merr lëngje të mjaftueshme. Në stinën e verës si pasojë e temperaturave të larta pothuajse të gjithë njerëzit janë të rrezikuar nga dehidratimi.
Si luftohet dehidratimi në kohë të ngrohtë?
Uji duhet të jepet për të luftuar dehidratimin në mot të nxehtë apo të lagësht, pa marrë parasysh nivelin e aktivitetit. Pirja e ujit ndihmon për të ulur temperaturën e trupit dhe për të zëvendësuar lëngjet që humbasin nëpërmjet djersitjes.
Është mirë që të mbahet mend që pijet e tjera, si pijet e ngrohta, kafeja, ose pijet që përmbajnë alkool nuk e zëvendësojnë ujin.
Pijet sportive përmbajnë karbohidrate dhe elektrolite dhe janë të nevojshme nëse ushtrohemi në mot të ngrohtë. Zgjidhjet e rihidratimit oral, siç janë gastrolitet dhe hidrolitet janë gjithashtu të përshtatshme. Ato duhet të bëhen dhe të jepen në bazë të instruksioneve të prodhuesit. Fëmijët duhet të kurajohen që të pinë ujë përpara, gjatë dhe pas të ushtruarit, veçanërisht nëse koha është e ngrohtë.
Të ashtuquajturat “pije energjike” përmbajnë kafeinë dhe stimul-ues të tjerë dhe nuk janë lëngje të përshtatshme dehidratimi. Nëse jeni me dyshime, uji është opsioni më i preferueshëm në pjesën më të madhe të rasteve.
Parandalimi i dehidratimit gjatë kohës së ngrohtë
Është e rekomandueshme që gjatë kohës së nxehtë të konsumohet ujë edhe kur nuk kemi etje. Gjëra të tjera që mund të bëhen për të shmangur dehidratimin në kohë të nxehtë janë:
-Shmangni diellin në mesin e ditës – ushtrohuni ose bëni aktivitetet herët në mëngjes ose në darkë vonë;
-Vini një krem mbrojtës ndaj diellit dhe një kapele për të mbrojtur kokën, qafën, veshët dhe fytyrën. Djegia nga dielli ndalon ftohjen e trupit ashtu siç duhet;
-Vishni rroba të lehta – kjo lejon një ajrosje të mirë dhe shmangien e djersës; dhe
-Shmangni rrobat e errëta, pasi ato thithin më shumë nxehtësi sesa rrobat e lehta.
3. Tensioni i lartë i gjakut
Tensioni i lartë i gjakut është një sëmundje, që bëhet mjaft serioze gjatë stinës së verës. Me rritjen e temperaturës, sistemi kardiovaskular është i pari që preket, pasi aorta dhe venat e tjera ngushtohen dhe shkaktojnë probleme me shëndetin. Hipertensioni është një prej sëmundjeve shumë të rrezikshme gjatë periudhës së verës. Edhe më serioze sëmundja bëhet te personat që paralelisht vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ekspozimit në diell gjatë pikut të vapës, pasi mund të pësojnë infarkte ose kriza të rënda, që çojnë në humbjen e jetës. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore. Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit. Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme. Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre. Ekspozimi në diell në orët më të nxehta gjatë ditës, i personave që vuajnë nga hipertensioni dhe në veçanti i atyre që përveç saj vuajnë edhe nga sëmundje të zemrës, mund të shtojë rrezikun e e krizave dhe të infarktit.
Simptomat
-Hipertensioni zakonisht zhvillohet pa shumë ndërlikime, por në raste të tensionit të lartë paraqet këto simptoma:
-Dhimbje koke
-Marramendje
-Dhimbje dhe ndjenje rëndese në gjoks
-Pagjumësi
-Urinim i shpeshtë
-Etje e madhe
-Dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri.
-Rekomandime
-Humbisni peshën e tepërt
-Shëtisni
-Lini duhanin
-Kontrolloni stresin
-Mbani regjim të rregullt ushqimor
-Preferoni frutat dhe zarzavatet
-Rregulloni temperaturën e shtëpisë
4. Tromboza
Temperaturat e lartë gjatë stinës së verës bëhen shkak për shfaqjen e trombozave dhe ishemive. Për të parandaluar rrezikun e goditjeve nga dielli duhet të kihen parasysh rregullat dhe këshillat kryesore që japin mjekët. Ndërkohë që më të rrezikuarit nga temperaturat e larta janë të moshuarit, sidomos ata që kanë probleme me zemrën dhe fëmijët. Mjekët rekomandojnë të pini sa më shumë lëngje për të shmangur dehidratimin e organizmit, e për rrjedhojë, për të luftuar trombozat. Këshilla mbërrin nga kirurgët e shoqërisë italiane të kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare, që shpjegojnë se si me anë të djersës arrihet një përqendrim më i madh i rruazave të kuqe të gjakut dhe të trombociteve, duke shtuar rrezikun për shfaqjen e trombozave dhe ishemive te personat e predispozuar. “Patologjitë e vjetra zakonisht përkufizoheshin si ‘inspissatio sanguinis’”,- shpjegon Domenico Palombo, kirurg vaskular dhe predisent i Sicve. Sipas tij, te personat e predispozuar kjo gjendje favorizonte zhvillimin e trombozave venoze dhe arteriale. Faktorët predispozues përfaqësohen nga disa sëmundje hematologjike, si shtimi i trombociteve dhe ai i rruazave të kuqe të gjakut, për të kaluar te problemet që shfaqen me koagulimin, konjunktivitet e shkaktuar nga sëmundjet e imunitetit dhe tumorale. Në veçanti, trombozat arteriale janë më të fshehura. Janë të shumtë studimet që mbështesin rolin e “inspissatio sanguinis” në shfaqjen e këtyre trombozave. Kjo është arsyeja që gjatë kësaj periudhe të vitit kërkohet një kujdes i jashtëzakonshëm për parandalimin e këtyre problemeve. Nga analizimi i të dhënave të mbledhura nga rastet klinike të paraqitura ndër vite, ka rezultuar se ekziston një lidhje e ngushtë mes nxehtësisë dhe shtimit të numrit të rasteve me këtë patologji.
Rregullat antitrombozë
-Pini vazhdimisht ujë, deri në 2 litra në ditë, në mënyrë që të arrini ta bëni gjakun më fluid
-Nëse djersini shumë, përdorni përbërës të kripës
-Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta
-Mos praktikoni aktivitete fizike intensive, sidomos nëse dielli është i nxehtë
-Mos e teproni me ushqime dhe preferoni perimet, frutat dhe brumërat
-Për personat e predispozuar këshillohet përdorimi i antikoagulantëve, por gjithmonë nën rekomandimin e mjekut specialist.
5. Zemra në stinën e verës, këshillat e mjekëve
Zemra rrezikohet më shumë në stinën e verës. Mjekët janë të predispozuar të këshillojnë pacientët që të kujdesen më tepër për shëndetin e tyre në stinën e nxehtë. Për shkak të temperaturave të larta zemra është më e rrezikuar për të shfaqur probleme, sidomos te mosha e thyer. gjithë sëmundjeve të tjera.
Këshilla shmangur problemet kardiake gjatë stinës së verës
– Pini vazhdimisht ujë, deri në 2 litra në ditë, në mënyrë që të arrini ta bëni gjakun më fluid.
– Nëse djersini shumë, përdorni përbërës të kripës.
-Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta.
– Mos praktikoni aktivitete fizike intensive, sidomos nëse dielli është i nxehtë.
– Mos e teproni me ushqime dhe preferoni perimet, frutat dhe brumërat.
– Për personat e predispozuar këshillohet përdorimi i antikoagulantëve, por gjithmonë nën rekomandimin e mjekut specialist.
– Përpiquni të ruani të njëjtin racion ditor. Mund të tregoheni maniak, vetëm pas lëngjeve dhe frutave.
– Pini sa më shumë ujë natyral apo të gazuar. Këshillohet dhe pak limon ose mente, sipas preferencës.
