Albspirit

Media/News/Publishing

Albionë Zhitia: Iftar me gazetarë!

Albionë R. Zhitia's Profile Photo

Një iftar i shtruar  për media nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ditë më parë, në fakt më shumë është tallje me ta se sa “mirënjohje” për punën që bëjnë.

Do të thonin : Po ç’të keqe ka kjo? E vërtetë  është se nuk ka të keqe që një veprim i tillë të ishte i sinqertë dhe pa prapavijë nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe kreu i saj Tërnava.

Ky iftar veç i gazetarëve nuk ishte, shumica nga të ftuarit ishin përfaqësues të mediave, drejtues, redaktor, prezantues dhe ata pak gazetarë që ishin pothuajse asnjëri nga ta nuk ishte ai që ka përcjell aktivitetin e Bashkësisë Islame,  veçmas nuk kanë raportuar asnjëherë të vetëm mbi zhvillimet e fundit në vend lidhur me terrorizmin e që institucioni fetar më i madhi në vend nga shumë njohës të problemeve në Lindjen e Mesme, është parë si njëri nga fajtorët pse shumë të rijnë shqiptarë iu bashkuan organizatave terroriste në konfliktin e Sirisë.

Ata gazetarë/e që në vazhdimësi raportojnë mbi këtë sektor, përveç që përballen me kërcenim e fyerje të shumta e që jo rrallë herë presioni ka ardhë edhe nga zyrtarët e këtij institucioni që është shumë i mbyllur për media.

Është qesharake kur dëgjon deklaratën e Tërnavës gjatë kësaj mbrëmje, duke falënderuar mediat për bashkëpunimin, duke thënë se së bashku kemi kaluar shumë sfida, madje për ironi shkon edhe më lart duke udhëzuar gazetarët se si duhet raportohet kur kanë një informacion.

Myftiu i Kosovës, nuk ndalet më kaq, thotë se do ta luftojmë çdo rrymë ekstremiste në vend dhe se BIK,  nuk do të lejojë interpretimin ndryshe të fesë, për interesa klanore, grupe ekstremiste të dëmtojnë atdheun dhe tolerancën fetare në vend.

Po i nderuari efendi Tërnava, gazetarët çdo ditë kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme që kanë ardhur nga institucioni dhe njerëzit e juaj.

Faleminderit për leksionet, por gazetari kur merr një informacion fillimisht e konfirmon atë se a qëndron apo jo?

Po i nderuar, ju po thirreni në luftim të ekstremizmit, por vetëm atë nuk jeni duke bërë.

Po i nderuar, ju jeni ai që emëruat imam me prirje radikale nëpër xhami në gjithë Kosovën,  e që sot shoqëria jonë po i vuan pasojat.

Po i nderuar efendi Tërnava, pikërisht për shkak të interpretimit dhe futjes së rrymave ekstreme në Kosovë, sot vendi ynë po cilësohet si tokë pjellore e ISIS-it.

Myfti Tërnava këtë epitet nuk e vendosën mediat dhe ata gazetarë që ju nuk e patë të arsyeshme t’i ftoni në këtë iftar.

{Autorja është gazetare si dhe ndjek studimet postdiplomike për Politikë Ndërkombëtare}

Please follow and like us: