Shqiptaro-amerikani Pierre Simsia shpallet “Qytetar Nderi” i Beratit
Pierre-Pandeli Simsia është i dashuruara me artin, muzikën dhe letrat, ndonëse shkollimin dhe diplomimin e ka për ekonomi dhe financë
Denion Ndrenika
“Letërsia për krijuesin është “ushqim” pa të cilin nuk mund të jetojë”, – është motoja që e njehson Pierre Simsian me shkronjat, vargjet, fletët.
Prej thuajse 25 vjetësh shtetas shqiptaro-amerikan, Pierre-Pandeli Simsia u shpall “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Beratit, qytetit të tij.
Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat në 28 qershor me organizimin e bashkisë.
Motivacioni i vendimit të 20 janarit 2016 me numër 13 për Simsian me firmën e kryetares së Këshillit Bashkiak të Beratit, Nikoleta Manko ishte:
“Për kontributin e tij të çmuar në emigracionin shqiptar në SHBA, botimet cilësore në fushën e letërsisë, njohjen, prezantimin dhe përhapjen e kulturës dhe vlerave të artit të qytetit të Beratit në diasporë dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës, Çamërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni dhe në Mal të Zi”.
“Falenderoj Bashkisë e Beratit, organizatorët dhe gjithë pjesëmarrësit”-ishin pak fjalët e thëna nga shkrimtari Simsia.
Pierre-Pandeli Simsia është i dashuruara me artin, muzikën dhe letrat, ndonëse shkollimin dhe diplomimin e ka për ekonomi dhe financë.
“Në rininë time, veçanërisht në vitet e shkollës së mesme, duke e ndjekur muzikën, dëshiroja të shkruaja tekste këngësh dhe ia arita qëllimit”-thoshte më parë Simsia për Televizionin Shqiptar.
Vjersha të tij u shndërruan në tekste këngësh siç thotë vetë Simsia “nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri Kadëna, Fatmir Agalliu”.
Historia e Simsias në emigracion nisi në 1990 kur u largua nga atdhru për në Greqi dhe pasi fitoi në 1997 Llotarinë Amerikane, u vendos në Nju Jork ku jeton sot e kësaj dite me bashkëshorten dhe djemtë.
“Me pasionin që kisha për letërsinë, me vullnetin e madh që unë kisha për të shkruar, mësova se në Nju Jork botohej e vetmja gazetë shqiptaro-amerikane “Illyria”, gazetë e lexuar nga komuniteti brenda dhe jashtë Amerikës, e vlerësuar, me një numër të madh lexuesish, me një staf profesionist të përzgjedhur për të drejtuar dhe për të punuar në atë gazetë, e cila vazhdon të botohet me sukses edhe në ditët e sotme”-i tha Simsia TVSH-së.
Ai shton se blinte gazetën “Illyria”, e lexonte, koleksiononte numrat e saj dhe pranon se “mu duk se gjeta një dritare të hapur për të komunikuar me botën shqiptare, për t’u bërë edhe unë pjesë e atij komunikimi”.
“U interesova, më pritën mirë dhe në atë gazetë mu mundësua botimi i shkrimeve të mija. Pra, kam patur një bashkëpunim me gazetën “Illyria”, bashkpunim që vazhdon edhe në ditët e sotme publikimi”-thotë ai.
Veprat e Simsias janë romani “Nuse në derën e hasmit”, i gjashti në radhë, vëllimet me tregime në 2005 “Le të jem unë Zamira” dhe më vonë “Kafeja”, në 2006 “Një dashuri e vrarë, roman që trajton temën e trafikimit të femrave si dhe një numër shkrimesh në mediat në SHBA dhe Shqipëri.
Në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Nikoleta Manka, prefekti i Beratit, Fadil Nasufi, personalitete të fushave të ndryshme, qytetarë, të afërm, miq dhe shokë familjes Simsia.