– Përdorni sa më shumë sallata të freskëta me perimet e stinës, veçse përdorni sa më pak vaj.
– Në restorant, porosisni peshk ose mish me garniturë perimesh dhe në vend të makaronave merrni fruta deti.
– Hani sa më shumë fruta, por mos e privoni veten dhe nga akulloret.
– Lëvizni sa më shumë, bëni sa më shumë shëtitje, not dhe aktivitet fizik.
– Mos i lini pas dore lëngjet. Uji është ndihmësi më i mirë për t´i shpëtuar vapës, sepse vera është stina që than më tepër lëngjet e trupit.
– Pini sa më shumë edhe lëngje të tjera natyrale (qumësht, çaj, lëng supe).
– Shmangni ushqimet e rënda dhe hani sa më shumë perime, sallata dhe fruta. Lajini me kujdes .
– Dilni sa më pak në diell mes orëve 10.00-16.00. Është mirë që të sëmurët me tension, fëmijët dhe të moshuarit të mos dalin fare jashtë në këto orare.
– Mbani sa më shpesh kapele dhe syze dielli.
– Vishni rroba të lehta dhe të pambukta, që t’ju pinë djersën.
Dieta
-Përdorni një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra, peshk që mbrojnë zemrën.
-Limitoni konsumimin e yndyrave, si mish, djathë, gjalpë, qumësht. Përdorni fasulet dhe thjerrëzat në vend të mishit.
-Frutat dhe perimet janë parandaluesit kryesorë jo vetëm të sëmundjeve të zemrës por edhe të kancerit, shprehet kardiologët. Ruani peshën normale. Mbipesha është e rrezikshme.
-Bëni rregullisht ekzaminime.
-Presioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli i lartë dobësojnë sistemin kardiovaskular, duke përfshirë dhe zemrën.
6. Diabetikët: Dielli sa jetik dhe me rrezik për jetën
Diabeti apo sëmundja e sheqerit siç njihet në gjuhën e popullit po njeh rritje të rasteve në vitet e fundit. Është ndër të paktat sëmundje që arrin të prekë në heshtje të gjitha organet kryesorë të trupit duke çuar shpesh edhe në humbje të kontrollit. Kjo gjendje agravohet më tepër gjatë verës. Ndodh shpesh që diabetiku të mos jetë i vetëdijshëm, të paraqitet pa ndjenja në ambiente plazhi, hoteli apo në rrugë. Kjo periudhë konsiderohet si stina më e vështirë e përshtatshmërisë së organizmit tonë, e në veçanti kur termometri shënon rreth 40 gradë, ndaj në këto momente edhe komplikacionet e diabetit rëndohen shumë, madje duke rrezikuar dhe jetën. Më poshtë do të gjeni këshillat se si një person diabetik të kalojë një verë sa më të shëndetshme dhe të sigurt, të shijojë stinën e verës pa patur frikën e komplikacioneve që mund të shfaqen nga momenti në moment.
Cilat janë gjërat që duhet të kenë parasysh diabetikët në ditët e nxehta?
Kujdesi i parë që duhet të tregojnë diabetikët gjatë kësaj stine është të përshtaten me temperaturat e larta, domethënë ta menaxhojnë mirë këtë stinë me të mirat dhe të këqijat e saj. Të sëmurët diabetikë nuk duhet të ekspozohen gjatë në diell, kryesisht duhet të mënjanojnë daljen në diell nga ora 10:00 paradite deri në orën 16:00 pasdite.
Në orët e para të mëngjesit dhe në orët e vona të darkës, u sugjerohet të bëjnë lëvizje në natyrë, duhet të jenë të veshur hollë, kryesisht veshje të pambukta që të thithin djersën dhe të sigurojnë ajrosje të mirë të lëkurës.
Të sëmurët gjatë kësaj periudhe duhet të veshin këpucë apo sandale të hapura, me gome jo të forta, mundësisht pa çorape në mënyrë që të kenë një ajrosje të mirë të këmbëve dhe të mbrohen nga dëmtimet e jashtme si plagë, kallo etj. Kujdes të veçantë duhet të bëjnë kur ecin mbi rërën e detit sidomos gjatë pikut të nxehtësisë sepse mund të digjen pa e kuptuar, për shkak të dëmtimeve të nervave që shpesh diabetikët manifestojnë dëmtime të ndjeshmërisë.
