Putin u jep fund sanksioneve turistike e tregtare me Turqinë
Presidenti rus Vladimir Putin ka firmosur dekretin qeveritar dhe ka bërë të ditur se Rusia do të heqë sanksionet ndaj udhëtimeve turistike në Turqi, hap ky që vjen vetëm pak pas bisedimeve të para të zhvilluara prej tij me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, që prej rrëzimit të një avioni luftarak rus, që shkaktoi një krizë marrëdhëniesh mes dy vendeve.
“Ka ardhur koha të nisim procesin e normalizimit të marrëdhënieve tregtare me Turqinë duke hequr sanksionet, e duke e nisur me turizmin, pavarësisht kërcënimeve terroriste të shfaqura edhe me sulmin e fundit në Aeroportin ‘Ataturk’ të Stambollit”, tha Putin gjatë një mbledhjeje qeveritare gjatë së mërkurës. “Erdogan më ka siguruar se qeveria turke do të bëjë gjithçka mundet për të ofruar sigurinë maksimale për shtetasit tanë në Turqi”, shtoi më tej ai.
Putin dhe Erdogan zhvilluan bisedime “konstruktive” përmes telefonit gjatë paradites së të mërkurës, të cilat kishin në qendër “rikthimin e miqësisë tradicionale” në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, shkruhet në një deklaratë të Kremlinit. “Ata ranë dakord të takoheshin me t’u dhënë mundësia e parë. Putin ofroi gjithashtu ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e sulmit terrorist në Stamboll, në të cilën kamikazë të dyshuar të ISIS vranë 44 persona dhe plagosën rreth 240 të tjerë ditën e martë”, shkruhej më tej.
Ngrohja kaq e shpejtë e marrëdhënieve erdhi pasi Erdogan i dërgoi një letër Putinit ditën e martë, ku shprehte ngushëllimet për familjen e pilotit rus të vrarë pas rrëzimit të avionit mbi territorin turk nga avionë luftarakë të Turqisë në nëntor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, këtë të enjte në një mbledhje të kabinetit qeveritar, kryeministri rus Dmitry Medvedev tha se Rusia do t’i heqë sanksionet ndaj Turqisë në mënyrë graduale. Nga Moska, Medvedev tha se sanksionet ekonomike do të hiqeshin sipas instruksioneve të dhëna nga Presidenti rus Putin, e kjo do të bëhej në mënyrë graduale, në mënyrë që të mos dëmtonte prodhuesit rusë.