Shansi i dytë i Amerikës me Indinë
Diplomatët dhe ekspertët e sigurisë në Azi dhe më tutje po shikojnë me vëmendje ngjarjen e vizitës së Kryeministrit të Indisë Narendra Modi në Shtetet e Bashkuara. Dhe kanë arsye për ta bërë këtë: riafrimi i shpejtë mes dy demokracive më të mëdha të botës mund t’i japë formë botës së të ardhmes
Kryeministri i Indisë Narendra Modi vizitoi Uashingtonin në qershor por vizita e tij mori shumë pak vëmendje nga publiku i gjerë jashtë Indisë. Megjithatë diplomatë dhe ekspertë ushtarakë në Azi dhe më gjerë po shikojnë me vëmendje ngjarjen. Dhe për arsye të mirë: riafrimi mes dy vendeve demokratike dhe me popullsi të mëdha mund t’i japë formë botës së të ardhmes.
Ia vlen të vërejmë se në fjalën e tij para Kongresit të SHBA-ve, Modi përdori fjalët “partner” dhe “parneritet” jo më pak se 15 herë. Deklarata zyrtare e përbashkët e publikuar nga të dy qeveritë e përshkruan Indinë si një “partner i rëndësishëm për mbrojtjen” e Shteteve të Bashkuara, vend i përshtatshëm për të marrë teknologji të përparuara me aplikime ushtarake.
Marrëdhënia mes Indisë dhe SHBA-së ka evoluar nga një distancë e frohtë se afërsia strategjike brenda një gjenerate – një shpejtësi rufe kjo për gjeopolitikën. Faktorët që kanë shkaktuar këtë ndryshim meritojnë vëmendje, për shkak se shumë prej tyre ka gjasa do të vijojnë t’i afrojnë këto dy vende.
Fundi i Luftës së Ftohtë është një pjesë e rëndësishme e këtij riafrimi bilateral, për shkak se ajo eliminoi mundësinë e vijimit të miqësisë së Indisë me Bashkimin Sovietik si dhe shpërbëri racionalitetin e përqafimit të politikës së vendit të paangazhuar.
Një faktor i dytë është Pakistani. Për një kohë të gjatë, SHBA-të ndoqën një politikë të paanëshme në lidhje me dy nga vendet më të rëndësishme strategjike të Azisë së Jugut. Pavarësisht kësaj, përgjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, Pakistani shihej si një vend mik ndërsa rivali i madh i Pakistanit, India, shihej si vend i vështirë. Ky këndvështrim u përforcua kur Pakistani u bë rruga thelbësore e dërgimit të armëve në Afganistan për të luftuar pushtimin sovjetik të këtij vendi.
Por lidhja mes SHBA-së dhe Pakistanit u dobësua kur forcat sovjetike u tërhoqën nga Afganistani më 189. Marrëdhëniet vuajtën edhe më tej nga zhvillimi i armëve bërthamore nga Pakistani, ndihma që Pakistani i dha Talebanëve dhe gadishmërisë së Pakistanit për të strehuar disa nga terroristët më të rrezikshëm të botës, përfshirë Osama bin Laden. Për rrjedhojë, lidhjet e SHBA-së me Indinë nuk qenë më të kufizuara nga frika e komplikimit të marrëdhënieve me Pakistanin.
Kina po frymëzon gjithashtu përmirësim në lidhjet mes Indisë dhe SHBA-së. Arsyeja është shumë më tepër themelore se sa fakti që India dhe Kina kanë ende një mosmarrëveshje territoriale. Ngritja e Kinës përbën një arsye të fortë për vendet me një interes në Azi për të rritur bashkëpunimin e vet me SHBA, si dhe me vendet e tjera fqinje, për t’u siguruar që ata mund t’i bëjnë ballë fuqisë politike, ushtarake dhe ekonomike të Kinës.
Politika e brendshme ka ndikuar gjithashtu në zhvillimet në këtë marrëdhënie – në të dyja palët. Rënia e Partisë së Kongresit të Indisë ka reduktuar ndikimin e forcës politike që pati krijuar platformën e ruajtjes së distancës nga SHBA. Ndërkohë, tashmë ka më shumë se 3 milionë indianë në Amerikë dhe, si shumë popullsi të tjera emigrantësh, ata janë bërë gjithnjë e më të fuqishëm e të rëndësishëm. Mbështetja e lidhjeve më të ngushta me Indinë është bërë së fundmi një shembull i rrallë i politikës së jashtme bipartizane në SHBA dhe mund të pritet se do të vijojë pavarësisht se cila parti e kontrollon Shtëpinë e Bardhë apo Kongresin pas zgjedhjeve të nëntorit.
Ndryshimi i madh në lidhjet dypalëshe ndodhi një dekadë më parë, kur SHBA-të hoqën sanksionet e vendosura pas programit bërthamor të Indisë dhe më pas nënshkruan një marrëveshje për t’i hapur rrugë angazhimit të SHBA-së në programin e Indisë për energji bërthamore për qëllime civile. India, ndryshe nga Pakistani apo nga Koreja e Veriut, shihet si një fuqi bërthamore e përgjegjshme, një vend për të cilin SHBA tashmë mbështet anëtarësimin në grupime të ndryshme që synojnë të pengojnë përhapjen e mëtejshme të materjaleve bërthamore dhe të armëve.
Lidhjet ekonomike po rriten gjithashtu, krahas ekonomisë së Indisë. Tregtia dypalëshe është rritur në më shumë se 100 miliardë dollarë në vit. Vizitat e ndërsjellta të nivelit të lartë janë bërë të zakonshme. Lidhjet më të ngushta ekonomike dhe bashkëpunimi në shkallë të gjerë mbi energjinë e pastër janë prioritet i lartë. Mundet gjithashtu të parashikohet një bashkëpunim më i lartë mes të dy vendeve në çështje të ushtrisë dhe të shërbimeve sekrete.
Në të vërtetë, përpjekjet e përbashkëta për ta mbajtur Oqeanin Indian të hapur dhe të sigurt janë sakaq një realitet. SHBA-të dhe India nuk ka nevojë të jenë aleatë formalë në marrëdhënien e tyre pasi edhe niveli aktual i bashkëpunimit ka efektin e dëshiruar në llogaritjet strategjike të Kinës.
Sfidat mbeten, natyrisht. Burrokracia, korrupsioni dhe infrastruktura e keqe vijojnë të mbajnë pas ekonominë e Indisë. Udhëheqësit e Indisë duhet të jenë të kujdesshëm të mos bëjnë apo thonë gjëra që mund të alineojnë minoritetin e madh të myslimanëve të këtij vendi. Ata duhet gjithashtu të sigurohen se lidhjet e ngushta me SHBA-të nuk janë thjeshtë politikë e një kryeministri apo një partie. Kjo do të thotë se Partia e Kongresit do të duhet të përfshihet tërësisht në proces për të kapërcyer rezistencën nga zyrtarët e karierës ndaj mënyrave të reja të të menduarit dhe të vepruarit.
Është e vështirë të mos e vëresh ironinë në shumë elementë këtu. Më shumë se gjysmë shekulli më parë, në vitet e para të Luftës së Ftohtë, shumë në Uashington panë Indinë si një model potencial për zhvillim politik dhe ekonomik jo-komunist. Për shumë arsye, gjërat nuk ecën në këtë mënyrë dhe India u bë ekonomikisht statist, për një periudhë politikisht autoritar dhe gjeopolitikisht më afër Bashkimit Sovjetik se sa SHBA-së.
Tashmë, gjithsesi, India po shfaqet si një shembull i suksesshëm i demokracisë me ekonomi tregu dhe me lidhje të ngushta me SHBA-në. Shanset e dyta janë të rralla në jetë, por si India ashtu edhe SHBA po marrin pikërisht diçka të tillë, një shans të dytë.
—————-
Richard N. Haass
Richard N. Haass, president i Këshillit mbi Marrëdhëniet e Huaja, ka shërbyer si drejtor i planifikimit të politikave për Departamentin e Shtetit (2001-2003) dhe ishte i dërguari special i presidentit George W. Bush në Irlandën Veriore dhe Koordinator për të Ardhmen në Afganistan. Libri i tij më i ri është Foreign Policy Begins at Home: The Case for Putting America’s House in Order.