Albspirit

Media/News/Publishing

Ballkani Perëndimor pas BREXIT: Fitore e Rusisë, humbje e Evropës


Ilustrim

Nga Florian Bieber

Bashkimi Evropian ka qenë në krizë për vite të tëra, por votimi i BREXIT të enjten e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar është sfida më serioze për BE, brenda disa dekadave. Asnjëherë më parë qytetarët e një vendi anëtar të BE-së nuk kanë votuar kundër qëndrimit në bllok. Ky votim mosbesimi ka pasoja serioze jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar apo BE-në, pasi këto pasoja shkojnë përtej tyre. BE-ja ka qenë model për t’u marrë shembull dhe klubi që vendet e Ballkanit duan t’i bashkohen. Tani kur vendi që ka qenë anëtar për më shumë se katër dekada ka hequr dorë nga anëtarësimi, ngritët pyetja: a ja vlen të bëhesh anëtar?

27 vendet anëtare duan një zgjidhje të shpejtë, duke i kërkuar Britanisë që të vë në përdorim nenin 50 të Traktatit të BE-së, që merret me procesin e largimit nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, qeveria britanike po ngurron që të vë në përdorim këtë mënyrë të qartë të largimit nga BE-ja. Kjo e vë bllokun evropian në një situatë të paqartësisë. Tash, duket që kërkesa zyrtare e Britanisë për të dalë nga BE do të bëhet në vjeshtë, nëse vërtetë do të paraqitet kërkesa. Kjo paqartësi ka ndikim përtej çështjes së anëtarësimit të Britanisë, pasi shkon deri te vendet që me vite të tëra duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

Ballkani Perëndimor tash është në një situatë duke dashur të bëhet anëtar në një klub tërësisht jo popullor. Jo vetëm Britania, por pjesë të mëdha të elektoratit në shumë vende anëtare që nuk e shohin BE-në si zgjidhje, tash kërkojnë referendum.

Derisa shumë vende ngurrojnë të ofrojnë këtë opsion rreth të ardhmes së tyre në BE, kriza e Bashkimit Evropian është e qartë dhe shkon përtej BE-së. Votimi në Holandë kundër tregtisë së lirë me Ukrainën në muajin prill është vetëm njëra nga shenjat e kësaj ndjesie të pakëndshme me status kuon. Për Ballkanin Perëndimor, afrimi me BE-në ka qenë fuqia më e madhe shtytëse në dekadën e kaluar. Ky motivim ka filluar të bie gjatë viteve të fundit, pasi kriza në Greqi dhe ngurrimi i përgjithshëm drejt zgjerimit në disa vende anëtare e ka bërë Bashkimin Evropian një bllok që nuk është shumë entuziast për zgjerimin.

Tash, ky proces ka rënë në ‘vendnumëro’ edhe më shumë. BE-ja do të fokusohet në trajtimin e lidhjeve të saj me Britaninë e Madhe gjatë viteve të ardhshme. Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i qeverisë britanike, marrëdhënia do të rishikohet në tërësi dhe kjo do e marrë shumicën e kohës së BE-së dhe qeverive të vendeve kyçe, siç janë Gjermania dhe Franca.

Zgjerimi tani do të kalojë si diçka dytësore, apo edhe më keq akoma, do të jetë në funksion të asaj që ofrohet apo jo në marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Britanisë së Madhe. Me vëmendjen e BE-së të kthyer drejt perëndimit, Ballkani do të bëhet më i hapur drejt ndikimeve të tjera.

Për Ballkanin nuk ka një model alternativ kundrejt ekonomive të ndryshme të BE-së, të cilat janë të bashkë dyzuara me demokraci. Turqia dhe Rusia ofrojnë mënyra të tjera të qeverisjes.

Një sistem më autoritar i udhëheqjes është oferta që vjen nga këto dy vende dhe si e tillë mjaft atraktive për liderët e Ballkanit Perëndimor.

