Si dhe kur kryhet transferimi i parave të bankave!
Ekspertët e sigurisë në banka shpjegojnë procedurat e transferimit të parave. Ja pse nuk mund të ruhet konfidencialiteti. Vetëm në 2015-n, bankat transferuan 204 milionë euro…
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Vitet e fundit ky proces është përshpejtuar, pasi bankat kanë ngadalësuar kreditimin në ekonomi dhe kanë investuar më pak para në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke pasur më shumë fonde në dispozicion për ti vendosur në bankat jashtë. Vetëm në vitin 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, zëri “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” është zgjeruar ndjeshëm me 16% apo me gati 29 miliardë lekë në vlerë absolute (204 milionë euro).
Po si kryhet fizikisht ky transferim…?!
Ekspertët të sigurisë bankare kanë shpjeguar për Monitor se kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike. Korniza ligjore është një udhëzim i ministrit të Brendshëm dhe ligji i shërbimi privat i sigurisë fizike (SHPSF), i 2014-s i bërë rishtazi. Mbi bazë të këtyre dy dokumenteve bankat lidhin aktmarrëveshjet me SHPSF-të, pra legjislacioni është i qartë në këtë drejtim.
Përgjithësisht bankat, për të qenë të sigurta gjatë procesit të transferimit, çojnë edhe punonjës të tyre, ose ka të tjera që ia besojnë tërësisht kompanisë së sigurisë fizike. Kjo varet nga marrëdhënia kontraktuale.
Ekspertët shpjegojnë se në rastin konkret, defekti duket te siguria e brendshme e pistës. Ata shtojnë se Komiteti i sigurisë së Shoqatës së Bankave ka qenë i angazhuar pas vjedhjes së dytë për të përmirësuar masat e sigurisë. Rrethimi fizik i aeroportit nuk është i mjaftueshëm, jo vetëm për transport vlerash, pasi ai është objekt i sigurisë kombëtare. Ata ngrenë shqetësimin edhe më tej, pasi grabitësit mund të kishin hyrë lehtësisht edhe në avion.
Lidhur me konfidencialitetin e dërgimit të parave, ekspertët shpjegojnë se në një farë mënyre ai është i pamundur të ruhet.
Të gjitha veprimet bankat i bëjnë veprimet përmes agjencive doganore.
Ndërkohë janë 5-6 punonjës të shoqërisë private që shoqërojnë blindin, kryesisht të enjte, të premte. Mjafton që dikush të rrijë 20 ditë te kafeja e Rinasit dhe të vetëm nga intinerari lëvizjes të kuptohet se cilat janë veprimet, thonë punonjësit e sigurisë së bankave.