Sërish për t’u përshtatur me temperaturat e larta, diabetikët duhet të qëndrojnë në ambiente të ajrosura mirë, të freskëta dhe duhet të kryejnë një aktivitet fizik relativisht të moderuar që nënkupton një ulje të intensitetit të ushtrimeve fizike dhe programimin e këtij aktiviteti fizik në orare të përshtatshme kryesisht jo gjatë mesditës.
Këshillat për një person që vuan nga diabeti
Klima malore është më e këshillueshme se sa ajo bregdetare. Temperaturat konsiderohen si të rrezikshme kur kalojnë vlerën 38 `C, ndaj kur termometri shënon vlera të tilla të sëmurët diabetikë duhet të gjenden në banesë apo në ambiente të mbyllura pushimi.
Ekspozimi në diell është i domosdoshëm për jetën e gjithë secilit, sepse nëpërmjet këtij ekspozimi ne sigurojmë vlera të mjaftueshme të vitaminës D. Ka shumë studime që tregojnë që vitamina D gjendet në vlera shumë të ulura te diabetikët, madje ndikon drejtpërdrejt në ndjekjen e diabetikëve, mjekimin e tyre, ndaj këto të sëmurë duhet të shfrytëzojnë oraret e pranueshme të ekspozimit në diell. Do preferoheshin 20-30 minuta ekspozim në mëngjes dhe 10-20 minuta ekspozim pas dreke vonë.
Këshillat për diabetikët që e duan shumë plazhin
Ajo çka duhet pasur më tepër kujdes janë komplikacionet e zemrës dhe enëve të gjakut, të cilat hasen më shpesh në këtë periudhë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që çdo diabetik të marrë konsultimet përkatëse me mjekun që e kuron por edhe me kardiologun për të marrë këshillat dhe mjekimet e duhura për sëmundjet e zemrës etj.
Hipertensioni apo shtypja e lartë e gjakut është sëmundja më e shpeshtë që haset te diabetikët apo është konsideruar si binjaku në hije i diabetit, kërkon trajtim të veçantë gjatë kësaj periudhe, si rregull duhet të ulen pak dozat e mjekimit për hipertension për shkak të enë zgjerimit dhe uljes së volumit qarkullues të gjakut. Rëndësi të madhe në mbajtjen normal të presionit arterial ka marrja në vlera normale të kripës.
Djegiet e lëkurës, kanë një specifikë tek të sëmurët diabetikë?
Lëkura organi që ekspozohet në diell mbetet organi më delikat dhe më vunerabël gjatë kësaj stine. Dëmtimet e lëkurës mund të variojnë nga irritime të lehta, djegie të shkallëve të ndryshme, plagë dhe infeksione të ndryshme të saj.
Infeksionet dhe plagët duhet të mjekohen me urgjencë te diabetikët sepse mund të komplikohen me sëmundje më të rënda dhe stimulojnë ç’balancim të shumë sistemeve dhe mbi të gjitha përkeqësojnë diabetin. Për të parandaluar këto dëmtime të lëkurës të sëmurët duhet të përdorin çdo ditë kremra mbrojtës me faktor të lartë mbi 30, duhet të qëndrojnë në hije, duhet të lahen në pishina, liqene apo ujëra të deteve të pastra
-Gjithsesi, 1-2 herë në ditë duhet të bëjnë banjë të rregullt me ujë të ëmbël dhe me temperatura jo larta. Kujdes të veçantë duhet të bëjë diabetikët për të mbrojtur sytë, meqenëse këta të fundit janë objekte shumë të preferuara për t’u dëmtuar nga diabeti.
7. Hemorragjia cerebrale
Në kushtet normale djersa që nxjerrim gjatë motit të nxehtë na mban të freskët kur ajo avullohet nga sipërfaqja e lëkurës. Megjithatë, në ditët jashtëzakonisht të nxehta, ose kur e ushtrojmë trupin më shumë se ç’duhet, ky sistem mund të mos funksionojë dhe temperaturat e trupit mund të rriten në nivele shumë të rrezikshme. Kjo çon në hemorragji cerebrale.
Hemorragjia cerebrale është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe paaftësive. Por në ç’mënyrë mund të parandalohet kjo sëmundje? Për përgjigjen e kësaj pyetjeje janë zhvilluar një sërë studimesh dhe shumë prej tyre rekomandojnë ilaçe të ndryshme. Por pyetja që tani shtrohet është sesa njihen këto ilaçe dhe mënyra të reja nga personeli mjekësor në klinika e spitale. Në këtë kuadër, kohët e fundit u botua një analizë shkencore e cila mori në shqyrtim mbi 400 studime të kryera mbi hemorragjinë cerebrale. Përfundimet e analizës lënë të kuptohet se personat e prekur nga hemorragjia cerebral-e nuk kanë qenë në gjendje që të marrin trajtimin e duhur mjekësor, pasi në shumë raste personeli mjekësor nuk ka dijeni rreth mënyrave të reja të efektshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Shkencëtarët shqyrtuan me kujdes afërsisht 400 raste me hemorragji cerebrale dhe vunë re se në disa klinika, pacientëve të moshuar u ishin mohuar ilaçet kundër koagulim-it të gjakut, që janë provuar si parandalues të efektshëm të hemorragjisë cerebrale tek personat që vuajnë nga aritmi-a e zemrës. Këto ilaçe nuk u jepeshin të moshuarve, pasi personeli mjekësor shqetësohej se ilaçi kundër koagulimit mund të shkaktonte hemorragji nëse pacienti pa dashje rrëzohej. Por, kërkimet e hershme kanë treguar se ky lloj trajtimi nuk shkakton asnjë problem tek të moshuarit. Ekspertët thonë se të kesh ilaçin e të mos dish ta përdorësh është njësoj si të mos e kesh, prandaj u bëjnë thirrje mjekëve dhe të gjithë personelit mjekësor që t’u kushtojnë më shumë vëmendje arritjeve të reja në këtë fushë e t’i vënë ato në zbatim.
Problemet e lidhura me këtë gjendje
Më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë njerëzit që kanë probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Për këta të sëmurë, mjekët rekomandojnë që të evitohet sa më shumë ekspozimi ndaj diellit, sidomos në orët më të nxehta të ditës. Temperaturat e larta bëhen shkak për rritjen e presionit të gjakut. Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme tek gratë janë:
-Pilulat kontraceptive;
-Pirja e duhanit;
-Mbipesha;
-Migrena (migrenë);
Nëse këta katër faktorë do të puqeshin së bashku, rreziku për një hemorragji cerebrale do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës.
Diagnostikimi
Hemorragjia cerebrale ose infarkt-i trurit, kryesisht ndodh në moshat mbi 60 vjeç, por njihen raste edhe në moshat e reja. Shenjat kryesore që i sëmuri paraqet janë:
-Nuk flet (nuk mund të shqiptojë dot asnjë fjalë), ose nuk i kuptohen fjalët (belbëzon);
-Nuk lëviz gjymtyrët (dorën ose këmbën);
-Urinon në mënyrë të pavullnetshme;
-Të dridhura të pjesshme ose në të gjithë trupin;
-Të vjella.
Në këtë situatë nëse i sëmuri ka të vjella është mirë që të bëhet kthimi i kokës në anën e majtë me qëllim që të mos bllokohen rrugët e frymëmarrjes dhe të hiqen protezat kur ato janë. Kur i sëmuri ankohet për të vjella, dhimbje koke, të dridhura, çrregullime të tensionit dhe të ritmit të zemrës, duhet patjetër të bëjë vizitë mjekësore për t’i paraprirë paralizë-s. Të kontrollohet rregullisht tensioni tek të sëmurët me tension të lartë, sidomos tek ata me trashëgimi familjare të sëmundjes dhe të mos abuzohet me mjekimin. Një mjekim i rregullt i tensionit të lartë të gjaku-t dhe i çrregullimeve të ritmit të zemrës do të parandalonte një situatë të tillë.
