Nishani në Krans Montana: Vëmendje ndaj Ballkanit Perëndimor
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë sot në hapjen zyrtare të Forumit të Krans Montanas, që zhvillohet këtë vit në Vjenë nën patronazhin e Presidentit të Austrisë, zotit Heinz Fischer.
Në ceremoninë e hapjes ku ishin të pranishëm gjithashtu Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanović, ish-Kryemininstri i Rumanisë Victor Viorel Ponta, Ministrja e Ambientit e Marokut dhe presidentja e ardhshme e COP22 Hakima El Haite, si dhe shumë personalitete të tjera, Presidenti Nishani mbajti një fjalë ku u përqendrua në zhvillimet më të fundit evropiane dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi ndër të tjera në fjalën e Tij se procesi i integrimit evropian të vendit, pavarësisht zhvillimeve më të fundit evropiane, vijon të mbështetet masivisht nga qytetarët dhe forcat politike shqiptare, pasi ky proces nënkupton standarde, zhvillim dhe mirëqenie për shqiptarët.
“Integrimi evropian nuk është thjesht një ëndërr, por objektivi më madhor dhe strategjik i vendit dhe e vetmja alternative e zhvillimit të tij.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.
Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian, institucionet e tij dhe vendet anëtare të mos neglizhojnë vëmendjen edhe ndaj procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union. “Investimi i bërë për paqen, pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni duhet ruajtur dhe çuar më tej.” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar