SHBA printojnë Kushtetutën e re; Berisha: Votoni nenin 88
Zyrtarisht, reforma në drejtësi është në programin e punës së Kuvendit të Shqipërisë. Konferenca e Kryetarëve vendosi që seanca e shqyrtimit të amendamenteve kushtetuese të jetë me 21 korrik, njësoj sic kishte parlajamëruar ambasadori amerikan.
Dhe që deputetët ta kenë sa më të qartë se nga fjalët është kaluar tek veprat, mbi tryezën e tyre të punës ata kanë gjetur paraditen e së enjtes një botim të ri të Kushtetutës.
Botimi përmban një variant të përditësuar me amendamentet e reja, që propozohen për t’u miratuar. Por ajo çfare bie menjëherë në sy është logoja e Ambasadës Amerikane dhe një shënim nën të “se ky është një botim i mundësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ky është një tjetër hap konkret që Ambasada Amerikane bën për të bërë publike dhe zyrtare mbështetjen e vet për ndryshimet kushtetuese të reformës.
Megjithatë, ish-kryeministri Sali Berisha i bëri Kuvendit një kërkesë tjetër.
“Ju lutem shumë drejtuesve të Kuvendit që nenin 88 t’ja dorëzojë çdo deputeti”, tha Berisha.
Opozita e interpreton paragrafin 88 të Venecias si një rekomandim që opozita të përfaqësohet në të 4 institucionet e reja që zgjedh Parlamenti, përfshirë edhe ato që bëjnë vetingun e njerëzve të drejtësisë.
Në të kundërt, opozita thotë se drejtësia kapet politikisht. Kështu ish-kryeministri Berisha lexoi edhe mesazhet që dha në Tiranë përfaqësuesi i Bundestagut gjerman.
“Thirrjet janë që Qeveria që tenton të kapë drejtësinë nuk çon vendin në BE. Thirrjet janë që po nuk e votuat, do të rishikojmë statusin. Më e rënda që ka ndodhur ndonjëherë”, tha ish-kryeministri.
Opozita kundërshtoi përfshirjen në kalendarin e punës së Parlamentit të 7 projektligjeve të reformës në drejtësi. Sipas saj, draftet nuk kanë bazë ligjore, sepse i referohen një projekti kushtetues të pamiratuar.
“Është një draft, një listë dëshirash ende, por nuk ekziston. Pra po shkelni Kushtetutën me të dyja këmbët. Nëse nuk ka konsensus është e kotë, jo vetëm këto ligje nuk miratohen, por edhe ajo Kushtetuta që doni ju nukmiratohet”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Ilir Meta foli edhe për shpejtësi, edhe për konsensus.
“Po ecim në këtë mënyrë për të fituar kohë që të realizojmë atë objektiv që ndryshimet kushtetuese, besoj me konsensus, por edhe disa ligje të rëndësishme që vetë opozita i ka kërkuar që bashkë me to të miratohen brenda muajit korrik”, tha kreu i Kuvendit.