Albspirit

Media/News/Publishing

Verbëria e Erdoganit, turqit e paguajnë shtrenjtë

Verbëria e Erdoganit, turqit e paguajnë shtrenjtë

Autoritetet turke fajësuan të ashtuquajturin Shteti Islamik për sulmin në aeroport dhe është e vërtetë që ngjarja e fundit ngjason shumë me bombardimin e ndodhur gjatë një manifestimi për paqen në Ankara ku mbetën të vrarë të paktën 103 persona, e që u morr përsipër nga ISIS.

Duke supozuar që pretendimi do të rezultojë i saktë, ai kthen edhe një herë vëmendjen nga sjellja e qeverisë turke kundrejt militantëve të Shtetit Islamik që kontrollojnë pjesë të mëdha territori pranë kufirit jugor të Turqisë me Sirinë dhe Irakun e që thuhet se kanë një rrjet mbështetësish brenda Turqisë.

Në një analizë të saj, media britanike “The Guardian” thotë se problemi kryesor është bindja e presidentit turk, Texhep Taip Erdogan, se kurdët indigjenë në këto zona përbëjnë një rrezik më të madh se sa ISIS.

Kjo ambivalencë ka nxitur një valë akuzash për suport taktik të Turqisë ose edhe më keq për bashkëpunim në aktivitetet e ISIS që prej daljes në skenë të grupit në vitin 2014, akuza këto që mohohen ashpër nga Erdogan dhe ministrat e tij.

Mes akuzave, shumica e të cilave të paprovuara përfshihen edhe pretendime se Turqia e populluar kryesisht nga sunitë ka furnizuar, trajnuar dhe asistuar në rekrutimin e luftëtarëve sunitë të ISIS në betejat e tyre me kurdët, me qeverinë shiite irakiane dhe atë siriane.

Disa prej akuzave, të tilla si armatosja direkte e ISIS nga qeveria turke, duken të sforcuara por pretendime të tjera, si p.sh. sugjerimi se ndërmjetës turq janë të përfshirë në kontrabandën fitimprurëse të naftës së ISIS nga Iraku ne Turqi, janë mjaft të besueshme.

Nga ana tjetër, qeveria e Erdoganit po tregohet e pamëshirshme ndaj kurdëve dhe ofensiva e egër kundër tyre ka shkaktuar dhjetëra viktima në të dyja palët. Autoritetet i kanë faturuar kurdëve shumicën e sulmeve terroriste që kanë goditur vendin kohët e fundit, disa prej të cilave janë marrë përsipër nga ISIS, dhe kjo s’ka bërë gjë tjetër veçse ka turbulluar panoramën e përgjithshme duke komplikuar kundërpërgjigjen ndaj grupit ekstremist.

Dhe pikërisht preferenca e Erdoganit për të fajësuar kurdët për çdo gjë të keqe në vend, dhe verbëria e tij përballë kërcënimit terrorist po i kushton shtrenjtë popullit turk.

Please follow and like us: