Kritikja e islamit si presidente e radhës e BE-së
Sllovakia ndjek kursin e refuzimit në politikën e refugjatëve. Tani ajo duhet të ndërmjetësojë si kryesuese e radhës së BE-së në gjashtëmujorin e dytë, menjëherë pas Brexit.
Nga 1 korriku presidencën e radhës së BE-së e kryeson Sllovakia. Një vend, ku parlamenti dhe partitë janë gati të një mendimi: Nuk ka vend për refugjatët dhe azilkërkuesit në Sllovaki. Myslimanët janë të padëshiruar në vendin me 5,5 milionë banorë. Kreu i qeverisë, socialdemokrati Robert Fico, premtoi në fushatën elektorale se nuk do të tolerojë një komunitet mysliman në Sllovaki. “Islami nuk ka vend tek ne”, tha ai. Megjithatë ai premtoi të enjten me marrjen e presidencës nga Sllovakia (30.06) në Bratislavë se do të jetë një ndërmjetësues i ndershëm dhe neutral në një BE të tronditur nga krizat.
Gjermania nuk ka shumë besim se do të ketë progres në reformimin e rregulloreve të azilit të BE-së si edhe në shpërndarjen e drejtë të refugjatëve brenda unionit. Sllovakia vetë madje ka ngritur padi në Gjykatën Europiane në Luksemburg kundër mekanizmit të shpërndarjes së azilkërkuesve. Megjithatë ambasadori i Sllovakisë në BE, Peter Javorcik është optimist se në gjashtë muajt e ardhshëm do të mund të përpilohet një “agjendë positive” për politikën e emigracionit dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm si edhe ngritjen e rojes së përbashkët bregdetare.
Politika e azilit dhe një referendum i ri
Fico është i bindur se „duhet të ndalet fragmentarizimi i BE-së”. Por propozimet e BE-së për pranimin e shpërndarjen e refugjatëve kanë shumë pak gjasa të vihen në jetë gjatë presidencës sllovake. Pozicioni refuzues i Sllovakisë mbështetet nga Çekia, Hungaria dhe Polonia. Tetë refugjatë pranoi Sllovakia në vitin 2015, e kjo shifër nuk duhet të ndryshojë, sipas kryeministrit Fico.
Sllovakia ka një ekonomi të stabilizuar në rritje, megjithëse papunësia është relativisht e lartë. Edhe deficiti buxhetor po mbahet nën kontroll. Në vitin 2003 para anëtarësimit në BE, rreth 92% e sllovakëve e mbështesnin aderimin në union. Sot kjo shifër është shumë më e ulët. Ambasadori sllovak në BE thekson se në vend vihet re një rritje e skepticizmit kundrejt unionit. Ndërkohë partia ekstremiste e djathtë „Partia Popullore Sllovakia Jonë“, e cila hyri me 8% të votave në parlament kërkon që të organizojë një referendum për shkëputjen nga BE. Mbledhja e firmave ka filluar ndërkohë.
Hija e Brexit
Por presidencën e radhës nuk do ta errësojnë vetëm politika e brendshme sllovake, por edhe Brexit. „Kemi tre ose katër vjet që po përgatitemi për presidencën e radhës. Nuk mund ta përfytyronim se krahas krizës së refugjatëve, tani përballemi edhe me Brexit“, thekson ambasadori sllovak. Në shtator sllovakët duhet të organizojnë një samit të posaçëm të 27 vendeve anëtare pa Britaninë e Madhe këtë herë. Në këtë samit do të diskutohet për të ardhmen e unionit. Kryeministri sllovak, Robert Fico kërkon që BE të ndryshojë rrënjësisht. “Nuk mund të fiksohesh në një politikë ekonomike dhe emigracioni që refuzohet nga shumica e europianëve”, u shpreh ai në parlamentin sllovak.
Jon Lang, këshilltar i politikës në rrjetin e ekspertëve „Global Risks Insights“ nuk beson se sllovakët do të mund të ndajnë atë që është europiane nga ajo kombëtare. Me përvojën e pakët në presidencën e radhës, ata do të reagojnë më pak profesionalisht se holandezët që i dhanë fund presidencës më 30 qershor. Një plan i mirëmenduar reformash pas Brexit nuk do të jetë gati para marsit të vitit të ardhshëm, në 60-vjetorin e Marrëveshjeve të Romës, që vunë themelet e BE-së. Por atëherë këtë detyrë, jo edhe aq të preferuar, duhet ta menaxhojë Malta, si presidente e radhës.