9. 4. 1973/Relacioni sekret për Enver Hoxhën mbi Todi Lubonjën
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Fondi i ish – Komitetit Qëndror të PPSH-së, e cila i përket datës 9 prill të vitit 1973, ku i deleguari i Komiteti i Partisë së Tiranës Xhafer Spahiu, me anë të një relacioni dërguar Enver Hoxhës, e informon atë me detaje e hollësira lidhur me mbledhjen e komunistëve të Radio-Televizionit Shqiptarë, ku u bënë diskutime të shumta dhe u morr në analizë Festivali i 11 të Këngës në Radio-Televizion.
Sipas relacionit të Xhafer Spahiut, i cili e ka hartuar atë relacion në bashkëpunim me një grup pune i përbërë nga disa funksionarë të tjerë të aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, si Sadik Bocaj, Hasan Selenica, Pipi Mitrojorgji dhe Vita Adhami, që kanë qenë prezent në atë mbledhje, ku janë kritikuar dhe akuzuar ashpër drejtuesit kryesorë të Radio-Televizionit, Todi Lubonja dhe Nefo Myftiu, si dhe ekipi drejtues i Festivalit të 11-të, me në krye Mihallaq Luarasin si regjizor, dhe Nikolla Zoraqin si udhëheqës artistik.
Gjithashtu në relacionin e Xhafer Spahiut për Enver Hoxhën, përmenden edhe një sërë emrash të tjerë, nga punonjës të thjeshtë të Radio Televizionit Shqiptar, si gazetarë, redaktorë e përgjegjës redaksish, e deri tek ata me poste drejtuese, si: Thanas Nano, Klimi Misja, Hasan Pinci, Kiço Pandeli, Skënder Nenaj, Endri Keko, Kristaq Dhamo, Alfred Xhufka, etj.
Mbledhja e përgjithshme u ndal, diskutoi e kritikoi rreptë shkeljet e normave që rregullojnë jetën e brëndshme të Partisë dhe sidomos metodën subjektive liberale, në kundërshtim me vijën e partisë, të ndjekur nga shoku Todi Lubonja në çështjen e kuadrit. Në Radio-Televizion janë shkelur normat e partisë, kritikën dhe autokritikën, inisiativën dhe vetë-administrimin e organizatave bazë, etj. Këto kanë shkaktuar dobësimin e disiplinës së partisë, thyerjen e unitetit të mendimit e të veprimit, dobësimin e frymës luftarake të komunistëve e të rolit udhëheqës e kontrollues të organizatave bazë e të byrosë së Partisë. Disa nga këto dobësi kanë egzistuar edhe më parë. Por këto morën përpjestime të mëdha me ardhjen e shokut Todi, sidomos në drejtim të liberalizmit, shthurjes së disiplinës dhe qëndrimeve subjektive me simpati e antipati të tij personale ndaj kuadrit. Shumë diskutantë në mbledhjen e përgjithshme por edhe në mbledhjet e organziatave të drejtorive theksuan se Todi Lubonja fjalimin e shokut Enver në Mat e interpretoi sipas pikëpamjeve të tij liberale dhe e përdori për të bërë një spastrim të gjerë të të gjithë atyre kuadrove, që sipas tij ishin të skaduar, konservatorë, të pazotë, pa fantazi krijuese. Pas orientimeve që dha Todi, mbledhjet e partisë nëpër sektorë për diskutimin e fjalës së shokut Enver në Mat, praktikisht u përqëndruan në “qarkullimin” dhe strukturën organizative.
Kjo bëhej me tendencë për të hequr ato kuadro që ai i quan, konservatorë, të vjetër, të pa aftë, mbasi ata në një mënyrë apo në një tjetër e kritikonin e kundërshtonin apo nuk i nënshtroheshin. Kështu ai me mënyra të tërthorta përdortë taktikën ndaj kuadrit, “o nënshtrim ndaj tij ose eliminim”, siç ishte, veprimi ndaj Alfred Xhufkës, të cilin në fillim desh ta largonte, ndërsa më vonë, kur ky iu nënshtrua, filloi ta lavdëronte. U krijua kështu një situatë që i thelloi shumë më tepër përçarjet dhe grindjet. Todi po manifestonte haptazi antipatinë e tij për të gjithë ata që gjoja “përkraheshin” nga ish-drejtori Thanas Nano (Klimi Misja, Kiço Pandeli, Hasan Pinci, Sotir Peçi) dhe simpatinë për njerëzit që kritikonin Thanasin (Nefo Myftiu, Emin Klosi, etj). nëpër koridore e takime, lëshonte fraza e këshilla, “Kush nuk e ndjen vehten të aftë të kërkojë të largohet”,“Ta kini mirë me mua se unë ju hedh leckat në erë”. Në mënyra të ndryshme i përpunonte njerëzit dhe mbyste kritikën. U përhap mendimi se po të kritikosh drejtorin e përgjithshëm e pëson keq. Rreth 20 veta u vunë në listën e qarkullimit ose për transferim, midis tyre, drejtorë, shefa redaksie, antar kolegjiumesh, etj. U krijua një gjëndje e nderë pasigurie e shqetësimesh për shumë kuadro. U thelluan dyshimet, keqkuptimet, intrigat, thashethemet, pakënaqësitë personale të vjetra e të reja, u zhvilluan tendencat konformiste dhe servilizmi, u mbyt kritika e autokritika dhe u krijua një situatë amullie.
U thye uniteti i organziatave bazë të partisë. Në diskutimin e tij ish sekretari i organziatës bazë të televizionit Skënder Nenaj, bëri më në fund autokritikë të hapur dhe shpjegoi gjithë prapaskenën në lidhje me ndryshimin dhe falsifikimin e karakteristikës së shokut Klime Misja. Ai pranoi se ndryshimet i bëri me ndërhyrjen direkte të shokut Todi, i cili i paraqiti mendimet e tij subjektive mbi Klimin si mendime të aparatit të Komitetit Qendror e të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, ndërsa vlerësimet pozitive të komunistëve dhe të kolektivit i hoqi sepse sipas tij bëheshin nga pozita sentimentale.
Duke përdorur autoritetin e drejtorit e të antarit të Komitetit Qendror të Partisë iu imponua sekretarit të organziatës dhe shkeli rëndë normat e Partisë në një kohë kur për respektimin e tyre, shoku Enver, para pak muajve kishte folur përsëri në Mat. Vlen të përmëndet fakti që sa kohë Skënder Nenaj nuk e kishte zbuluar prapaskenën e Todit, ai lavdërohej e përkrahej nga ky. Bile arriti deri atje sa fill pas shkarkimit nga detyra e sekretarit të organziatës bazë, Todi propozoi t’i rritej rroga atij. Një tjetër diskutant (Hysen Pojani), tha se për shokun Todi edhe Kiço Pandeli duhej zëvëndësuar me Piro Andonin.
Për të pregatitur opinionin, Todi organzioi një mbledhje me redaksitë dhe në organzatën e partisë Kiço Pandelin nisën ta kritikonin për pa aftësi e të mos i bindeshin urdhrave të tij. Kështu në mënyra të tërthorta e të pandershme përgatitej largimi i Kiço Pandelit. Për largimin e Hasan Pincit u përdor një mënyrë tjetër. Me inisiativën e shokut Todi u thirr mbledhja e redaksisë ku shef është Hasan Pinci, gjoja për të diskutuar mbi strukturën e re. Qysh në fillim të mbledhjes Todi nis e flet si duhet të jetë shefi i redaksisë, duke përshkruar cilësitë e një shefi ideal.
Pas kësaj ngrihen e diskutojnë me rradhë redaktorët dhe njëri pas tjetrit propozojnë të shkarkohet Hasan Pinci për paaftësi. Me kaq mbledhja u mbyll pa kuptuar fare mbi strukturën për të cilën ishte thirrur. E gjithë kjo mbledhje e inskenuar ishte parapërgatitur për të transferuar Hasan Pincin nën pretekstin e “vijës së masave”. Në një formë tjetër u larguan regjizorët e kinematografisë, Endri Keko, e Kristaq Dhamo, të cilët si kuadro me eksperiencë qenë dërguar në televizion për të përgatitur kuadrin e ri.
Shoku Todi Lubonja krijoi rreth tyre një atmosferë mos besimi në aftësitë e tyre, përhapi mendimin se “këta s’kanë ç’të na japin” “s’kanë punë” etj. Në këto kushte ata kërkuan të largohen dhe u larguan. Në diskutimet për kuadrin përdorte shpesh shprehje të tilla si, “ta shesim këtë kuadër”, “do t’ia zgraps atë që dua unë”, “t’i presim koromanen” etj. Krahas largimit të kuadrit të mirë e me partishmëri mbledhja kritikoi rëndë veprimet e Todit për të sjellë në televizion njerëz që nuk kishin garancitë e nevojshme politike por që pajtoheshin me pikëpamjet e shijet e tij liberale siç është rasti i Mihallaq Luarasit, regjizorit të shfaqjes “Njollat e Murrme”, të dënuar rreptë nga partia, i njohur për pikëpamjet e tij liberale dhe paqëndrueshmërinë politike, ose rasti i Sotir Andonit, shkrimtar nga rrethi i Korçës, i përjashtuar nga partia për tentativë arratisjeje në vitet e pas-çlirimit, më vonë i rehabilituar por i papërshtatshëm për në television dhe pa ndonjë aftësi të veçantë letrare, me të cilin Todi është njohur në Korçë.
Çështja nuk është se drejtori i përgjithshëm nuk ka të drejtë të ketë opinionin e vet për kuadrot dhe ta shprehë atë, por në faktin që veprimet e tij karakterizoheshin nga shkelja e hapur e normave të partisë, nga subjektivizmi, nga mënyra e rrugë të tërthorta e të pandershme kundër kuadrove me partishmëri, nga tendenca për të grumbulluar rreth vetes, e për të përkrahur ata që pajtoheshin me pikëpamjet e tij liberale, që i nënshtroheshin e i bindehsin verbërisht. Me veprimet e tij ai kultivonte karrierizmin, konformizmin, servilzimin, burokratizmin, nënshtrimin, degjenerimin moral, politik e ideologjik të kuadrove, kundërvënien e tyre me normat e partisë. Duke kritikuar shkeljet e normave e rregullave të brëndshme të partisë diskutantët dënuan rëndë faktin që Todi Lubonja jo vetëm që nuk ka ndihmuar si antar i Komitetit Qendror të Partisë, por në të kundërtën ka ndikuar për të keq në drejtim të zbatimit të normave të Partisë e në disa raste si vetë i ka shkelur haptazi ato, si p.sh. në çështjet e kuadrit, në mungesëne punës kolegjiale, në mos-funksionimin e drejtorisë së përgjithshme, në moszbatimin e drejtë të vijës së masave, në mbytjen e kritikës, në shthurjen e disiplinës shtetërore etj.
Për dobësitë në punën e organziatave të partisë u kritikua byroja e partisë dhe shoku Sotir Peçi, i cili megjithëse ka mbajtur qëndrime të drejta dhe është ndeshur me Todin për çështjet e kuadrit, s’ka mundur të kapë problemet e rëndësishme të Radio-Televizionit. Gjithashtu u kritikua edhe Komiteti i Partisë së Tiranës dhe Komiteti i Partisë i rajonit për ndihmë të pamjaftueshme. Për Fadil Paçramin u tha nga disa diskutantë se ai me aq sa ka mundur ka ndikuar për të keq në Radio-Televizion. Dy herë që ka qënë Fadili për çështjen e Klimi Mises dhe të Emin Klosit në vënd që të ndihmonte ka çorientuar organziatën. Jo njëherë ai i është drejtuar shokut Klimi Misja me shprehje të tilla “na mbytët me folklore, me muzikë popullore e me marshe”, duke shprehur mendimin e tij për zgjerimin e programeve muzikore të Radios me muzikë të lehtë të huaj.
Ai haptazi i ka thënë Klimit se “nuk jam dakort me atë rregull e disiplinë që kërkoni nga punonjësit tuaj”. Ai ka qënë shprehur kundër inisiativës së gazetës “Bashkimi” për heqjen e honorareve të gazetarëve duke thënë: “Jini nxitur në përkrahjen e kësaj inisiative. Jo çdo gjë duhet pranuar si revolucionar. Gazetarët tanë nuk kanë arritur akoma atë shkallë ndërgjegjeje që të mos marrin honorare për shkrimet e tyre”. Duhet theksuar se për shokun Thanas Nano nga majft komunistë që folën si në byro dhe në mbledhjen e përgjithshme u dhanë vlerësime të mira si puntor i palodhur, që kërkonte rregull e disiplinë të fortë, që nuk pajtohej me prirjet dhe shijet estetike liberale dhe që kontrollonte herë pas here deri dhe komentet e rëndësishme të redaktorëve, në një kohë, u tha, kur Todi nuk shikonte as planin tematik të drejtorive, pa lëre komentet e tyre.
Në lidhje me diskutimin e shokut Todi Lubonja dhe të autokritës së shoqes Nefo Myftiu mbledhja e përgjithshme arriti në këto përfundime,
Për diskutimin e shokut Todi Lubonja
Të gjithë komunistët ishin të një mendimi se shoku Todi nuk bëri autokritikë. Të gjithë komunistët në diskutimet e tyre theksuan se shoku Todi ka devijuar nga vija e partisë në drejtim të liberalizmit, të oportunizmit të djathtë dhe kësiosoj e dëmtoi rëndë vijën e Partisë. Prirjet liberal-oportuniste, mëndjemadhësia dhe subjektivizmi i tij përbëjnë, të paktën qysh nga viti 1964, një vazhdë të tërë. Partia dhe personalisht shoku Enver e ka kritikuar edhe herë të tjera për gabime liberale,
A) Më 1964 u kritikua nga shoku Enver për “reformën” liberale që bëri në faqosjen e “Zërit të Popullit”, e cila nuk ishte thjesht një çështje faqosjeje, por prekte përmbajtjen e gazetës, sepse i krijonte asaj një fizionomi të ngjashme me atë të gazetave perëndimore.
B) Në shkurt 1967 u kritikua përsëri nga shoku Enver sepse për fjalimin e 6 shkurtit, “Zëri i popullit” nuk po mbante qëndrim dhe nuk po e mbështeste atë fjalim me krye-artikuj ose artikuj orientues.
C) Në vitin 1968 u kritikua për dramën “Njolla të Murrme” të vënë në skenë nga Teatri i Korçës, në kohën kur ai ishte sekretar i Komitetit të Partisë për propagandën dhe kishte nën vartësi edhe teatrin.
I DELEGUARI I K.P. TE RRETHIT TE TIRANES
(XHAFER SPAHIU)
Tiranë, më 9. 4. 1973
Shënim: Ky material informative u pa bashkërisht me shokun Sadik Bocaj, Hasan Selenica, Pipi Mitrojorgji e Vita Adhami që asistuan në mbledhje.