“Kërkoj çifte për shoqëri!” A po shkojmë drejt lidhjeve të hapura?
Dikur, bëhej kështu: Djali e studionte, ia vinte syrin vajzës, e më pas e ndiqte nga mbrapa këmba- këmbës; nuk i ndahej derisa… vajza pranonte… të bënte një bisedë me të. Fundja, të gjithë thoshin se ai është djalë i mirë, por edhe familjen ashtu e kishte. E pse të mos i fliste?! E kështu, ulur në një stol lulishteje ngjizej edhe fëmija i parë… Hm! Prisni! Të mos i ngatërrojmë gjërat… Ulur në një stol lulishteje bëhej biseda. Pasi bëhej biseda, bëheshin edhe dy- tre biseda të tjera për të marrë kështu një vendim. Fundja duhet të mendohej mirë përpara se të vendosje se “ai” është “AI” (i duhuri) dhe “ajo” është “AJO”.Vëllai e kishte me sy të mirë, por edhe motra gjithmonë kishte thënë se ai djalë është për t’u pirë në kupe. Babai, që kishte gjithmonë fjalën e fundit, gjithashtu dukej i kënaqur.Vazhdimi dhe përfundimi dihen.
Në Shqipëri, vitet e liberalizmit post- komunist, liberalizëm që erdhi me furi të madhe, si tajfun, natyrisht nuk e lanë pa një çik amerikanizim edhe ‘dashurinë’. Kjo e fundit, kishte ngjyrime dhe variacione nga më të ndryshmet, natyrisht me lëndën e parë taze marrë prej filmave aksion, ku personazhi i gruas vrastare e dënoi burrin të vuante përjetësisht– në mos të shndërrohej- të paktën të dukej, si Herkul. Burri me trup të skalitur dhe muskuj të fryrë, që po të ishte nevoja rrëmbente, por edhe vriste në emër të dashurisë, ishte pra modeli mbizotërues i viteve ’90. Sa e sa vajza e gra janë rrëmbyer kështu në emër të dashurisë… sa e sa djem e vëllezër i është dashur të bëjnë njëkohësisht edhe truprojen me qëllim për të ruajtur gratë dhe motrat e tyre nga dashuria e krisur e Herkulave. Por, situata komplikohej ca më keq kur ‘dhuna’ ndonjëherë rrallë e tek sikur fasiononte vajzat, pra këto të fundit zgjidhnin “djalin e keq” para djalit të mbarë e pa zarar. Këtu vëllëzërit dilnin tepër, por megjithatë për ata ishte jashtë çdo norme estetike, që “djali i duhur” të mos kalonte të paktën një herë në sitën e drurit, që gjithsesi provonte përsëri dashurinë me vetëmohim për motrën. E në fund e gjitha, sigurisht përmbyllej në një kafe “pajtimi” me familjen e vajzës.
Pastaj, ishin “vajzat e mbara”. Vajza, që duhet të mbaronin një herë studimet, e gjatë kësaj kohe nuk duhej në asnjë mënyrë që koka të merrte për majats apo djathtas, por vetëm pingul mbi libër.Vajza, që në rastin më “fatlum” studiuan në një dhomë me shokun e tyre të kursit, e po ashtu së bashku përfunduan ‘burrë e grua’. Apo në rastin më fatkeq, vajza, që deri vonë e ruajtën me fanatizem ‘puthjen e parë’ për ditën e martesës… e cila nuk erdhi kurrë.
Dhe, ja ku jemi në vitet e mileniumit të ri, vitet e një brezi paksa më ndryshe përsa i përket perceptimit të marëdhënieve në çift dhe lidhjeve dashurore mes partnerëve. E gjithë promotorja e këtij ndryshimi duket se është pikërisht gruaja.
Gratë e sotme, ndryshe nga më parë, nuk qëndrojnë më në pozita pasive përsa i takon gjetjes së një partneri të përshtatshëm. Ndërsa nga ana tjetër edhe burrat, janë më të vëmendshëm se kurrë për të zgjedhur një partnere që ia del mbanë vetë. Raporti në çift ka ndryshuar ndjeshëm, por kjo nuk përjashton gjithsesi që ende, edhe sot, ka vajza të reja në pritje – rrugëve apo kafeneve të kryeqytetit- ku vritet rëndom koha, e ku ‘peshkojnë’ edhe ndonjë ‘princ’ të rastit.
Por, kjo është vetëm faqja e dukshme e asaj që mund të quhet: marëdhënie në çift.
Historikisht, ambicja për të sfiduar natyrën duke e vendosur njeriun në të njëjtin piedestal me të, ka qënë e do të jetë përherë mjaft tunduese. T’i hipësh natyrës në qafë duke imponuar norma të reja, të panjohura nga ajo, që përkundrazi e asgjesojnë apo ta kapërcesh atë si një domosdoshmëri evolutive në vetvete? Apo të rishpikësh natyrën, si një rebelizëm ndaj vetes e ndaj saj?! Kjo është një pyetje (pa pyetje), përgjigjja e së cilës do të mbetet gjithsesi e pashterueshme.
Dua çifte për shoqëri…
Dikur, rubrika “djemtë kërkojnë vajza” dhe “vajzat kërkojnë djem” ishte një ndër më të frekuentuarat nga rinia, por edhe moshat më të thyera që donin pak ngrohtësi. Takimi mes “të panjohurve” realizohej fare lehtë, diku në një bar, ku partnerët duhet të kishin disa simbole dalluese ekstra për të njohur njëri- tjetrin. Zakonisht ngjyra të caktuara ndihmonin për të shquar shokun apo shoqen. Kërkesa ishte fare e thjeshtë, madje pa pretendime: sinqeritet! Paçka se pas takimit të parë, njëri nga partnerët “potencialë” kuptonte që njeriu që i ishte ulur përballë për t’i hapur zemrën në mirëbesim, në fakt ishte veçse një hajdut prestigjator. Por, kjo është një tjetër histori…
Tani, gjërat janë thjeshtëzuar shumë. Mjafon një klik në rrjetin çudibërës facebook dhe një botë e tërë mundësish hapet përpara teje. Të gjithë, i madh e i vogël, munden të flirtojnë siç ia u ka ënda në virtualitet, të fshehur pas ndonjë identiteti të rremë, por edhe ballazi në mejdan. Opsioni ‘poke’, krijuar enkas për këtë qëllim, është një sinjal fare i qartë që dikush aty mbrapa ka dëshirë të flirtojë me ty.
Megjithatë, ndoshta jo të gjithë e dinë, se në rrjetin facebook ekzistojnë faqe që kërkojnë haptasi: shkëbim çiftesh. “Dua çifte për shoqëri”, “Dua çifte” etj, janë vetëm disa nga opsionet e shumta që mund të gjesh nga një kërkim, në hapësirën: search.
“Më pëlqen të lidh miqësi me një çift intelektual, per t’ja kaluar mire e për të plotësuar dëshirat. Shkoj vetëm me femrën në shtrat. Numri im është 069…….”
(Natyrisht, shkrimi i mësipërm është paksa i korrigjuar nga versioni origjinal)
Swingers
Të gjithë e dinim se tashmë në Europë prej kohësh ekzistojnë vende të mirëfillta shkëmbimi, pra vende ku çiftet në një marëdhënie të hapur kërkojnë kënaqësi të reja, të cilën me gjasa e gjejnë duke i ofruar për një natë partnerin apo partneren një “të huaji” i cili po aq bujarisht dhuron për një natë partneren e tij.
Për të shkuar pak më tej, vetë epshet dhe dëshirat më ekstreme njerëzore, kanë bërë që çiftet shkëbyese, tanimë të mund të kenë edhe resorte të tëra, të përshtatura enkas për ata. Natyrisht, këto jane vende ku lejohen vetëm njerëz në moshë madhore, që duan t’i kalojnë pushimet në shoqërinë e njëri tjetrit. Zakonisht i gjithë resorti, është në dispozicion të kërkesave të tyre të cilat variojnë nga vuajarizëm, ekzibicionizëm, orgji e deri në “Game of Thrones”. Mbase, kjo e fundit më pak.
Por, këto resorte që mund të gjenden lehtësisht nga të interesuarit, nga një kërkim online, kanë gjithashtu edhe disa rregulla të qarta, që duhet të respektohen rigorozisht prej atyre që zgjedhin të shkojnë.
A funksionojnë marëdhëniet e hapura?
Në filmin aq të dashur për gratë: “Sex and the city 2” personazhi i Carrie Bradshshaw me Mr. Big, duket se pësoi tronditjen e parë, pikërisht kur ky i fundit i propozoi që në fundjavë të funksiononin si një çift krejt i lirshëm nga detyrimet e përditshme rutinare në familje; pra me pak fjalë, secili të shihte jetën e tij…
Por, si e përjeton në realitet një cift i hapur, të qënit të tillë, në një shoqëri relativisht të mbyllur dhe patriarkale:
Ajo: “Mendoj se esenca e lidhjeve të hapura, në pergjithësi ka të bëjë me natyrën e njeriut. Nuk flitet për këto gjëra. Nuk është asgjë e prerë me thikë, nuk ka të bëjë me një vendim që sillet ad hoc. Për mua liria nuk është dicka që shtrihet në horizontale, por në vertikale. Të qënit njeri i lirë, s’lidhet me tjetrin, s’ka te bëjë fare me vendimet e planet e tjetrit. Fat ështe kur takon dikë si vetja, ku botëkuptimi i tij për jetën është i ngjashëm me tëndin. Vendimi merret që natën e parë që fle me një të panjohur dhe me pas të pëlqen ta takosh herë- pas here, pastaj më shpesh… e kështu.”
Ai: “Ndryshon nga rasti ne rast dhe nga personi ne fjalë. Tradicionalisht, mendoj që meshkujt dhe femrat e mentalitetit shqiptar (ndoshta dhe më gjerë) dallojnë në mënyrën se si i perceptojnë fillimet e lidhjeve. Duke u bërë pre e gjeneralizimit, them që shumica e meshkujve në shumicën e rasteve shtyhen nga fiziku i partneres së dëshiruar, dhe në këtë fazë, hamendja për një lidhje serioze të gjatë thuajse nuk ekziston fare dhe e njëjta bëhet faktor përllogaritjesh pak me vonë në lidhje. Ndërsa te femrat, në kete faze, përpos tërheqjes fizike, vendoset në “lojë” një dozë analize dhe projektimi mbi “prenë” dhe kandidaturën për “material martese.” Lidhjet e hapura janë një lloj rebelimi dhe çlirimi nga ky lloj projektimi dhe pritshmërie që normat tradicionale i imponojnë mbi ne që nga fëmijëria.”
Ajo: “Të jesh në një lidhje të hapur ështe jetë, dhe s’eshte lidhje, ngulfatje . Lidhjet e hapura të kthejnë kah vetja, dhe nëse tjetri bie dakord me gjërat qe do të besh thjesht nuk ka asgjë të pamundur , është një lloj çlirimi ndaj çdo lloj paragjykimi. Derisa mund te shkosh në qiell te hapur, aq dhe në këtë lloj lidhje, e pakufishme.”
Ai: “Kufijtë e nje lidhjeje të hapur, që nuk do ta quaja “ekperimentale”, pasi funksionon në çdo vend dhe në cdo shtresë te botes, i vendos pak a shumë mentaliteti i shoqerisë së qytetit në fjalë. Sa më tradicional, në kuptimin negativ të fjalës, aq me te shkurtra këto “eksperimente” dhe aq me shumë u lënë vendin lidhjeve ekstra- martesore.”
Opinione të njerëzve nga kombe e kultura të ndryshme
“Po atëherë pse duhet martesa? Martesa ka të bëjë me të qënit vetëm me një person, duke e dashur dhe respektuar vetëm atë.” G. H. (femër)
“PO! Është gjeja e duhur për t’u bërë. Pse duhet të ketë tradhti dhe zhgënjim në çift, kur shumë mirë partnerët mund t’i flasin njëri- tjetrit hapur, edhe mbi marrëdhëniet jashtëmartesore. Nuk do jem kurrë në një marrëdhënie martese tradicionale.” K. L. (femër)
“Martesa kuptohet vetëm në monogami. Ajo është një rrugëtim spiritual e metafizik i pastër i cili duhet ndarë vetëm mes dy personave. Versioni tjetër, është thjesht një lifestyle i cili nuk mund të ndiqet përgjithmonë. Njeriu ka nevojë të ndjehet i plotësuar me vetëm një partner në krah.” E. H. (mashkull)
“Funksionon vetëm në teori: disa partnerë seksualë dhe vetëm një partner emocional, pra besnikëri vetëm ndaj tij. Por, eksperienca ka vërtetuar se herët apo vonë do të nxjerrë kokën xhelozia e njërit prej partnerëve, e me siguri marrëdhënia do të shkatërrohet.” T. B. (anonim)
A ka këtu te ne çifte të hapura…
Po, ka çifte të hapura…që në fakt thonë se janë të hapura. Burra, që duke u bazuar në disa zakone fetare marrin dy gra, i mbajnë të dyja në një shtëpi, e madje ato bëhen edhe mikesha me njëra-tjetrën… Por, ndoshta këto lloj martesash treshe nuk kanë të bëjnë aspak me atë çfarë koncepton termi “lidhje e hapur”… Rasti i fundit, kur një burrë nga Mirdita u arrestua pasi kishte krijuar një lidhje treshe me gruan dhe të dashurën…”uau!” bënë të gjithë! Dhe ai nuk u arrestua për këtë, kjo është punë e tij… por, u arrestua se e dashura e akuzoi për presion me foto. Të gjithë ngritën supet: pse ka edhe kështu?! E në fakt paska. Në mes të Tiranës ndoshta janë më të kujdesshëm, nuk përfundojnë në faqet e gazetave, por ja që disa syresh u shfaqen dhe publikut për ti thënë se marrdhënia në çift ka ndryshuar… nuk është më ajo që ne kemi mbrujtur në kokë dhe në jetën reale nga familjet tona tradicionale.
Problemi fillon kur, kjo “hapje” shitet në treg me çmim të shtrenjtë, pra tenton t’i imponohet shoqërisë si modernitet, si trend, si rrjedhim i natyrshëm i të qënit i çlirët, i lirë dhe pa ato komlekset e dëmshme që shoqërojnë gjatë gjithë kohës çiftet monogame… Hm! Po sikur të guxonim pak më tej e në rastin e dytë t’i quanim ato, thjesht lidhje të konsumuara deri në pikën e fundit? Po sikur të guxonim edhe më, duke pohuar se: vjen një kohë e kontrolli i partnerit apo partneres duke e lënë atë “të lirë” është në fakt shumë më sfilitës se vetë një marrëdhënie që konsumon ndjenja, për aq sa ato zgjasin?!
Sigurisht që një e vërtetë e hidhur është gjithnjë më e vështirë për t’u artikuluar se një gënjeshtër e bukur, por fatkeqësisht duhet, jo më shumë “për të hapurit” se sa për ata që besojnë ende tek liria e një raporti të shëndetshëm mes dy njerëzish. E në fakt druaj në ekziston liri tjetër, përpos kësaj.
Dikur zgjidhej njeriu, por vetëm kjo nuk e bënte lumturinë. Sot zgjidhet liria, liria e zgjedhjes për të ndarë seks apo edhe ndjenja me të dashurin/ të dashurën. Por, duke pasur shumë kujdes ama, që të mos ngatërrohemi keqazi në ndonjë surrogato të asaj lirie, që pak ose aspak ka të bëjë me lumturinë.
Poligamia në shoqëritë primitive
Pluralizmi i martesave, siç do të quhej më vonë nga mormonët e shek. 19 në SHBA, është një praktikë tejet e njohur dhe e hershme e martesave në shumës, e cila i ka fillimet e veta që në Kinën e vjetër e më pas edhe në Polinezi, Afrikën perëndimore, Indi dhe Greqinë e lashtë. Dy rrymat kryesore mbizotëruese; poliandria dhe poligjinia, ku përkatësisht lejohej që gruaja të kishte më shumë se një partner- praktikë më e rrallë kjo- dhe në rastin tjetër që burri të mund të kishte më shumë se dy partnere gra. Në thelb, e gjitha, është një traditë që argumenton nevojën biologjike, gati instiktive të burrit për të lënë sa më shumë pasardhës.
Mormonët e Amerikës e manifestonin lirinë e tyre, brenda kuadrit të besimit në fenë kristiane, pikërisht duke lejuar martesat me disa partnerë, e duke krijuar njëkohësisht një derivat paksa kontrovers me kristianizmit klasik.
Në shoqëritë primitive, seksi ndahej me të gjithë e kudo. Liria e shthurjes deri në orgji, natyrisht kishte të mirën e vet, duke krijuar një farë solidariteti të veçantë mes njeriut dhe kafshës. Por ama, domosdoshmërinë për kufizim e solli pikërisht civilizimi. Nevoja për të parë përtej kafshës, solli një rikonceptim të lirisë së njeriut; pra jo thjesht të ndash sensualitet, por edhe akte dashamirësie apo dashuri, që rivendos kshtu rregullin mbi kaosin, njeriun mbi kafshën dhe plotërinë e dashurisë mbi seksin.