Albspirit

Media/News/Publishing

Ilva Tare: Na heqin vizën, jo statusin

Presioni në rritje nga partnerët ndërkombëtar për miratimin në 21 Korrik të Reformës në Drejtësi ka arritur në pikën kur avokatët më të mëdhenj të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, po humbasin durimin. Mesazhet e artikuluara në Tiranë nga deputeti gjerman i partisë së Merkel (meqenëse në rastin e Steinmeir u bë kujdes të thuhej që nuk ishte nga e njëjta parti) ishin të ashpra dhe të prera, siç ishte kërcënimi për humbjen e satusit kandidat.

Gunther Krichbaum me siguri është në dijeni të faktit që Maqedonisë prej vitit 2005 nuk ia ka hequr askush nga BE statusin, pavarësisht se vendi nuk ka mundur të sigurojë hapjen e negociatave dhe ka bërë hapa mbrapa në lirinë e medias dhe qeverisjen autokratike. Por, deputeti i Bundestagut nuk ka bërë lapsus dhe as nuk e ka deklaruar rastësisht devijimin nga kursi europian të Shqipërisë, nëse nuk i jepet fund drejtësisë së korruptuar dhe të manipuluar nga politika.

Angela Merkel mund të jetë nën presione të brendshme në Gjermani dhe në Bruksel për drejtimin që do të marrë Bashkimi Europian gjatë divorcit me Britaninë e Madhe dhe rritjen e nacionalizmit ekstrem, por kancelaritë eruopiane e kanë shumë të qartë se çfarë Shqipërie nuk duan. Dhe është pikërisht kjo aktualja, që mban prej dy vjetësh statusin e vendit kandidat dhe bluan një reformë në sektorin më të korruptuar dhe të kapur nga konflikti i interesit me politikën. Pa sukses!

As ndihma e ekspertëve të SHBA dhe BE dhe as investimi i drejtpërdrejtë i ambasadorëve në komisionin e posaçëm të reformës dhe në zyrat e kryetarëve të partive të përfshira nuk ka mundur të sigurojë mbështetje si brenda maxhorancës dhe aq më pak të opozitës për votën në favor të paketës Kushtetuese së propozuar. Ndaj, gjuha po përshkallëzohet dhe Shqipërisë po i përmendet statusi si kujtesë për integrim në Europë, një endërr e shqiptarëve të ’90-ës.

Gjasat janë që shqiptarëve të 2016-ës të mos u heqin teknikisht statusin pasi dhe BE-ja do të jetë e ngarkuar me problemet e saj. Por thjesht, do t’u heqin vizën, duke i lënë në fatin e tyre të diktuar nga interesat e oligarkëve partiakë që janë të gatshëm të rrezikojnë edhe më shumë se një reformë, që siç thonë rëndom nëpër biseda informale, nuk mund ta bëjnë sipas qejfit të ambasadorëve.

E ardhmja e individëve që kanë shenjuar rrugëtimin problematik dhe korruptiv të së shkuarës së Shqipërisë, varet prej zgjedhjes së PO-së për miratimin e reformës. JO-ja dhe refuzimi vetmohues nuk ka të bëjë me cilësinë e draftit, por pasojat që mund të prodhojë ai.

Prandaj, 21 Korriku është vendimtar për statusin e Shqipërisë si një vend kandidat për të mos qenë më kandidat…

Please follow and like us: