DASH vlerëson bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare, shoqërinë civile dhe veçanërisht Koordinatoren Kombëtare Anti-Trafikim, Elona Gjebrea për synimin e përbashkët të luftës kundër fenomenit global të trafikimit të qenieve njerëzore.
Përmes një deklarate për shtyp, Ambasada e SHBA-së në Tiranë thekson se “raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Personave, i cili doli sot, vë në pah një numër arritjesh dhe ofron sugjerime konkrete për mënyrën se si Shqipëria, Shtetet e Bashkuara dhe vendet kudo në botë mund të punojnë për t’i dhënë fund murtajës së trafikimit njerëzor”.
“Këto përfshijnë më shumë financim për OJQ-të, sidomos strehëzat, trajnime shtesë për ligjzbatuesit për të identifikuar dhe hetuar siç duhet rastet e trafikimit, si dhe procese më të mira gjyqësore për viktimat e trafikimit”, thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga amabasada e SHBA-së.