8. Të fiktit
Gjendja e të fiktit ose Lipotomia karakterizohet nga humbja e papritur e vetëdijes. Arsyeja e shfaqjes së saj është ulja e presionit të gjakut, për shkak të zgjerimit të enëve periferike, me pasojë uljen e presionit të gjakut dhe mosfurnizimin sa duhet me gjak i trurit. Gjendja e të fiktit mund të parandalohet nëse me shfaqjen e shenjave të para: marrje mendsh, djersë të ftohta, probleme me shikimin dhe tharje të gojës, pacienti qëndron shtrirë, merr lëngje dhe qëndron në vende të freskëta. Lipotimia është ulja e tensionit të gjakut në shifra poshtë 60 mmHg. Shkaqet janë: sëmundjet e gjakut, sëmundjet e zemrës, stresi nervor. Ndërsa shenjat janë: djersë në të gjithë trupin, dobësi e menjëhershme sa i sëmuri gati rrëzohet, humbje e ngjyrës së lëkurës etj. Në këto raste i sëmuri duhet të shtrihet dhe ti ngrihen këmbët më lartë se sa koka duke i vendosur disa jastëkë ose duke përdorur diçka tjetër për momentin. Në qoftë se i sëmuri fillon ta marri veten mund ti bëni një kafe. Mjekët këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve pa përmbajtje kafeine, alkooli dhe sheqeri; qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar; banja të shpeshta me ujë të vakët; veshje me rroba të lehta me ngjyra të hapura dhe daljen në orët e mëngjesit e të mbrëmjes. Shqetësimet e para të vapës shfaqen menjëherë pas ekspozimit në diell të kokës dhe qafës, kur janë të pambrojtura, duke shkaktuar sipas mjekëve, dhimbje koke shumë të forta, skuqje të fytyrës, dhimbje të syve, humbje ndjenjash, konvulsione, shqetësime nervore dhe jo rrallë vdekjen.
Këshillat
-Evitimi i daljeve në orët e pikut, këtu duhet pasur parasysh 10 paradite deri në 15-16 pasdite
-Përdorimi i lëngjeve, i ujit në radhë të parë dhe i lëngjeve që vjen nga frutat e freskëta
-Po kështu është më se i nevojshëm edhe përdorimi i perimeve të stinës
-Të eliminohet përdorimi i lëngjeve që përmbajnë sheqer dhe kafeinë
-Ndërsa për sa i përket ushqimit duhet të eliminohen yndyrat dhe të konsumohen perimet
-Të tregohet kujdes me higjienën nevojitet rritja e saj
-Nevojitet shmangia e mjediseve të ndotura
-Është e domosdoshme evitimi i ujit të depozitave
9. Goditja nga nxehtësia dhe lodhja nga nxehtësia
Sëmundjet e nxehtësisë si goditja nga nxehtësia dhe lodhja nga nxehtësia ndodhin kur trupi nuk ftohet vetë. Nëse temperaturat e ajrit rriten ose nëse bëni ushtrime, trupi ftohet duke prodhuar djersë që avullon. Në ditë të nxehta dhe me lagështirë, ndiheni jo mirë sepse avullimi i djersës është i ulët nga rritja e lagështirës në ajër.
Kur ekspozoheni në temperatura të larta dhe lagështirë për një kohë të gjatë sistemi natyror i ftohjes mbilodhet. Ju nuk jeni të aftë që të prodhoni më shumë djersë për të ftohur trupin dhe lagështira e lartë ndalon avullimin e djersës. Kjo çon në sëmundjet e nxehtësisë. Sëmundjet e nxehtësisë që quhen edhe goditje nga dielli mund të ndodhin edhe nëse nuk ekspozoheni në diell.
Kush preket nga goditjet nga nxehtësia?
