Turqia arreston 13 persona në lidhje me sulmin në Stamboll
Policia turke ka arrestuar 13 persona, përfshirë edhe tre të huaj në lidhje me sulmin vdekjeprurës në Aeroportin e Stambollit.
Mediat turke shkruajnë se policia ka kryer sot bastisje në 16 lokacione në Stamboll.
Autoritetet e fajësojnë grupin ekstremist, Shteti Islamik për sulmin e 28 qershorit në një nga aeroportet më të ngarkuar të botës, sulm ky që mori jetën e 42 personave dhe plagosi 230 të tjerë.
Gazeta turke, “Hurriyet” shkruan se një nga tre sulmuesit vetëvrasës në aeroport ka qenë nga zona problematike ruse, Çeçeni.
Autoritetet turke nuk e kanë konfirmuar këtë lajm ende. Një burim nga forcat e sigurisë i ka thënë Reuters se një nga sulmuesit mund të ketë qenë i huaj.
Në një operacion tjetër të madh policor, nëntë të dyshuar që besohet se kanë lidhje me IS gjithashtu janë paraburgosur në qytetin bregdetar të Izmirit.
Nuk është ende e qartë nëse të dyshuarit kanë ndonjë lidhje me sulmin në aeroport.
Ndërkaq, forcat e sigurisë kanë vrarë dy persona që dyshohet se ishin militant të IS-it në afërsi të kufirit me Sirinë.
Agjencia e lajmeve, Anadoly duke cituar burime anonime të sigurisë, kanë thënë se dy nënshtetas sirianë janë vrarë më 25 qershor duke bërë përpjekje që ta kalojnë kufirin, ndërsa kanë injoruar paralajmërimet e forcave të sigurisë që të ndalojnë.
Një nga këta dy militantë ka qenë në kërkim nga Turqia me dyshimin se ai do të kryente sulme vetvrasëse në Ankara, apo në qytetin jugor turk, Adana, shkruan në fund, Anadoly.