Turqia hap kapitullin 33 të negociatave për anëtarësimin në BE
Republika e Turqisë filloi sot një kapitull të ri negociatash për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Republika e Turqisë filloi sot një kapitull të ri negociatash për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky është kapitulli i 33-të për “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore” dhe përfshin rregullat në lidhje me burimet financiare të nevojshme për fondet, që do t’i akordohen buxhetit të BE-së pas anëtarësimit në Union.
Legjislacioni në këtë fushë fillon të aplikohet direkt me anëtarësimin dhe duhet të zhvendoset në legjislacionin kombëtar.
Me hapjen e këtij kapitulli, numri total i kapitujve të hapur në negociatat e Turqisë me BE-në ka arritur në 16.
Në konferencën ndërqeveritare të anëtarësimit, që u mbajt në Këshillin e BE-së, në emër të Turqisë morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ministri i Bashkimit Evropian dhe kryenegociatori Omer Çelik, si dhe ministri i Financave, Naci Agbal; ndërsa në emër të BE-së të pranishëm ishin ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Bert Koenders, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Unionit, si dhe eurokomisioneri për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Konferenca filloi me një minutë heshtje dhe homazhe për viktimat e sulmit terrorist në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit.
Pala turke kërkoi një plan veprimi të qartë për liberalizimin e vizave dhe i bëri thirrje BE-së që t’u qëndrojë besnike premtimeve të saj karshi Ankarasë.
Në rendin e ditës së konferencës ndërqeveritare Turqi-BE ishte edhe lufta kundër terrorizmit.
Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu, uroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas takimit që hapja e kapitullit për “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore” të jetë në të mirë të Turqisë, të Bashkimit Evropian dhe të marrëdhënieve Turqi-BE.
Kapitulli i fundit, që ishte hapur përpara këtij të 33-të, ishte ai numër 17-të i datës 14 dhjetor 2015 mbi “Politikat Ekonomike dhe Monetare”, nën kryesimin Luksemburgut.