Kushdo mund të preket nga sëmundjet e nxehtësisë. Bebet, fëmijët, të moshuarit janë më të prekur. Mund të prekeni sidomos nëse keni gjendje të tilla si astmë, diabet, shtatzëni, kondicione zemre, epilepsi, mbipeshë ose obezitet. Disa ilaçe, droga ilegale dhe alkool-i mund të shtojnë rrezikun. Sëmundjet e nxehtësisë mund të zhvillohen edhe tek të rinjtë e shëndetshëm nëse ata kryejnë ushtrime fizike të rënda gjatë motit të nxehtë.
Cilat janë simptomat e lodhjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia?
Simptomat më të zakonshme të lodhjes nga nxehtësia janë dhimbje koke, marrje mendsh, dobësi muskujsh ose ngërç muskulor, të përziera dhe të vjella. Mund të keni puls të dobët, të shpejtë dhe frymëmarrja mund të jetë e shpejtë.
Lodhja nga nxehtësia mund të përshkallëzohet deri në goditje nga nxehtësia që mund të jetë kërcënuese për jetën. Në goditjen nga nxehtësia sistemet e trupit që rregullojnë temperaturën dështojnë. Lëkura bëhet e ngrohtë dhe e thatë (por mund të jetë me djersë nëse personi është duke bërë ushtrime fizike) dhe personi mund të bëhet konfuz dhe të humbasë ndjenjat.
Në goditjen nga nxehtësia temperatura e trupit rritet shpejt dhe mund të arrijë deri në 42° C në 10–15 minuta. Nëse nuk trajtohet urgjentisht, mund të shkaktojë vdekjen ose paaftësinë e përkohshme.
Çfarë është temperatura “e përafërt”?
Shumë parashikime moti përfshijnë edhe temperaturën “e përafërt” ose “të mundshme” si dhe temperaturën e ajrit. Këto lloj temperaturash janë matës se si do të jetë përafërsisht temperatura dhe se si do jetë ajo në raport me lagështirën ajrore dhe temperaturën e ajrit. Është një indikator i stresit të nxehtësisë. Në mot me lagështirë temperatura “e përafërt” është më e lartë se temperatura e ajrit. Kjo lloj temperature jepet për personat që rrinë në hije. Në diell ajo mund të jetë më e lartë – ndoshta edhe 8° C më shumë, sidomos kur dielli është në pikën më të lartë.
Sipas Mjekësisë Sportive, ka një rrezik të madh nga sëmundjet e nxehtësisë kur temperatura e ajrit arrin në 31° C me 50% lagështirë ajrore (temperatura e përafërt është 35° C). Rreziku është ekstrem në temperaturë ajrore 36° C me 30% lagështirë ajrore (temperatura e përafërt është 38° C). Sëmundjet e nxehtësisë mund të shfaqen edhe në temperaturë më të ulët nëse ekzistojnë kondicione që rritin ndjeshmërinë.
Si mund të parandalohen sëmundjet e nxehtësisë?
-Qëndroni brenda në zona me ajër të kondicionuar;
-Pini shumë ujë përpara se të filloni ndonjë aktivitet në natyrë. Pini shumë ujë gjatë gjithë ditës;
-Pini më pak çaj, kafe dhe pije alkoolike sepse këto kontribuojnë në dehidratimin e trupit;
-Vishni rroba të lehta me ngjyra të çelura dhe të prodhuara me copa që lejojnë avullimin e djersës;
-Mbroni veten nga dielli duke mbajtur kapele dhe çadër;
Shtojeni kohën që shpenzoni në aktivitete ngadalë dhe gradualisht;
-Programojini aktivitetet që bëni jashtë në ditët me temperaturë të ulët;
-Përpiquni që të evitoni qëndrimin jashtë në kohën e nxehtë të ditës: 10.00 – 14.00;
-Gjatë aktiviteteve jashtë bëni pushime të shpeshta dhe pini ujë ose lëngje të tjera çdo 15-20 minuta, edhe pse mund të mos ndjeni etje. -Nëse keni urinë të pastër, në ngjyrë të çelët, do të thotë se jeni duke pirë mjaftueshëm lëngje. Lëngjet ndihmojnë që trupi të kontrollojë temperaturën, por kujdes se sëmundjet e nxehtësisë përsëri mund të ndodhin edhe pse keni pirë mjaftueshëm lëngje;
-Nëse keni probleme mjekësore kronike takoni mjekun dhe bisedoni me të në lidhje me marrjen e lëngjeve .
