Në kohën kur numri i blerjeve online sa vjen dhe bëhet më i preferuar nga konsumatorët shqiptarë , Ministria e Financave po diskuton me ministri të tjera mundësinë e uljes se kufirit të taksimit. Një gjë e tillë është pranuar nga vetë Financat, por thuhet ky ndryshim është ende në fazë konsultimesh.
Nëse sot qytetarët nuk taksohen për blerje deri në 150 euro, nisma e re parashikon taksë doganore për të gjitha blerjet mbi 22 euro.
Ndryshimi i fundit për kufirin e blerjeve online ishte në mes të vitit 2014. Qeveria vendosi që të gjithë ata që blejnë online dhe u vjen produkti me postë nga jashtë vendit, do të paguajnë taksë në rast se vlera e mallit do të kalojë 20 mijë lekë dhe jo 10 mijë lekë, siç ishte më parë.
Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan 20 % TVSH dhe taksë doganore që varion 2-15%, sipas mallit. Sipas të dhënave të Postes Shqiptare, blerjet online kanë pësuar rritje të konsiderueshme në dy vitet e fundit.