Albspirit

Media/News/Publishing

Lasgush Poradeci: Vrapojnë zemrat

 

Me sulm të ri, me shpirtin plot
Ti bën një vrap për t’udhëtuar.
Bën dhe një si vjet dhe sot,
Dhe një dhe mot e papushuar.

Dhe nuk u pyet për ngaj po shkon,
Që ngaj po vjen ngaj të fryn era.
Veç udhëton, veç përparon,
Si vjet e sot e mot përhera.

Dhe ik…e ik…e ik…e ik…
E ja! këputet zemr` e shkretë.
E ja! përshembet vrap i lik
E bje përmbys përgjithëjetë.

E pa t’u tharë pika lot,
Vrapojnë zemërat e tjera,
Me sulm të ri, me shpirtin plot,
Si vjet e sot e mot përhera.

Please follow and like us: