Ben Blushi: Rilindja, PD dhe LSI nuk e duan Presidentin nga populli
Deputeti Ben Blushi ka përsëritur sot në Kuvend idenë e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga populli. Në fjalën e tij në parlament, Blushi tha se partitë kryesore të parlamentit, PS apo Rilindja sic e quan ai, PD dhe LSI nuk e duan zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Sipas tij, ky kundërshtim vjen për shkak se palët kërkojnë të kryejnë pazare me zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, zgjedhja me 71 vota nga parlamenti i jep mundësi partive politike për ta zgjidhur presidentin për lehtësisht.
“Rilindja, PD dhe LSI nuk duan që populli të votojë Presidentin. Pse? Sepse duan të bëjnë pazare me Presidentin. Sepse zgjedhja me 71 vota është më e thjeshtë. Si ka mundësi që parlamenti të pranojë që gjykatësit, prokurorët apo Avokati i Popullit, zgjidhen me 2/3 ose 3/5, ndërkohë që presidenti zgjidhet me 71 vota.”, tha Blushi