Albspirit

Media/News/Publishing

Sherif Delvina: Kisha serbe në Kosovë përgjatë rrjedhave të historisë

Serbët, në opinionin ndërkombëtar, kur flasin për të drejtat e tyre mbi Kosovën, ngrejnë çështjen e kishave dhe të manastireve serbe në Kosovë. Për t’iu kundërvënë këtij mashtrimi serb, duhet që më parë t’u bëjmë të ditur lexuesve ndarjen e periudhës së historisë së Mesjetës. Ajo ndahet në tri periudha:

  1. Periudha e hershme e historisë së Mesjetës përfshin harkun kohor që fillon nga rënia e Perandorisë Romake deri në fund të shekullit XIV. Serbët pushtuan Kosovën në fillim të shekullit XIII, ndërsa në fund të shekullit XIV ata ishin kthyer në vasalët më të bindur të Perandorisë Osmane. Kështu që, i dokumentuar historikisht, pushtimi i Kosovës zë pjesën më të vogël të fazës së parë të historisë së Mesjetës.
  2. Periudha e Mesjetës së zhvilluar, (nga shekulli XV deri në gjysmën e parë të shekullit XVI). Në këtë periudhë pjesa më e madhe e popullit shqiptar, në të gjitha trojet etnike, ishte ende e besimit të krishterë.
  3. Periudha e Mesjetës së vonë, nga gjysma e shekullit XVI deri në fund të shekullit XVII.

Franz Babinger-i në “Mehmeti II Pushtuesi dhe koha e tij” Giulio  Einaudi editore pohon: “Me të drejtë është cilësuar viti 1453 si kufi ndarës midis Mesjetës dhe Kohës së Re”.

 Vlen të theksohet se gjatë tri periudhave të Mesjetës nuk pati asnjë ankim të dokumentuar nga ana e kishës serbe në drejtim të shqiptarëve.
 Kisha serbe në kohën e sundimit osman kaloi në pozita tepër favorizuese. Atë e përkrahu edhe veziri i Perandorise Osmane, serbi Mehmet Sokoloviç, ish-seminarist i një manastiri serb. Popullsia shqiptare gjithmonë i ka ruajtur kishat serbe, madje edhe gjatë periudhës që shumica e saj kaloi në fenë islame. Manastiri i Pejës, i cili qe selia e Patrikanës Serbe, mbante marrëdhënie të ngushta me shqiptarët e zonës malore të Rugovës, e cila u bë strehë e Patrikut Arsen IV më 1737, në kohën që ai ndiqej nga turqit.

Këta shqiptarë vazhdonin të siguronin me truproje, mbrojtjen e Patrikanës, si edhe Manastirin e Deçanit. (“Saga e Kosovës, fokus në marrëdhëniet shqiptaro-serbe”, Aleks N. Dragniç dhe Sllavko Todoroviç, monografi për Europën Juglindore, shpërndarë nga Universiteti i Kolumbias, New-York, 1984). Marco Dogo në revistën “Identitetet kombëtare Ballkanike, me një perspektivë historike, (Ravenë, 1998), duke folur për literaturën historike që u përket myslimanëve të Ballkanit, pohon: “Me sa dimë, i vetmi rast  që është lënë pas dore  është vepra e Çubrilloviqit, shkrimet e të cilit  kishin për qëllim të paraqisnin  rregullsinë darviniane të modelit të deislamizimit, të miratuar nga shtetet ballkanike në luftën e tyre për pavarësi”. Nga sa thamë më sipër, del fare qartë  shpërblimi që sot i jepet popullsisë shqiptare të Kosovës për mbrojtjen nga ana e tyre të kishave serbe të Kosovës, si dhe minoritetit të tyre në këtë vend në kohën e sundimit osman, nga Serbia e Naçertanies dhe e Cubrilloviqit. Gjatë sundimit osman, në Kosovë kishën serbe e përkrahnin dhe spahinjtë serbë të krishterë. Spahinjtë e krishterë financuan një manastir që u ndërtua në Plevlja (sanxhaku i Novi-Pazarit). Një spahi tjetër financoi për pikturimin e Kishës së Apostujve të Shenjtë në kompleksin e Patrikanës së Pejës më 1633. Po kështu, dokumentohet ndihma e dhënë prej dy spahinjve të tjerë Milosh dhe Stojko (Kiel, “Arti dhe shoqëria”).

Edhe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane respektoheshin kishat serbe. Citojmë Evlia Çelebinë në “Shënime nga udhëtimi”,(Sarajevë, 1979,faqe 277). Autori gjendet në turben e sulltan Muratit I në Kosovë, së bashku me Maliq Ahmet Pashën: “Kur e pa këtë turbe Maliq Ahmet Pasha u hidhërua. Unë i gjori thashë: Imzot! Serbët për nder të të mallkuarit Millosh, i cili vrau këtu Padishahun, kanë ngritur tutje në mal një manastir, ku gjenden kandilet e qëndisura me margaritarë dhe temianica plot me ambrë me erë të ashpër meshash; me to kallogjerët ditë e natë shërbejnë mysafirët që vijnë e shkojnë. Vakëfet e këtij manastiri, janë të mëdha dhe të pasura. Turbeja e Padishahut  Gazi as ka vakëf dhe as ka personel të tij”.

Evlia Çelebiu, kur përshkruan vrasjen e sulltan Muratit, pohon: “Nga ushtria doli një i pabesë me emrin Millosh Kobiliq dhe vrau madhërinë e tij sulltan Muratin”. Pas tre shekujsh, Millosh Kobiliqi gëzonte një përmendore, kurse sulltan Murati I një turbe të braktisur.

Mjaft kisha serbe janë ndërtuar para se ta pushtonin serbët Kosovën: madje edhe në Rashë kisha e Shën Pjetrit dhe e Shën Pavlit është ndërtuar para ardhjes së serbëve, sepse sllavët nuk ndërtojnë kisha vetëm për dy apostuj;, por kisha të apostujve, po ashtu, mbishkrimet e gjetura në katundin Drenovë, afër Prepoljes, në gërmadhat e asaj kishe, janë të shkruara latinisht, çka flet për një kohë para shekullit X. Mbeturinat e kishës së Pustenikut të vjetër ne grykën e Kaçanikut, po edhe ato të kishës se Lipjanit, flasin për një kohe parasllave. Eshtë fakt i pamohueshëm se mjaft kisha në Kosovë, të ndërtuara në kohën e pushtimit sllav të Kosovës, janë ngritur mbi themele kishash të vjetra para sllave. E tillë është kisha e sotme e Shën Prendës në Prizren, që është ndërtuar nga mbreti Milutin në vitin 1307 mbi themelet e bazilikës së vjetër. Për shumë gërmadha kishash në rrethin e Stalaqit, arkeologët janë të mendimit se ato janë ndërtuar para kohës së Stefan Nemanjës, madje dhe themelet e kishës në fshatin Curlin afër Nishit, flasin për ndikime nga perëndimi. Po ashtu edhe kishat e luginës se Timokut në Bosnjë, si dhe kisha e vjetër e Prokuplies. Për këtë flet “Historia e Jugosllavisë”, vëllimi I, cituar nga Gaspër Gjini në “Ipeshkvia e Shkup-Prizrenit nëpër shekuj”, 1992. “Eshtë e njohur”, shkruan dr. Jahja Drançolli në “Rrënjët e qytetërimit iliro-shqiptar në Kosovë”, “Rilindja”, 10-12 shkurt 1999”, se Mbreti Milutin financoi rindërtimin e kishës së Zonjës Premte në Prizren dhe të Manastirit Graçanica, të njohura si ndërtime para serbe, të ngritura diku rreth shekujve VI-XI, të cilat sipas burimeve të rëndësishme konsiderohen si ndërtime katolike.

Po ashtu është ruajtur e dhëna për Dom Vitën me 30 gur skalitës (kupto  skulptorë). Ky klerik-skulptor ndërtoi manastirin e Deçanit. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen këtu është fakti se të gjitha punishtet e njohura të gurskalitësve, si për shembull ajo e Tivarit, Ulqinit, Kotorrit e Korçullës i mbanin mjeshtrat shqiptarë.

Në fillim të shekullit XIII u ndërtua Kisha e Apostujve. Në të vërtetë kjo kishë që sot gjendet në kuadër të kompleksit të kishave të Patrikanës së Pejës, sikurse këto dy të parat, është rikonstruksion i një ndërtimi të vjetër”.

Në një mbishkrim të viteve 1334-1335 në manastirin e Stefan Deçanit, përmendet protomaxhisteri Vita prej Kotorri si drejtues gjatë tetë vjetëve të punës ndërtimore në atë kishë. Këto kisha për të cilat bëhet shumë zhurmë në botë, deri në shekullin XIV nuk kanë asgjë të veçantë serbe. “Ndërtimet kishtare të dinastisë së Nemanjidëve, thetë Jireçeku, kanë stilin e Perëndimit”. Kisha me mermer të bardhë e Studenicës, sipas Kondakovit, është një përmendore me stil lombard të Dalmacisë. Vetë Deçani është një ndërtim i admirueshëm me ndërtesa ku alternojnë radhët e mermerëve me ngjyrë. Skulpturat-koka njerëzish, kafshësh, zogjsh, sheremendesh, janë perëndimore”.

Përsa i përket arkitekturës së kishave serbe, Jireçeku vë në dukje tek “Civilizimi serb në Mesjetë” (Paris, 1913, f.75): “Historianët e sotëm të artit dallojnë te Nemanjidët dy periudha – më e lashta është me tipare të arkitekturës romane, ndërsa më e vonshmja është ajo me shkëlqim të madh, me ndikim bizantin”. Arti mesjetar është krejtësisht fetar, nuk u zhvillua në një vijë të njëanshme. Mjaft kisha në Serbi janë të tipit bizantin. Kisha e Shën Kollit të Kurshumlisë na riprodhon tipin bizantin të kishës me kupolë me bazë katrore. Kjo kishë ka si stilin, ashtu edhe teknikën bizantine. Po kështu kisha e Zicës riprodhon polikroninë e modeleve të Konstandinopojës, kthesat e ndërtuara me tulla kjo kishë i ka si kishat e Greqisë dhe të Maqedonisë, por me navatën e saj të vetme ndjek modelin perëndimor. Kurse te kisha e Deçanit arkitektura serbe largohet më shumë se në çdo kishë tjetër nga modelet bizantine dhe, duke lidhur bazat bizantine me elementet perëndimore, ka krijuar përmendoren e vet më origjinale dhe piktoreske.

