Si nisi historia mes gjyqtarit Çobo dhe gruas që e denoncoi
Gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u pezullua dje nga detyra për shpërdorim detyre. Ai i kërkoi favore seksuale një 32-vjeçareje në proces divorci me bashkëshortin në këmbim të vendimit gjyqësor në favor të saj.
Në seancën e parë mes palëve, gjyqtari dëgjoi pretendimet e e tre dhe caktoi një datë tjetër duke u kërkuar që të merrnin avokat, shkruan gazeta ‘Shqiptarja.com’.
Në seancën e dytë, kallëzuesja ka qenë pa avokat dhe në përfundim gjyqtari e pyeti veçmas përse nuk kishte mbrojtës ligjor. 32-vjeçarja i tha se nuk ka mundësi financiare, kurse gjyqtari Shyqyri Çobo i tha se do t’i gjente ai një të tillë që nuk kushtonte shumë. Ai i kërkoi edhe numrin e celularit për të komunikuar më pas për këtë çështje.
Kallëzuesja pranoi t’ia jepte dhe po atë dot rreth prës 17:00, gjyqtari i dërgoi SMS: “Përshëndetje, gëzon të gjithë kredin mirënjohëse nga ana ime. Performanca juaj më imponon respekt, pse jo dhe ndjesi. A u sqarove me avokatin rekomandues. Problemi yt sinqerisht me diktoi keqardhje, mos hezito me SMS apo tel. Do të mirëpres, respekte. Ok?”.
Ajo ka mbetur e habitur nga ky mesazh, megjithatë i ktheu përgjigje: “Shumë faleminderit për gjithçka. Jam shumë mirënjohëse për bujarinë dhe mirëkuptimin tuaj. Me avokatin u mora vesh, keni urimet më të mira nga ana ime dhe Zoti ju bekoftë ju dhe familjen tuaj”.
32-vjeçarja pyeti babanë e saj nëse e njihte këtë gjyqtar dhe ai i tha që po. Kjo bëri që kallëzuesja të mendonte se ndoshta ky ka qenë shkaku pse gjyqtari Çobo fliste aq përzemërsisht me të.
Nëpërmjet bisedave dhe SMS-ve telefonike, ata u takuan në një lokal pranë Gjykatës me kërkesë të Shyqyri Çobos. Supozohej se do të bisedonin rreth çështjes gjyqësore të 32-vjeçares, gjë që nuk ndodhi. Në këto rrethana, kallëzuesja regjistroi fshehurazi me celular tre biseda me gjyqtarin Shyqyri Çobo, në të cilat pretendon se i kërkonte të bëhej dashnorja e tij duke i dhënë në këmbim një vendim gjyqësor në favor të saj.