Albspirit

Media/News/Publishing

4 Korriku i Amerikës, “28 Nëntori” i gjithë botës!

 Ruben Avxhiu

Si sot 240 vjet më parë u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë që hapi rrugën për krjimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kolonitë ngritën krye, luftuan dhe çliruan vendin e tyre. Në historinë e gjatë të botës, kjo ishte hera e parë që një komb i ndërgjegjshëm për identitetin e vet çlirohej nga një pushtues. Për herë të par një koloni fitonte mëvetësinë nga perandora apo mbretëria që e sundonte.
Kombi amerikan konsiderohet si relativisht i ri në tokë, por shpallja e pavarësisë amerikane është e para e këtij lloji në histori në historinë moderne. Është më e vjetra. Të tjerat kanë qenë imitime shpesh të frymëzuara pikërisht nga kjo formë ceremoniale dhe solemne e shpalles së mëvetësisë.
Edhe 28 Nëntori i shqiptarëve është një lloj derivati i 4 Korrikut. Shpallja e pavarësisë në Kosovë pastaj ishte një imitim i hapur, një lloj riinskenimi, në kushte dhe vend tjetër, i ceremonisë së shpalljes së pavarësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo është e natyrshme. Nga Amerika Latine, në Azi e Afrikë, në vendet arabe etj, pavarësimi i Amerikës ka frymëzuar kryengritjen kundër kolonializmit dhe kërkimin e të drejtës së vetëvendosjes.
Në shumë nga këto procese, këto vende kanë pasur Amerikën si aleaten e tyre kryesore.
Duhet ta kuptoni se Amerika ishte ndryshe nga fuqitë e tjera botërore. Ndryshe nga ato, Amerika kishte qenë vetë dikur një koloni. Amerika e dinte se çfarë do të thoshte të ishe nën varësinë e një sovrani që nuk të përfaqësonte.
Prandja ndryshe nga fuqitë e tjera Amerika gjithmonë i është druar idesë për të aneksuar ndonjë shtet, pavarësisht fuqisë së saj të madhe ushtarake. Amerikanët luajtën një rol të madhe në shbërjen e sistemit të kolonive në botë që sollën në hartën e botës mbi 100 shtete të reja. Një pjesë e atyre që nuk e kanë njhur Kosovën deri më sot kanë qenë vetë dikur si ajo. Të pushtuara e të kolonizuara. Diplomacia kosovare duhet ta nënvizojë këtë gjë.
Kritikët e Amerikës kanë gjetur gjithmonë diçka për t’ia mohuar rolin e saj të madh në lirinë e popujve të botës. Luftoi kundër kolonizimit se nuk kishte çfarë të humbte dhe dobësonte rivalët. Nuk ankeson shtete po ka shpikur neokolonializimin shkruanin komunistët.
Shqiptarët janë vetë dëshmitarë të rolit amerikan. Nuk është rastësi që Shqipëria sanksionohet si shtet më vete dhe i garantohet vendi në hartën e kontinentin, pikërisht kur SHBA fillon të përzihet në politikat europiane. Presidenti Wilson donte që çdo komb të kishte shtetin e tij dhe siguroi që shqiptarët të mos mungonin në familjen e kombeve. Për fat të keq detajet e kufijve lanë jashtë më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare. Nuk i lanë në Amerikë apo në Angli ku të paktën zhvillimi do të kishte buruar edhe te to, po i lanë në Mal të Zi, Serbi, Greqi e më vonë në Maqedoni (si pjesë e Jugosllavisë). Aty vuajtën e jetuan si të kolonizuar në mes të një kontinenti që kolonizimin po e linte pas. Po si në një mision historik, Amerika do të rikthehej përsëri për të vazhduar punën e lënë në gjysëm.
SHBA u qendroi sfiduese dhe luajti një rol kryesor në mposhtjen e komunizmit dhe fashizmit, dy ideologji me premtime të mëdha e pasoja shkatërrimtare për kombet dhe botën. Rrënuese të shoqërive ku zunë vend.
SHBA u bënë strehë e mërgimtarëve shqiptarë, ku si askund tjetër u organizuan në një komunitet të fuqishëm që ndihmoi në fatet e bashkatdhetarëve, nga shpallja e pavarëisë në 1912, deri në çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj në 1999 dhe 2008. Këtu u themelua Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare, këtu u mbroj shteti i parë shqiptar nga Vatra e Nolit dhe Konicës. Këtu u strehuan ata që i shpëtuan komunizmit, shumë prej atyre që u larguan nga Jugosllavia, ata që lobuan për kauzën e Kosovës dhe për shqiptarët në Maqedoni e Malin e Zi. Këtu është shpalosur kauza e Çamërisë dhe për të gjithë shqiptarët kauza e madhe e demokracisë dhe lirive të njeriut.
