Albspirit

Media/News/Publishing

“Washington Times” godet Ramën dhe ngre Metën. Qëndrim i saj, apo porosi nga Tirana?

Gazeta amerikane “Washington Times ka publikuar një editorial për zhvillimet në Shqipëri i shkruar nga Jason Katz. Ai është drejtor në një kompani amerikane por më parë ka mbajtur detyrën e kreut të çështjeve publike për komitetin amerikan hebre. Më herët ai ka bërë edhe shkrime ku ngre lart figurën e kreut të Kuvendit Ilir meta. Në shkrimin e fundit të titulluar “Një albatros në Shqipëri” ai bën një panoramë të zhvillimeve politike të cilën e sheh me mjaft intriga dhe drama duke u treguar i ashpër me kryeministrin Edi Rama të cilin e quan “njeri të skandaleve”.

“Në atë që është si pamja e një romani të rilindjes të John Le Carré, duket se me kalimin e muajve ka një kapitull të ri të historisë së pafundme të zhvillimeve të intrigave politike dhe dramave që rrethojnë kryeministrin e Shqipërisë” – shkruan ai.

“I parë si ana profesionale në gjeopolitikë dhe qeverisje apo qoftë edhe si vëzhgues rastësor, lidhja e këtyre skandaleve është gjithmonë kryeministri Edi Rama”.

Katz thotë se vendi është përfshirë në debatin e ndryshimeve thelbësore të ligjeve, por sipas tij në këtë pikë Rama ka një problem të madh që janë arroganca dhe lidhjet me krimin e organizuar.

“Ndërsa përshtaten këto projekt-ligje, Shqipëria ka një pengesë të madhe, shpërfilljen arrogante të qeverisë aktuale për sundimin e ligjit dhe një marrëdhënie intime me krimin e organizuar dhe korrupsionin të lidhura me zotin Rama dhe pasuesit e tij”.

Amerikani hebre sjell në vëmendje edhe çështjen e përgjimeve të policisë me pajisjen IMSI Catcher.

“Kapitulli i fundit është që për fat të keq ngatërroi edhe Italinë, miqtë anëtarë në NATO-s është ai i pretendimeve për përgjime të paligjshme të opozitës politike shqiptare, zyrtarëve qeveritarë dhe diplomatë të ambasadave kryesore partnere në Tiranë”– thuhet në shkrim.

Më pas flitet me detaje për rastin e pezullimit të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Haki Çako dhe akuzat e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ndaj gjyqtarit Arian Aliaj.

“Nga ana politike, panorama shqiptare tregon një opozitë që bën sulme të vazhdueshme ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama të cilin e sheh si rrezik për vendin”.

Katz e mbyll me një këshillë për administratën e re amerikane që pritet të dalë pas zgjedhjeve presidenciale që sipas tij duhet të mos e lërë mënjanë Shqipërinë “edhe pse Rama mund t’ju duket një albatros” – e mbyll shkrimin e tij Katz.

Ngrihet pyetja përse Katz “i bie” kaq fort Edi Ramës. Para pak kohësh ai publikoi në Washington Times një shkrim me lëvdata për Ilir Metën çka hodhi dyshime për një sponsorizim të vogël nga Tirana. Në shkrimin “Zëri moderator i Shqipërisë”, Katz thoshte se Meta ka fituar reputacionin e një njeriu me pikëpamje reformatore dhe udhëheqës i vendosur për integrimint euroatlantik të vendit të tij.

“Ilir Meta, një nga politikanët më me ndikim në vendin e tij dhe rajon, e nisi karierën e tij si njëri ndër studentët që u ngritën kundër komunizmit, lëvizje e cila solli pluralizmin politik në Shqipëri. Si kryeministër, ministër i jashtëm dhe tashmë si kryetar i parlamentit, Ilir Meta ka fituar reputacionin e një njeriu me pikëpamje reformatore dhe si një udhëheqës i vendosur për integrimin Euro-Atlantik të vendit të tij”, – shkruante Katz.

Washington Times nuk është një gazetë e rëndësishme në SHBA dhe njihet për shkrime të tilla nga grupe lobuese./lapsi.al/

Please follow and like us: