Gjekë Gjonlekaj: Lidhjet e para të Kadaresë me Amerikën
Rënien e Aleksandër Rankoviqit nga pushteti jugosllav në vitin 1966, shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera në ish-Jugosllavi e pritën me gëzim. Pas largimit nga pushteti të këtij serbi shovinist filloi shkrirja e akullit anti-shqiptar. Kjo shkrirje pasqyrohej kudo, e sidomos në fushën e kulturës kombëtare. Ndryshimi i teksteve shkollore të historisë dhe gjuhës e letërsisë shqipe bënë revolucion në Kosovë dhe më gjerë. Tani ato tekste i shikonim me dashuri e respekt njësoj si të ishin libra të shenjtë. Ishim kryelartë për shkrimtarët dhe poetët e Shqipërisë dhe Kosovës, e veçanërisht për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare. Emri i tij ishte shumë i nderuar tek studentët dhe nxënësit shqiptarë. Deri edhe fshatarët kishin dëgjuar për “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”. Gjeneralët, ushtritë dhe vdekja kumbojnë tingëllueshëm anë e përtej globit tonë. Jehonën e “Gjeneralit…” të Ismail Kadaresë e kishte përjetuar edhe “Lahuta e ….” e At Gjergj Fishtës. Para 40 vjetësh u larguam siç duket njëherë e përgjithmonë nga toka jonë. Në Amerikë nuk sollëm shumë nga Toka e Arbrit, përveç një shkëndije të vogël diturie nga kultura dhe historia jonë kombëtare. Me dy veprat e lartpërmendura dhe shumë të tjera hymë në këtë oqean të madh të kulturës bashkëkohore. Por, për fatin tonë të mirë gjetëm këtu në dheun e Amerikës Nolin e Konicën dhe shumë të tjerë. Në vitet 80′ dhe 90′ në horizontin e letërsisë botërore paraqitej emri i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Shqiptarët e Amerikës e përcillnin me vëmendje krijimtarinë e tij letrare. Për të flitej me shumë se për asnjë tjetër shkrimtar shqiptar. Shumë e adhuronin, por jo të gjithë, sepse disa mendonin se është shkrimtar i realizmit socialist. Martin Camaj e pranonte se Ismail Kadare është shkrimtar i madh, deri diku edhe Arshi Pipa, por jo Bardhyl Pogoni. Bile shumë herë në fillim të viteve 80′ kërkonte nga Drejtoria e Seksionit Shqiptar të Zërit të Amerikës të bënte komente kundër krijimtarisë letrare të Ismail Kadaresë. Por drejtoria e atëhershme nuk e lejoi kurrë të bënte komente të tilla, sepse kishte parasysh vështirësitë e shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë në diktaturë. Edhe politika amerikane e Zërit të Amerikës ishte shumë e ndjeshme ndaj intelektualëve që vepronin në regjimet komuniste. Shqiptarët e Amerikës çdo mbrëmje dëgjonin me vëmendje “Radio Tiranën” dhe emisionin për “Shqiptarët jashtë Atdheut”. Ky zë dëgjohej me vëmendje për shumë arsye. Radiovalët e “Zërit të Amerikës” dhe “Radio Tiranës” tingëllonin fuqishëm në veshin dhe shpirtin shqiptar. Amerika paralajmëronte demokracinë, ndërsa Shqipëria diktaturën e proletariatit. Radiovalët e këtyre dy radiostacioneve përplaseshin atje diku mbi Atlantik. Por, Radio Tirana filloi të bëhet shumë e dëgjueshme tek shqiptarët e Amerikës pas ngjarjeve tragjike të Kosovës në pranverën e vitit 1981. Transmetimet e tyre për ngjarjet në Kosovë ishin shumë të fuqishme. Ishin frymëzim për demonstrata e aktivitete të tjera këtu në Shtetet e Bashkuara. Ata që ishin të interesuar për ngjarjet tragjike në Kosovë e dëgjonim Radio Tiranen, pavarësisht propagandës politike tepër monotone dhe qesharake. Për gjendjen në Kosovë shkruanin dhe komentonin udhëheqësit politikë më të lartë të Shqipërisë, por edhe intelektualët dhe shkrimtarët e dalluar. Por, artikulli i shkrimtarit Ismail Kadare botuar në Zërin e Popullit për ngjarjet në Kosovë, i cili u transmetua nga Radio Tirana në pranverë të vitit 1981, pati jehonë te shqiptarët e Amerikës. Ismail Kadare i bënte një përshkrim të shkëlqyeshëm gjendjes në Kosovë. Por, shqiptarët e Amerikës u habitën për komentet e tija në lidhje me Gjergj Fishtën. Nuk e kemi tekstin e plotë të atij shkrimi, por po parafrazojmë nga ato që mbajmë mend nga ajo kohë. Ismail Kadare midis të tjerash shkruante se Shqipëria e kishte përjashtuar Gjergj Fishtën nga letërsia shqipe sepse në poezinë e tij kishte sulmuar sllavët. Ndërsa Jugosllavia vepronte të kundërtën, duke nderuar e shpërblyer në mënyrë të veçante shkrimtarët antishqiptarë, midis tyre M. Llalliqin, D. Qosiqin, e shumë të tjerë. Emrin e Gjergj Fishtës për herë të parë e dëgjuam nga Radio Tirana. U gëzuam shumë. Kështu fituam edhe më shumë respekt për Ismail Kadarenë. Për këtë çështje kemi biseduar me zotëri Kadarenë gjatë një vizite në Paris, në fund të dhjetorit të vitit 1994. I erdhi mirë që e kishim vënë re atë koment. Kështu filluam një bisedë të gjatë për Gjergj Fishtën. Gjate një debati, ndonjëherë edhe të ashpër, në lidhje me Fishtën, Kadare tha: “Gjergj Fishta për shqiptarët është njësoj si Viktor Hugo për francezët” dhe shtoi se një klerik katolik mund të jetë poet i mrekullueshëm, por jo shkrimtar i madh, sepse nuk e lejon detyra fetare. Rrëfimi i besimtarit përpara meshtarit katolik është tepër sekret dhe në vepra letrare mund të duken të dyshimta. Ndërsa poezia për ta është më e lehtë edhe nga pikëpamja fetare. Për këtë Gjergj Fishta e kishte të vështire të ishte shkrimtar i madh, pohoi Kadare. Respekti i shqiptarëve të Amerikës për Ismail Kadarenë po shtohej gjithnjë e më shumë për shkak të veprës së tij “Krushqit janë të ngrirë”. Në atë kohë ishte vepra më e rëndësishme letrare për ngjarjet tragjike të Kosovës. Shumë gazeta dhe revista botuan shënime dhe komente për këtë vepër, midis tyre edhe revista letrare amerikane “World Literature Today”. Ne të Zërit të Amerikës na vinte mirë kur lexonim shkrime të tilla për ndonjë shkrimtar shqiptar. Disa shtëpi botuese telefonin dhe kërkonin informata për çështje shqiptare dhe për shkrimtarët shqiptarë, sidomos për Ismail Kadarenë. Kështu fillova bashkëpunimin me shtëpinë botuese amerikane “New Amsterdam Press”, në New York, që ishte shumë e interesuar për botimin anglisht të disa prej veprave të Kadaresë. Disa nga ato vepra i kisha në bibliotekën time. Pronarët e kësaj shtëpie botuese ishin shumë të ndershëm dhe dasha mirë të kulturës shqiptare. Ata kërkonin të gjitha veprat letrare të shkrimtarit tonë. Për t’ua plotësuar dëshirën vendosa t’i bëj një telefonatë Misionit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në lidhje me këtë çështje. I pyeta si mund t’i gjejmë veprat komplete të Ismail Kadarese? Përgjigjja e tyre ishte tepër e vrazhdë: “Ne nuk kemi asnjë lidhje me Shtetet e Bashkuara dhe as që do të kemi kurrë”. Dhe menjëherë e ulën telefonin. Më vonë furnizimin e bëmë me kompletin e Kadaresë botuar në Prishtinë. Në tetor të vitit 1989 botuam anglisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit” dhe dërguam dy kopje në Shqipëri, një për Akademinë e Shkencave dhe një për Ismail Kadarenë. Në këtë kohë, Zëri i Amerikës filloi lidhjet telefonike me Tiranën. Disa gazetarë u lejuan të vizitojnë Shqipërinë, midis tyre edhe miku im David Binder i gazetës “The New York Times”. E kisha takuar përpara se të shkonte në Shqipëri në dhjetor të vitit 1989. Iu luta që ta takonte Ismail Kadarenë dhe të na sillte telefonin e tij. Në një shkrim që kishte dërguar nga Tirana, tregonte për gjendjen në atë vend. Ai shkruante në gazetën “The New York Times” se kishte kërkuar ta takonte Dom Nikollë Troshanin, por autoritetet shqiptare nuk e kishin lejuar. David Binder i ishte ankuar Ismail Kadaresë për këtë çështje. Sipas shkrimit në këtë gazetë të madhe amerikane, Kadare i kishte thënë: “Pse nuk të kanë lejuar? Dom Nikollë Troshani nuk i ka bërë asnjë të keqe Shqipërisë”. Kjo fjali e Ismail Kadaresë, botuar në gazetën “The New York Times” në fund të dhjetorit të vitit 1989, ma shtoi edhe më shumë respektin për shkrimtarin tonë. David Binder më solli telefonin e shtëpisë së zotëri Kadaresë. Një pasdite vendosa t’ia bëj një telefon nga Zëri i Amerikës në New York. Ishte ora 9 e mbrëmjes në Shqipëri. Ai vet e mori telefonin dhe pyeti kush ishte. I tregova emrin dhe qytetin prej ku flisja, por nuk i tregova se isha i Zërit të Amerikës. Kisha frikë nga pasojat që mund të pësonte. Ai më tha: “Po ju njoh. Ju jeni i Zërit të Amerikës”. Unë fillova të bisedoj për botimin anglisht në New York të “Kronikës në Gur” dhe “Prillit të Thyer”, si dhe për komentet që po u bënte shtypi amerikane këtyre dy veprave letrare. U gëzua shumë për këtë. Pas 5 minutash u pre lidhja jonë telefonike. Por, përsëri e mora një gjysmë ore më vonë. Atëherë filloi të ankohej se Zëri i Amerikës po e sulmon keq nëpërmjet atyre intervistave që po zhvillon me disa të arratisur nga Shqipëria. “Akuzat e tyre janë të pabaza”, tha Kadare. “Sipas tyre, unë jam pengesë e demokratizimit të Shqipërisë, dhe kjo nuk është e vërtetë”. Më porositi që të flisja me Elez Biberajn në lidhje me shqetësimin e tij. Unë menjëherë bisedova me Elezin. Zotëri Biberaj më tha: “Fol nesër me Kadarenë dhe pyete nëse do të na jepte një interviste”. Të nesërmen e pyeta dhe Kadare ishte i gatshëm të bisedonte me “Zërin e Amerikës”. Pak ditë më vonë u dëgjua zëri i tij shumë i fuqishëm për demokratizimin e Shqipërisë. Kështu filluan lidhjet e Kadaresë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një fjale e urtë amerikane thotë: “Marrëdhëniet korrekte janë mbi të gjitha”.