Një miqësi e padiskutueshme është krijuar mes dy vendeve tona. Kjo nuk është një fantazi e sëmurë nacionaliste, por një realitet simpatik. Mjafton të kujtojmë, fjalët e Sekretares së atëhershme të Shtetit, kandidates presidenciale të sotme Hillary Clinton kur erdhi në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë: “Kemi qenë me ju 100 vjet më parë, jemi sot me ju dhe do të jemi me ju edhe pas 100 vjetëve”.
Jo më kot vizitorët amerikanë gjithmonë komentojnë sesi ndihen në shtëpi, kur vizitojnë tokat shqiptare. Jo më kot shqiptarët janë përshtatur aq mirë dhe janë aq të suksesshëm në tokën amerikane.
Ajo që ndodhi në 1999, kur SHBA udhëhoqi aleancën më të fuqishme ushtarake të botës për të çliruar Kosovën, nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e shqiptarëve, po edhe më tej. SHBA mbetet edhe sot mbështetësja më e madhe e njohjes globale të shtetit të Kosovës dhe e vendosjes së demokracisë së vërtetë në trojet shqiptare.
Edhe këtu gjithmonë janë shpikur arsye që qendrojnë nga mbrapa ndërhyjes e ndihmës së përheshme. Është normalisht e vështirë për njerëz të vendeve të tjera të kuptojnë obsesionin amerikan për të përhapur pavarësinë, liritë dhe demokracinë. Ka një lloj besimi gati fetar te një detyrë hyjnore për t’i dhënë botës çfarë ka fituar edhe vetë.
SHBA sigurisht janë një shtet shumë kompleks. Me faktorë ekonomikë, politikë e ideologjikë që njekin interesat e tyre. Vendi po kalon si rrallë ndonjëherë në historinë e vet, një moment të jashtëzakonshëm të rishikimit të shumë prej vlerave tradicionale.
Baballarët e këtij kombi 240 vjet më parë e ndërtuan me bindjen se njerëzit nuk janë të përkryer dhe krijuan një sistem që funksionon edhe sot e kësaj dite, pikërisht duke imagjinuar politikanët më të këqinj të mundshëm në krye të vendit. Ata e dinin që amerikanët nuk do të ishin të pagabueshëm dhe elementi më i fuqishëm në fakt i sistemit amerikan është aftësia për të përmirësuar veten, për të ndryshuar vazhdimisht pa prishur formatin e demokracisë të caktuar pikërisht gati dy shekuj e gjysëm më parë.
Kjo lidhje që kemi me këtë vend të jashtëzakonshëm duhet kultivuar dhe jo shkatërruar për interesa partiake e personale.
Për gati gjysëmshekulli nën regjimin komunist i prishëm marrëdhëniet me vendin më pozitiv ndaj nesh në gjithë historinë tonë të gjatë. Sa e jashtëzakonshme që pas më shumë se katër dekadash vrer kundër këtij vendi na pritën me krahë hapur. Duke ia lënë mëkatet regjimit në rrëzim, duke shfajësuar për gjithshka popullin.
Kjo lidhje është edhe personale për mua. Ky është vendi ku gjyshi im jetoi gjithë rininë e tij, vendi ku vdiq im atë e ku ndjehem në shtëpinë time. Shtëpi është ky vend edhe për më shumë se një milionë shqiptaro-amerikanë që ndajnë një sentiment të ngjashëm, ndonëse një pjesë e madhe tashmë i përkasin brezave që nuk dinë asnjë fjalë shqip. Këta kanë qenë dhe mbeten një garanci e madhe e lidhjes mes dy kombeve tona.
Këto rradhë i ndjej të rënda edhe sepse po i shkruaj vetëm pak metra larg nga salla ku 240 vjet më parë, si sot, u mblodhën përfaqësuesit e 13 kolonive dhe vendosën të sfidojnë perandorinë më të fuqishme të vogël. Liria nuk kishte gjëmuar më shumë deri atëhere në histori dhe ndonëse është rrëzuar dhe zmbrapsur disa herë, nuk është ndalur më kurrë.
Që ta kuptojmë më mirë në kontekstin shqiptar, nuk ishte vetëm 4 Korriku i Amerikës, por ishte 28 Nëntori i gjithë botës. Qysh atëhere pavarësia është kthyer në obsesion global. Se u provua edhe në rang kombesh se më i vogli e më i dobëti mund të fitojnë e mund ta mposhtin viganin.
Është festa e amerikanëve sot, po është edhe festa e shqiptarëve dhe e të gjithë atyre që duan lirinë. Gëzuar!

Please follow and like us: