Identifikohen sulmuesit në aeroportin e Stambollit
Zyrtarë të qeverisë turke thanë se tre sulmuesit vetëvrasës që lanë pas vetes 43 të vrarë dhe rreth 240 të plagosur në aeroportin e Stambollit, janë nga Rusia, Uzbekistani dhe Kirgizia.
Gazeta proqeveritare turke, Yeni Safak, shkruan se sulmuesi rus është nga rajoni i Dagestanit që kufizohet më Çeçeninë. Sherbimi kirgiz dhe ai uzbek i sigurisë nuk kanë komentuar njoftimet.
Të enjten policia turke tha se ka arrestuar 13 veta, në mesin e të cilëve tre shtetas të huaj, lidhur me shpërthimet vetëvrasëse të së martës në aeroportin e Stambollit.
Policia tha se ka kryer bastisje në 16 pjesë të ndryshme të Stambollit në pëprjekje për të kapur përgjegjësit për organizimin e sulmit vdekjeprurës të së martës.
Agjencitë lokale të lajmeve thanë se nëntë veta u arrestuan në qytetin bregdetar të Izmirit nën akuzat për lidhje me luftëtarët e grupit Shteti Islamik në Siri dhe mbështetje financiare e rekrutim të luftëtarëve për këtë grup.
Autoritetet turke kanë fajësuar ISIS-in për sulmin në aeroport, ndonëse militantët nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë.
Kryeministri Binali Yildirim, tha se provat e para flasin për një sulm nga ana e ekstremistëve të Shtetit Islamik. Ai tha se sulmi mund të ketë qenë një kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Turqisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Izraelin.
Shefi i Agjencisë amerikane të zbulimit, John Brennan, tha se sulmi vetëvrasës në Stamboll mban “vulën” e Shtetit Islamik.
Presidenti amerikan, Barack Obama, tha të mërkurën në takimin e udhëheqësve të Amerikës së Veriut në Kanada, se qeveria e tij, “nuk do të pushojë derisa nuk zhbëhen rrjetet e urrejtjes që kanë ndikuar në tërë botën e qytetëruar”.
Komentet e tij pasuan një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti Erdogan tha se sulmet dëshmuan se “terrorizmi godet pavarësisht nga besimi dhe vlerat”. Por, ai tha se Turqia “ka fuqi, përkushtim dhe mundësi që ta çojë deri në fund luftën kundër terrorizmit”.
Sulmi në aeroportin e Stambollit, që është i treti në Evropë, ishte i fundit në valën e sulmeve në Turqi gjatë vitit të fundit, që vranë më shumë se 260 veta.
Terrorizmi ka dëmtuar rëndë industrinë e turizmit në Turqi në të cilën mbështetet edhe ekonomia e vendit.
ISIS-i është fajësuar për dy sulme të mëhershme gjatë këtij viti në Stamboll duke vënë në shënjestër turistët e huaj.
Partia Punëtore Kurde, ka kryer po ashtu sulme vetëvrasëse, por duke vënë në shënjestër kryesisht forcat e sigurisë. Një sulm i PKK-së më herët gjatë këtij muaji la pas vetes 11 të vrarë.