Çfarë duhet të bëj nëse kam shenja të sëmundjes së nxehtësisë?
Shkoni menjëherë në një zonë me hije dhe të freskët. Shtrihuni dhe këmbët mbajini më lart sesa koka. Çlirohuni nga veshjet që ju shtrëngojnë, lageni trupin me një sfungjer me ujë të vakët dhe qetësoni lëkurën me të. Merrni ujë ose lëngje të tjera ngadalë e me gllënjka.
Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse keni shenjat e mëposhtme:
-Lëkurë të ngrohtë, të thatë, por jo me djersë;
-Konfuzion ose humbje të koshiencës;
-Të vjella të shpeshta;
-Frymëmarrje të shpeshtë;
-Puls të shpejtë dhe të fortë;
-Temperaturë trupi mbi 38.9° C.
10. Helmimet ushqimore
Stina e verës dhe temperaturat e larta që e shoqërojnë atë, shtojnë rastet e helmimeve ushqimore. Pasojat janë dehidrim deri në toksikacione të shkallës së rëndë, shpesh serioze dhe për jetën e pacientit. Sëmundjet diarreike akute shkaktohen nga agjentë patogjenë, si baktere, viruse ose protozoarë dhe mund të zhvillohen si shqetësime të lehta të zorrëve e deri në sëmundje të rrufeshme, që vënë në rrezik jetën. Dekadat e fundit është arritur veçimi i agjentëve etiologjikë specifikë dhe numri i tyre vjen duke u shtuar. Disa nga shkaktarët e sëmundjeve diarreike dhe helmimeve ushqimore janë disa mikrobe dhe viruse. (Të tilla janë escherichia coli enterotoksigjene, clostridium perfingensm staphylococus aureusm. Viruset coxsackie, viruset echo dhe rotaviruset, etj). Shkaktarët ndodhen në ajër, ujë dhe ushqime të kontaminuara, kafshë shtëpiake dhe të egra bartëse të këtyre mikrobeve, njerëz të sëmurë, ose bartës të tyre. Insektet mund të jetë transportues pasivë, sidomos për viruset. Periudha më e favorshme për përhapjen e tyre është stina e verës dhe sidomos periudha korrik-tetor.
Këto lloj infeksionesh gati gjithmonë merren nga goja, zakonisht nga gëlltitja e ushqimit ose pijeve të helmuara. Çdo prodhim ushqimor është një burim potencial për infektimin e njeriut. Trajtimi është i lidhur ngushtë me stadin e sëmundjes dhe llojin e mikrobit. Zëvendësimi i lëngjeve dhe kripërave minerale është kushti i parë. Në format e lehta dhe kur nuk ka të vjella, marrja bëhet nga goja. Në format më të rënda, me temperaturë, të vjella të shumta, diarre dhe dhimbje barku, mjekimi bëhet intravenoz me perfuzione (serume) që mund të arrijnë disa litra në 24 orë, elektrolit, kortikoid dhe antibiotikë. Duhet theksuar që jo çdo helmim kërkon përdorim antibiotikësh. Antibiotikët e përdorur pa kriter mund të zgjasin e sëmundjes. Vera e kuqe është aleate kundër helmimeve, që shkaktohen si nga bimët ashtu dhe nga mishrat. E vetmja mënyrë për të parandaluar helmimet ushqimore është zbatimi i rregullave higjienike dhe teknologjike në përgatitjen e ushqimit. Mbrojtësja më e rëndësishme është higjiena vetjake. Duhet të tregohet mjaft kujdes në restorante, fast-foode dhe në konsumimin apo përgatitjen e prodhimeve të detit.