Fuqia shtytëse e BE-së në rajon ka qenë se qytetarët e kanë parë atë si diçka atraktive, krahas edhe dëshirës së elitave për të qenë të pëlqyer brenda vendeve të tyre dhe të vlerësohen nga BE-ja. Të dyja këto ka rrezik të shënojnë rënie pas BREXIT.

Rusia ka pak për të ofruar për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përpos asaj që mund të merret si model për liderët, derisa mund të ofrojë një sens jo racional të solidaritetit për disa prej qytetarëve ballkanas.

Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vende anëtare të BE-së, ndërsa vendet anëtare të NATO-s përfshijnë Shqipërinë dhe së shpejti edhe Malin e Zi. Kjo, në aspektin ekonomik dhe atë të sigurisë, nuk ka alternative realiste. Megjithatë, dobësimi i BE-së ofron një mundësi më shumë për Rusinë.

Në këtë mënyrë, Rusia është një lojtare oportuniste në Ballkanin Perëndimor, pa një strategji afatgjate, por me mundësi që të pengojë reformat.

Prej vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe krizës së çmimeve të naftës, ka rënë edhe mundësia që Rusia mund të ofrojë një alternativë fondamentale ndaj BE-së. Rusia nuk është një cak që qytetarët e aspirojnë, pasi perëndimi paraqet një të ardhme më të pëlqyer.

Megjithatë, një BE e kapluar nga kriza që iu kthen shpinën, e bën Rusinë më atraktive dhe perëndimin më pak të pëlqyeshëm. Dhe kështu, ndikimi rus ka mundësi të rritet jo për shkak të fuqisë që e ka, por për shkak të dobësisë së BE-së.

Marrëveshja e bashkëpunimit, që së fundi partia “Rusia e Bashkuar” e ka nënshkruar me disa parti të Ballkanit Perëndimor, e ilustron këtë.

Rusia e Bashkuar natyrisht nuk është parti klasike, por thjeshtë një mundësi e përkrahjes për Vladimir Putin. Partnerët e saj në Ballkanin Perëndimor përfshijnë Aleancën e Social-demokratëve të Pavarur, subjekti i Milorad Dodikut të Republikës Serbe të Bosnjës dhe partinë Demokrate Serbe të Maqedonisë, kjo e fundit një nga partnerët e vegjël të partisë që e udhëheqë Maqedoninë, VMRO DPMNE.

Në Serbi, bashkëpunimi është nënshkruar nga partitë opozitare, Dveri dhe Partia Demokratike e Serbisë, si dhe nga opozita serbe në Malin e Zi.

Edhe pse partitë udhëheqëse të Serbisë dhe Maqedonisë, Partia Progresiste e Serbisë dhe VMRO-DPMNE kanë flirtuar me Rusinë dhe pozicionin e saj, asnjëra prej tyre nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje.

Me këtë, ndikimi rus, kur është në pyetje ndikimi i drejtpërdrejt partiak, mbetët i margjinalizuar.

I takon BE-së që ta humbas këtë përkrahje. Këtu, partitë e BE-së kanë ngurruar që të kritikojnë hapur partnerët e tyre në Ballkanin Perëndimor, dhe sidomos për të vënë në pah tendencat autoritare, veçanërisht në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi.

Rreziku kryesor në Ballkanin Perëndimor janë liderët autoritarë, që shtetin e udhëheqin sipas nevojave të partisë dhe atyre personale. Rusia mund të bëhet partner edhe model në këtë lojë. Me BE-në që gjatë viteve të ardhshme do ta ketë vëmendjen tjetërkund, rritet edhe rreziku që Rusia të bëhet më e fuqishme si partner, apo së paku si model për qeveritë e rajonit.

Kjo mund të ndodhë në vende të ndara, si Maqedonia apo Bosnja, dhe seriozisht mund të minojë seriozisht strukturat e dobëta shtetërore në Serbi dhe Mal të Zi. Mirëpo, varet nga BE-ja nëse do i humbasë partnerët në Ballkanin Perëndimor.

*Florian Bieber është profesor i degës së Historisë dhe Politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit dhe Koordinator për Ballkanin për Grupin Këshillues të Politikave Evropiane (BiEPAG)

Please follow and like us: