Albspirit

Media/News/Publishing

Leksione kushtetuese nga zgjedhjet amerikane

Kosta Barjaba

 

(Esse në prag të 4 korrikut)

Asnjë gërmë e Kushtetutës amerikane nuk e shpreh, por fryma e saj e përmban, na thoshte shpesh  profesori i njohur i lidershipit, David Gergen, se Presidenti i SHBA duhet të plotësojë tre kushte: Presidenti duhet të jetë një burrë, i bardhë dhe  i pasur. 43 Presidentë janë zgjedhur duke përmbushur në mënyrë të natyrshme, por të pashkruar, këto kushte. Kapërcimi i madh ndodhi kur erdhi puna te Presidenti i 44.  Fushata zgjedhore partiake e demokratëve e vitit 2008 përmbysi frymën e Kushtetutës. Por e përmbysi në sensin progresiv, emancipues  dhe demokratizues.

1.Hillari: Rrëzimi i “atusë” së parë

Kandidimi i Hillari Klinton si Kandidate për Presidente në zgjedhjet partiake të vitit 2008 rrëzoi “atunë” e parë, që Presidenti (në këtë rast kandidatja) duhet të jetë një burrë. Klinton sfidoi fryëmn e Kushtetutës dhe guxoi të kandidojë. Demokratët e “lexuan” mesazhin dhe i hapën udhë kandidimit të saj. Shoqëria amerikane e mbështeti. Si sprova e parë për të përmbysur një traditë, kandidimi i Zonjës Klinton qëlloi mjaft i suksesshëm. Pjesë e këtij suksesi ishte durimi për të pritur betejën zgjedhore të rradhës për të fituar nominimin prej Demokratëve.   Dhe po ia del. Por nominimi i Hillari Klinton nuk është thjesht nominimi i një kandidati. Me këtë veprim shoqëria amerikane dëshmon një tregues simbolik dhe madhështor të emancipimit të saj civil. Kandidimin e një gruaje për postin më të pushteteshëm në botë. Para kësaj ajo kishte dhënë disa shenja të tjera. Allbright, Hillari Klinton dhe Rice kishin shërbyer më parë si Sekretare në Departamentin e Shtetit.

2.Obama: Rrëzimi i “atusë” së dytë

“Atuja” e dytë, në fakt, është rrëzuar para të parës. Tetë vjet më parë, demokratët amerikanë u bënë votuesve amerikanë sfidën për të votur jo një burrë të bardhë, por një burrë me ngjyrë. Dhe ishin votuesit amerikanë që këtë sfidë e shndërruan në hapin e dytë gjenial të Amerikës. Populli amerikan dërgoi në Shtëpinë e Bardhë një burrë me ngjyrë. Por jo vetëm kaq. Barak Obama nuk është thjesht një Afrikan-Amerikan. Obama është brezi i dytë i një emigranti kenian. Ligjërisht Obama nuk është emigrant. Por është një fëmijë emigranti. Shtypi botëror shkruajti tetë vjet më parë me këtë rast se dy brezat Obama shënuan  një nga transformimet më të mëdha në histori: kapërcimin nga stallat e dhive të Kenias (Barak, i Vjetri), në yjet e aulave të Harvardit (Barak, i Riu). Dhe nëse imagjinojmë se beteja e fundit për të drejtat civile e politike të popullsisë me ngjyrë  në ShBA nisi më pak se gjysëm shëkulli më parë, ky kapërcim merr një kuptim akoma më të madh.  Asnjë shoqëri nuk ka mundur  të bëjë një hap të tillë gjigand në një kohë kaq të shkurtër për historinë e kombit. Edhe për këtë shoqëria amerikane e kishte dhënë më parë një shenjë. Poëell, një burrë me ngjyrë, kishte shërbyer më parë si si Sekretar në Departamentin e Shtetit.

3.Hillari dhe Obama: Rrëzimi “atusë së tretë”

As Hillari Klinton, as Barak Obama nuk janë të varfër. Por asnjeri prej tyre nuk është i pasur, në kuptimin që ka pasuria në Amerikë dhe në kuptimin që ka fryma e Kushtetutës amerikane për pasurinë.  Asnjeri prej tyre nuk erdhi, deri tani në kandidimin (e para) dhe fitoren (i dyti) për të drejtuar, juridikisht Shtetet e Bashkuara dhe praktikisht botën, prej lobeve të pasura, industrive, familjeve të mëdha apo dinastive të njohura. Të dy erdhën në zenithin e veprimtarisë së tyre politike si “self-made ëoman” dhe “self-made man”. Pra,  politikanë të vetëkrijuar, nëpërmjet investimit dhe karrierës së tyre. Ata sfiduan sistemet, shtresëzimimn shoqëror, traditën. Me sfidën e tyre konfirmuan se shoqëria amerikane është shoqëria e mundësive të pakufishme dhe që i pranon sfidat e sfidantëve.

4.Donald Trump, si sfidë ndaj sistemit

Fitimi i nominimit prej Donal Trump është gjithashtu një sfidë.  Trump është një kandidat atipik, që vjen nga jashtë sistemit. Ai i plotëson të tre kushtet e frymës së Kushtetutës: Është burrë, i bardhë dhe i pasur, madje shumë i pasur. Natyrisht, triumfi  i Trump në kontekstin dhe mjedisin republikan  është një meritë e tij. Por që shkon përtej kufijve partiake. Primaret amerikane mund të konsiderohen edhe një test i mbështetjes popullore, përtej partiake. Dhe ky kandidat e fitoi një sfidë të tillë. Kundër sistemit, kundër partisë, kundër lidershipit, kundër rivalëve të tij partiakë. Sfida e Trump tregoi se edhe sistemi partiak bipolar, që në ShBA ka bërë epokë, mund të lëkundet. Por kjo lëkundje nuk është veçse një shenjë emancipimi dhe progresi.  Sepse Trump nuk do të kishte mundur ta sfidonte sistemin, nëse sistemi nuk do tia kishte hapur dyert. Dhe këtu ndeshim përsëri me hapësirat e  mëdha të lirisë individuale që krijon Kushtetuta amerikane. Pa dyshim, ndër dokumentet më të përkryer që kanë zenë vend në thesarin e demokracisë dhe të njerëzimit.

Please follow and like us: