Albspirit

Media/News/Publishing

Spanjë: Kush do ta mbështesë Rajoy-n?

Në Spanjë partitë analizuan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhësit spanjollë i dhuruan papritur një rezultat të mirë kryeministrit konservator, Rajoy. Por formimi i qeverisë nuk do të jetë më i lehtë për të.

Spanje Madrid kryeministri Mariano Rajoy

Njeriu i ditës është Mariano Rajoy. Ai del para shtypit, pas një mbledhjeje të kryesisë së partisë. Sytë i janë zvogëluar, me sa duket ka fjetur pak. “Qytetarët na thanë, atë që na patën thënë në dhjetor: shkëmbehuni me njëri-tjetrin, flisni me njëri-tjetrin dhe merruni vesh! Partia Popullore është edhe më tej e gatshme për këtë. ” Rajoy shtoi se “Spanja ka nevojë tani për një qeveri të fortë, e cila të gëzojë besim brenda dhe jashtë vendit, që të sjellë stabilitet në Evropë – gjë që pikërisht tani është kaq e rëndësishme”.

Por krerët e partive i kanë këmbyer mendimet dhe kanë folur me njëri-tjetrin tashmë: për muaj me radhë – pa rezultat. Rajoy-n kjo nuk e dëmtoi, përkundrazi: këtë herë janë më shumë spanjollë që i kanë dhuruar besim atij. Por nëse këtë besim atij do t’ia dhurojnë edhe politikanë të partive të tjera, kjo është e diskutueshme. Zëdhënësi i socialistëve, Antonio Hernando e bëri të qartë pozicionin e partisë së tij. “Ne nuk do ta mbështesim zotin Rajoy, kur të dojë të zgjidhet. Ne as nuk do të abstenojmë. Zoti Rajoy duhet të kërkojë vetë mbështetje te aleatët e tij, për të arritur të zgjidhet.”

Problemi është Rajoy vetë

Një koalicion i madh me Mariano Rajoy është për socialistët një gjë e pamundur. As Albert Riviera, prej liberalëve Ciudadanos nuk do të hyjë në qeveri me Rajoy. Këtë ai e bëri të qartë sërish të hënën.

Rajoy është i lidhur shumë ngushtë me skandalet e korrupsionit të partisë së tij, shumë e thellë është antipatia kundër kryetarit të konservatorëve. Në fakt duket se para së gjithash është personi Rajoy ai që e pengon dakordimin. Casimiro Garcia, analist politik nga Madridi është i qartë.

“Po të varet vetëm nga personi i tij, që Spanja të ketë një qeveri të fortë dhe të qendrueshme, atëherë Rajoy do të japë dorëheqjen. Për këtë unë vë bast! Një koalicion i madh mua më duket më i mundur se gjashtë muaj më parë. Por çelësi është Rajoy.” Vetë Rajoy u pozicionua të martën (28.06.) për pyetjen, nëse e përfytyron ai që në rast nevoje të hapë rrugën për të tjerët. “Partia Popullore mori tetë milionë vota dhe 50 vende më shumë se forca e dytë politike në Parlament. Ne do të flasim me partitë e tjera. Por do të ishte kryetari i parë në histori, që fiton një zgjedhje dhe të cilit të tjerët i kërkojnë pastaj që të largohet,” tha ai.

Rajoy nuk i zbulon kartat. Ai ka nevojë që të mos e tregojë masën e negociueshme për të në bisedat e ardhshme. Këto biseda testimi pritet të jenë të vështira dhe të zgjasin deri vonë në verë. Politikanët do të negociojnë në kryeqytet deri sa të gjendet një zgjidhje. Sepse zgjedhje të treta – këtë e premtuan kandidatët kryesorë të të gjitha partive – nuk do të ketë.

Please follow and like us: