Albspirit

Media/News/Publishing

Gjeneral Belisariusi i Ilirisë, kush ishte “romaku i fundit”

 

Gjenerali i fundit i madh i Romës. Belisari, i quajtur shpesh ‘Romaku i fundit’ pasi ëndërronte ri-bashkimin e dy perandorive te ndara Romë – Bizant, lindi në një familje ilire dhe e filloi karrierën e tij ushtarake që në moshë të re, duke shërbyer si truproje personale e perandorit iliro-romak Justin I.

Nga familja e varfër ilire ai bëhet gjenerali  më i fuqishëm të Perandorisë Bizantine. Pse cilësohet në rangun e Cezarit dhe të Aleksandrit.

Nga Joshua J. Mark

Flavius Belisarius ishte një gjeneral i Perandorisë Bizantine që jetoi gjatë shekullit të 6 pas erës sonë. Ai njihet si një prej gjeneralëve më të mëdhenj të Perandorisë Bizantine. Ai gjithashtu është një nga kandidatët për titullin “I fundit i romakëve” që do të thotë personi i fundit që mishëronte vlerat më të mira të Perandorisë Romake. Nëse emri i Belisarit rezulton të jetë më pak i njohur se ushtarakë të famshëm, si Jul Cezari e Aleksandri i Madh etj., kjo me siguri ka ndodhur për shkak të mungesës së vëmendjes në masën e duhur nga historianët e asaj kohe të vështirë në të cilën ai jetoi. Gjenialiteti ushtarak i Belisarit del më shumë në pah nëse marrim parasysh faktin se ai arriti të korrte fitore të jashtëzakonshme, pavarësisht se në fushatat e tij ushtarake qe mbështetur pak e shpeshherë aspak nga perandori Justiniani I, i cili i kishte zili fitoret e tij të bujshme e të herëpashershme, që në njëfarë mënyre e linin në hije figurën e tij perandorake. Historianët theksojnë se asnjë gjeneral që nga koha e Cezarit nuk ka fituar kaq shumë beteja me kaq pak burime të kufizuara në fonde dhe burra sa Belisariusi. Të rrallë kanë qenë ata që e kane kaluar atë për strategji dhe taktika, për popullaritetin me burrat e tij dhe mëshirën ndaj armiqve të tij. Historia e Belisariusit ndahet në tre pjesë – fillimet e tij të përulura, ngjitja drejt pushtetit, dhe rënia.

Fillimet e tij

Belisari lindi në vitin 500 në qytetin Miria të Ilirisë nga prindër te varfër dhe ndërroi jetë më 565 në Kostandinopojë. Historiani Eduard Gibbon, në veprën e tij “Historia e Rënies së Perandorisë Romake” shkruajti se Belisarius lindi dhe ndoshta u arsimua në mesin e fshatarëve trakas. Për shkak të suksesit të tij të mëvonshëm në rimarrjen e provincave afrikane për Perandorinë Bizantine, Gibbon e quajti Belisariusin si “Afrikanusi i Romës së re”, një referencë për gjeneralët e mëdhenj të Republikës Romake, Scipio Afrikanus dhe nipi i tij i adoptuar me të njëjtin emër, të dy të përfshirë në fushatat kundër kartagjenasve në Afrikën e Veriut. Ndryshe nga këta romakë, megjithatë Gibbon vë theksin tek fillimet modeste të Belisariusit duke shkruar se ai nuk kishte avantazhet që kishin Scipio dhe nipi i tij: origjinë fisnike, studime liberale dhe rivalitetin e një shteti të lirë. Kur ishte i ri, Belisarius u bë ushtar dhe shërbeu si truprojë për perandorin bizantin Justin I. Edhe pse i kishte shërbyer perandorit plotë trimëri, ai akoma nuk ishte një figurë e shquar. Me vdekjen e Justin I në vitin 527, Belisarius hyri në shërbim të perandorit të ri, Justinian I. Pikërisht nga ky moment, fati i Belisarius ndryshoi, dhe pushteti i tij nisi të rritej

Ngjitja drejt pushtetit

Mundësia e parë e Belisariusit për të provuar vlerën e tij erdhi kur ai u emërua nga Justiniani në komandant të ushtrisë në lindje për t’u marrë me inkursionet nga rivali i madh i Perandorisë Bizantine, Sasasianët (Siria e sotme). Belisariusi arriti të mposhtte ushtrinë më të madhe sasasiane në vitin 530 në Betejën e Daras. Edhe pse Beteja e Kalinikumit në vitin 531 përfundoi me fitoren e Pirros për Sasanianët kundër Belisariusit, kjo lejoi të nënshkruhej marrëveshja e “Paqes së Përjetshme” mes dy fuqive vitin që pasoi. Si rezultat, për një periudhë kohore që zgjati deri në vitin 540 u vendos paqja mes Perandorisë Sasaniane dhe asaj Bizantine. Me vendosjen e paqes, Belisarius u lirua nga puna si komandant i ushtrisë në kufirin lindor, dhe u rivendos në kryeqytet, Kostandinopojë. Edhe pse humbja në Kalinikum ia zbehu pak reputacionin, mundësia e Belisariusit për të treguar veten erdhi në vitin 532. Pikërisht gjatë këtij viti shpërthyen trazirat Nika, që pothuajse rrëzuan Justinianin. Për tre ditë rresht Justiniani I u mbyll në pallatin e tij. Ai premtoi uljen e taksave dhe kërcënoi se drejtuesit e kësaj kryengritje do të kishin pasoja, por këto nuk bënë dobi, sepse kryengritësit kërkuan largimin e tij nga froni perandorak, duke shpallur ndërkohë si perandor Flavius Hypatius, djalin e motrës së perandorit Anastasi I. Në ditën e pestë kryengritësit arritën të kangjellat e pallatit perandorak, gjë që shkaktoi aq panik, sa perandori Justiniani I filloi të ngutej për t’u larguar nga Kostandinopoja. Në mënyrë shumë të fshehtë ai ngarkoi në një anije tërë thesarin perandorak dhe u bë gati të hipte në të, për të ikur një herë e mirë. Ishte bashkëshortja e tij Teodora ajo që e pengoi ta bënte një gjë të tillë. Ajo i dha zemër perandorit dhe arriti ta bindte që të mos largohej. Justiniani e mblodhi veten dhe menjëherë urdhëroi që kryengritja të shtypej me gjak. Gjenerali që e kishte për detyrë të mbronte pallatin perandorak ishte Narseti, por Justiniani ia caktoi detyrën për të shtypur kryengritjen Belisarit, i cili në atë periudhë qe katandisur në një oficer të thjeshtë. Belisari e rivendosi rendin me dhunë dhe e mbrojti me armë fronin e Justinianit I. Thuhet se në këtë ngjarje u vranë 35 mijë veta. Si shpërblim në vitin 533, Belisarius u dërgua për të rimarrë provincat afrikane, gjë që ai ia arriti brenda një viti. Kur u rikthye në Kostandinopojë, atij iu dha Triumfi Romak. Mendohet që ky të ketë qenë Triumfi i fundit Romak i dhënë ndonjëherë.

Pushtimi i Siçilisë dhe rebelimi në Afrikë (535–536)

Justiniani vendosi ta rimerrte sa më shpejt që të ishte e mundur Perandorinë Romake të Perëndimit, kështu që në vitin 535 ai urdhëroi Belisarin të sulmonte ostrogotët. Me të marrë detyrën e konsullit, Belisari zbarkoi në Itali në krye të 7200 kalorësve e 300 këmbësorëve dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ai pushtoi Siçilinë. Në pranverë u detyrua ta ndërpriste këtë fushatë, që synonte pushtimin e tërë Gadishullit Italik, sepse u detyrua të shkonte në Afrikë për të shtypur një kryengritje. Arriti në Kartagjenë vetëm me 1000 ushtarë dhe e shtypi me shpejtësi kryengritjen. Ende pa përfunduar mirë as kjo betejë, ai u dërgua sërish në Siçili për të shtypur një tjetër kryengritje që kish shpërthyer atje në mungesë të tij. Në këtë kohë mbreti i parë gotëve, Teodati, duke iu druajtur përplasjes me Belisarin, pranoi ta lëshonte përfundimisht Siçilinë. E jo vetëm kaq, ai ishte gati t’ia lëshonte ushtrisë bizantine tërë Italinë në këmbim të një pensioni prej 1200 librash ari. Ndërsa ishte gati ta bënte një gjë të tillë, erdhi lajmi se ushtria bizantine në Dalmaci kishte pësuar humbje, gjë që e shtyu Teodatin të ndërronte mendje. Kësisoj lufta për Gadishullin Italik vazhdoi.

Marrja e Napolit dhe e Romës (536–537)

Pasi nënshtroi përfundimisht Siçilinë, Belisari u hodh për të pushtuar tërë Italinë. Ushtria bizantine arriti në Napoli dhe e rrethoi qytetin. Një dërgatë përfaqësuesish të popullit të Napolit e këshilluan Belisarin që të mos humbte kohë me rrethimin e qytetit, por të vihej në kërkim të mbretit got, ta mposhtte atë e pastaj të kthehej për të marrë Napolin. Përgjigjja që u dha Belisari ishte: “Kur hyj në bisedime me armiqtë e mi, jam më i prirur të jap këshilla sesa të marr. Unë mbaj në njërën dorë shkatërrimin e pashmangshëm të Napolit, ndërsa në dorën tjetër mbaj paqen dhe lirinë, të cilat mund t’i shijoni edhe ju ashtu siç po i shijon ndërkohë Siçilia”. Qyteti u pushtua dhe u plaçkit. Në këtë kohë, për shkak të qëndrimit të tij pasiv dhe dyshimit për tradhti, mbretin got Teodati e kishin vrarë njerëzit e tij. Mbreti që e zëvendësoi ishte Vitixhi. Pasi fortifikoi Kumën dhe Napolin, Belisari u lëshua drejt Romës. Kur arriti në muret e saj, ai u prit si çlirimtar dhe portat e qytetit u hapën, pavarësisht pranisë së garnizoneve ostrogote që gjendeshin aty. Komandanti ostrogot i garnizonit të Romës u dërgua në Bizant që t’ia dorëzonte perandorit Justinianit I çelësat e Qytetit të Përjetshëm. Çlirimi i Romës nga bizantinët u festua me saturnale. Pas Romës ranë edhe disa qytete të tjera, si Narni, Peruxhia e Spoleto.

Rrethimi i Romës (537-538)

Mbreti got Vitixhi nuk kishte ndër mend të dorëzohej, kështu që vendosi ta ripushtonte Romën. Rreth dy milje larg mureve të Romës u zhvillua një betejë e ashpër mes bizantinëve dhe gotëve. Më në fund fitorja anoi nga bizantinët, të cilët masakruan më shumë se 1000 gotë, ndërsa të tjerët morën arratinë. Në këtë betejë u përhap fjala se Belisari qe vrarë, por në të vërtetë gjenerali vetëm sa qe plagosur, gjë që i dha zemër ushtrisë bizantine. Edhe pse e humbën këtë betejë, gotët nuk hoqën dorë nga dëshira për të ripushtuar Romën, ndaj e rrethuan sërish qytetin. Rrethimi zgjati plot një vit, por dështoi sërish. Gotët u tërhoqën me humbje të rënda. Më shumë se një e treta e ushtrisë së tyre humbi jetën.

Rënia e Ravenës

Në vitin 540 Belisari sulmoi Ravenën, kryeqytetin e ostrogotëve. Ndërkohë që kishte organizuar rrethimin e Ravenës, ai mori lajmin se Justiniani I kishte firmosur një traktat paqeje me gotët, i cili parashikonte që bizantinët të mbanin Italinë e Jugut deri në lumen Po, ndërsa Italia e Veriut nga lumi Po e sipër t’u mbetej ostrogotëve. Duke qenë se ishte i vendosur që ta çonte medoemos mbretin Vitixh të lidhur me pranga në Kostandinopojë, Belisari refuzoi ta pranonte këtë traktat dhe vazhdoi luftën. Në këto kushte, gotët i propozuan Belisarit që ai të bëhej mbreti i tyre në vend të Vitixhit. Belisari bëri sikur e pranoi këtë propozim, por synimi i tij i vërtetë ishte thjesht hapja e portave të Ravenës. Portat u hapën dhe trupat bizantine vërshuan brenda. Vitixhi u kap rob dhe u dërgua në Kostandinopojë së bashku me gruan e tij dhe me tërë thesarin që gjendej në Ravenë.

Akuzat për tradhti

Ishte perandoresha Teodora (e cila nuk ishte thjesht bashkëshortja e Justinianit I, por edhe një pjesëmarrëse aktive në qeverisjen e perandorisë) ajo që bëri që Belisari të binte në fatkeqësi. Një herë ndodhi që perandori Justiniani u sëmur dhe disa komandantë hapën fjalën se, nëse në Bizant do të zgjidhej si perandor një tjetër Justinian, ushtarakët do t’i kundërviheshin. Kur perandori u shërua, komandantët thanë se këto fjalë kishin dalë nga goja e Belisarit dhe e Buces, një gjeneral bizantin me origjinë nga Traka. Perandoresha Teodora, e cila mendonte se në mënyrë të tërthortë këto fjalë kishin lidhje me të, i thirri që të dy, Belisarin dhe Bucen. Si rezultat, Bucen e prangosi dhe e mbylli në një burg të nëndheshëm, ku vuajti në kushte çnjerëzore për dy vjet e katër muaj dhe doli krejtësisht i shkatërruar fizikisht. Kundër Belisarit nuk u gjet asnjë provë, megjithatë perandoresha Teodorë nuk hoqi dorë nga synimet e saj kundër tij. Ajo arriti t’ia mbushte mendjen Justinianit I që ta shkarkonte nga detyra e komandantit të ushtrive të Lindjes, t’ia largonte truprojat e shërbëtorët, t’ua hiqte të drejtën miqve të tij që të shkonin për ta takuar, si dhe t’ia konfiskonte tërë pasurinë. Në veprën e tij “Historia e fshehtë” Prokopi shkruan: “Një ditë te Belisari erdhi një oborrtar, i cili i solli një letër nga perandoresha Teodorë. Në letër thuhej: Ti e di mirë se si më ke trajtuar mua, i dashur, por ja që unë kam shumë detyrime ndaj bashkëshortes sate. Kësisoj kam vendosur t’i asgjësoj akuzat që bien mbi ty dhe të fal jetën. Nga ky çast mund të qetësohesh sa i takon shpëtimit të jetës dhe të pasurisë sate. Tashti le të shohim se si do të sillesh me të këndej e tutje.”

Rënia e Belisarius

Në vitin 562, Belisarius u akuzua për korrupsion dhe u dërgua në burg. Megjithatë më vonë u fal nga Justiniani, iu rikthyen nderimet dhe iu dha sërish e drejta për të qëndruan në oborrin perandorak bizantin. Sipas një legjende, që sot konsiderohet pak e besueshme, Belisari u verbua dhe u detyrua të endej rrugëve duke kërkuar lëmoshë. Gjithsesi, sipas dokumenteve të kohës, rezulton se disa muaj më vonë, më 19 gusht të vitit 563, Justiniani I e çliroi Belisarin nga akuzat dhe ia riktheu të gjitha nderet që i takonin brenda oborrit perandorak. Sado që pjesa më e madhe e historianëve e kanë përgënjeshtruar legjendën e verbimit, pas botimit të rrëfimit me titull “Bélisaire” (1767) të Jean-François Marmontel, historia e verbimit u bë një temë shumë popullore për piktorët e shekullit XVIII, mes të cilëve përmendim Jacques-Louis David me pikturën e tij që ka diçiturën “Belisari kërkon lëmoshë” (1781) dhe François Gérard me një pikturë që ka diçiturën “Belisari” (1795). Autorë të tjerë, si Van Dyck e Salvator Rosa, realizuan piktura që kishin si subjekt Belisarin duke lypur. Në kontekstin e verbimit, emri i Belisarit nisi të përmendej gjerësisht si një simbol që padiste dhe dënonte mosmirënjohjen që mbretërit e perandorët tregojnë ndaj njerëzve që u shërbejnë me përkushtim. Gjenerali i madh ilir i Bizantit ndërroi jetë në Kostandinopojë më 13 mars të vitit 565, duke hyrë në histori si një ndër strategët më të mëdhenj ushtarakë të të gjitha kohërave.

Please follow and like us: