Albspirit

Media/News/Publishing

Tryezë shqiptare në Parlamentin gjerman

Që nga viti 1986 Parlamenti gjerman ofron bursa për praktikantë në zyrat e deputetëve gjermanë. Prej vitit 2001 në këtë program merr pjesë edhe Shqipëria.

Albanischer Stand IPS Programm BerlinProgrami i Bundestagut për praktikantë në zyrat e deputetëve gjermanë

Prej 30 vjetësh Parlamenti gjerman ofron programin IPS(Internationales Parlaments-Stipendium), i cili u ofron çdo vit 120 të rinjve nga vende të ndryshme të botës mundësinë që të njohin nga afër mënyrën e punës së parlamentit dhe të deputetëve gjermanë.

Të rinjtë kanë mundësi të japin kontributin e tyre në punën e përditshme në zyrën e deputetëve, t’i shoqërojnë ata në takimet e Komisioneve Parlamentare, në aktivitete të ndryshme apo takime në zonën e tyre elektorale. Projekti në fillesat e tij ishte konceptuar vetëm për praktikantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por me kalimin e viteve është u hapure dhe për shumë vende të tjera nga Evropa Veriore, Lindore, Juglindore, vendet e Afrikës Veriore e të Lindjes se Mesme.

Albanischer Stand IPS Programm BerlinArnisa Tepelija dhe Ermal Ndini bashkë me ambasadorin shqiptar, Artur Kuko

Pratikantë nga Shqipëria

Që nga viti 2001 për programin IPS përzgjidhen çdo vit edhe dy apo tre praktikantë nga Shqipëria. Këtë vit nga Shqipëria kanë ardhur Arnisa Tepelija dhe Ermal Ndini. “Kjo eksperiencë ka qenë jashtëzakonisht informuese, pasuruese dhe me vlerë.” – thotë për DW-në Arnisa Tepelija. Ajo shton se ka mundësinë për t’u njohur nga afër me punën e përditshme të Bundestagut, dhe “të shikoj shpërndarjen e pushtetit në nivele të ndryshme qeverisëse (që nga landet deri në nivel evropian), të shkoj nëpër takimet ku merren vendime kyçe për politikën e brendshme dhe evropiane, kam vërejtur dhe krahasuar edhe metodikën e punës, standardet e larta të angazhimit e profesionalizmit të stafit, atij grupi njerëzish që ekziston mbas personave të skenës politike, kam evidentuar kriteret e transparencës ndaj publikut që këtu konsiderohen të pakompromentueshme.”

Arnisa thotë se përmes kësaj pratike ka arritur të shohë edhe “atë që e bën politikën të njëjtë kudo: mbrojtjen e interesave krejtësisht të ndryshme në rangjet më të larta, përplasjen e ideologjive që mbulojnë të gjithe skeptrin politik nga e majta në të djathtën, përfytyrimet e ndryshme mbi konceptin e së mirës së përgjithshme, sfidat e përmirësimit të cilësisë së demokracisë, sfida e eliminimit të burokracive, përpjekjet për kapërcimin e hendeqeve mes popullit dhe përfaqësusesve të tij, problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria gjermane edhe në kuadrin e madh evropian.”

Tryeza shqiptare

Çdo vit për mbrëmjen e praktikantëve në mjediset e Bundestagut organizohet edhe aktivitet prezantues për vendet nga vijnë praktikantët. Me ndihmën e Amasadës Shqiptare në Berlin tryeza e shqiptare këtë vit synonte prezantimin kulturor të Shqipërisë për botën e jashtme. Fletëpalosjet dhe broshurat informative plotësoheshin edhe me ushqime tradicionale shqiptare dhe verë nga Berati si dhe libra për historinë e Shqipërisë dhe të artit shqiptar.

“Besoj se jam rritur goxha nëpërmjet kësaj praktike”

Nga krahasimet mes punës në institucionet shqiptare dhe ato gjermane dy praktokantët shqiptarë, Arnisa Tepelija dhe Ermal Ndini, thonë se kanë identifikuar shumë aspekte konkrete që mund të përmirësohen në Shqipëri. Arnisa tregon se deputeti me të cilin ka punuar intensivisht është anëtar i Komisionit Parlamentar të Peticioneve, ku përpunohen ankesat e qytetarëve dhe përmirësimi i ligjeve sipas propozimeve të tyre konkrete në fusha që i prekin direkt. “Më ka impresionuar thellë puna që bëhet pranë qytetarëve këtu, që pavarësisht se jo perfekte, ushtrohet në shkallë të panjohura për ne. Mënyra se si ata trajtohen është barometër i funksionimit të demokracisë. Kjo, së bashku me transparencën në punën e institucioneve është diçka që tashmë e kam përzemër ta gjej edhe ne Shqipëri, e në mos qoftë akoma aty, të jap kontributin tim modest për ta bërë të mundur.” – thotë Arnisa duke konkluduar me fjalët: “Besoj se jam rritur goxha nëpërmjet kësaj praktike”.

Please follow and like us: