Selami: Përse mbështeta socialistët Blushi dhe Hafizi
Deputeti i PD-së Eduard Selami ka sqaruar përse firmosi propozimin e socialistëve Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi për të ndryshuar kushtetutën dhe për të zgjedhur Presidentin nga populli. Në një prononcim dhënë për gazetën “Panorama” Selami thotë se e ka mbështetur nismën e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit për shkak se ka qenë që herët i mendimit se kreu i shtetit duhet të dalë si vullnet i popullit.
Ndonëse firma e Selamit në mbështetje të nismës së propozuar nga Blushi e Hafizi është komentuar gjatë, për deputetin e PD-së asgjë jashtë normales nuk ka në këtë vendimmarrje.
Selami sqaron se propozimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votë të drejtpërdrejtë nga populli ka qenë një propozim i hershëm i tij, i cili gjendet i pasqyruar edhe në deklaratat e tij politike. Për ish-kreun e PD-së, kalimi i kompetencave për zgjedhjen e Presidentit sovranit, do të ishte një e mirë që ky Parlament do t’i bënte demokracisë.
“Unë gjithmonë kam qenë për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Nëse u referoheni deklarimeve të mia publike lidhur me këtë çështje, do të shikoni se unë kam pasur gjithmonë të njëjtin qëndrim. Në vlerësimin tim, sa më shumë pjesëmarrje të ketë nga sovrani, aq më mirë i bën demokracisë”, – mbyll reagimin e tij Selami.