Përveç arkitekturës, rëndësia e kishës së Deçanit dëshmohet nga zbukurimet me gdhendje në dy portat, në atë nga jugu dhe në atë nga perëndimi dhe në dritaret e fasadës nga perëndimi. Në portën nga perëndimi, paraqitet Krishti në fron mes engjëjve, ndërsa në atë nga jugu pagëzimi i Krishtit, TREGOHET në  dritaren e Shën Gjergjit me Dragoin. Ky dekoracion është sipas stilit Italian, veçanërisht atë të Pulias, (krahinë në Italinë e jugut); të dyja portat janë vepër artistike e të njëjtit artist, edhe pse porta nga jugu duket më e vjetër. (Sestieri, “Kishat Mesjetare në Kosovë”). Vlen  të përmendet Sestieri edhe për kishën në Sopoçan. Ai thotë: “Në kishën e Sopoçanit (1272- 1276) të gjitha pjesët iu shtuan bërthamës fillestare. Ato mbuloheshin nga e njëjta çati, e cila jep qartazi përshtypjen e një bazilike: Ne e shohim në mënyrë të qartë përzierjen (ndërthurjen) mes formës Italiane dhe asaj të Adriatikut perëndimor me domosdoshmërinë e shpërndarjes së elementëve bizantinë në pjesën e brendshme të kishës.”

“Kjo kishë gjysmë e rrënuar na jep një dëshmi të çmuar mbi marrëdhëniet me Italinë, madje dhe përsa i përket pikturës. Dhe kjo është më e rëndësishme sepse, në përgjithësi, nga artet figurative vetëm skulptura vjen nga perëndimi, ndërsa piktura lidhet me skemat dhe kriteret e artit bizantin. Në Sopoçan, në afreskun “Heqja nga Kryqi”, i cili nga Bizantinët ishte trajtuar tashmë me saktësi simetrike në vendosjen e figurës, aty është skena e Marisë së zalisur e ndihmuar nga Gjoni. Për Bizantin, grupi nuk ishte gjë tjetër veçse vendosje pranë e pranë e dy figurave pa ndonjë afërsi shpirtërore, të shkëputur madje dhe në gjestin e mbajtjes dorë për dorë të demonstruar nga fakti që duart ishin të ndara nga një copë pëlhure. Përkundrazi, këtu, zalisja e Marisë theksohet. Busti i përkulur mbahet nga dora ndihmëse dhe dy duart që takohen, ndahen nga shirita pëlhure, por nuk janë të bashkuara në një kapje  ngushëlluese. Paraqitja e këtij grupimi është i guximshëm dhe i zgjuar, me efekt të fuqishëm. Krijimi është dramatik, vepra e një artisti të vërtetë, i cili shkon përtej modelit të tij që vinte nga Italia. Në fakt, në Itali, ky qëndrim ishte shprehur më parë me “Mjeshtrin e Shën Françeskos”, nga Fra. Guljelmo dhe Çimabue.

Në Shën Xhovani Fuorçivita të Pistojas dhe në pjesën e sipërme të Asizit, Fra. Guljelmo dhe Çimabue e kishin paraqitur Marinë të mbajtur nga Xhovani, në një grupim me më pak intensitet dramatik sesa në Sopoçan dhe më pak afërsi të ndjerë shpirtërore. Ata kishin sjellë risi përsa i përket skemave të vjetra bizantine: kontakti i duarve të zhveshura, pa asnjë pengesë.  Piktori i Sopoçanit është frymëzuar nga këto modele, duke kapërcyer përmbajtjen intime dramatike, por kompozimin me një kryq të pikturuar të Muzeut të Sopoçanit, përfaqësimi i të cilit është pothuajse i ngjashëm me atë të kishës së Sopoçanit, na tregon se të gjitha këto piktura kanë të përbashkët qendrën e origjinës, që është Italia.

Arti në këtë pikturë murale është dinamik, ndërsa në pikturat murale të kishave bizantine është statik, siç shihet në pavijonet, të cilat në Greqi, gjatë shekujve të mëpasshëm mbetën pothuajse të pandryshuara. Rreth pikturave murale të kishave ortodokse në vendin tonë, pas rënies së Perandorisë së Bizantit, thuhet prerazi se ato i përkasin periudhës post-bizantine; në fakt ato i përkasin Rilindjes Europiane, e cila hyri në Kosovë në kohën e pushtimit të saj nga Nemanjidet.

Është për t’u vënë në dukje se veshjet bizantine kishin shumë pak origjinalitet. Për shembull, kostumi bizantin njihej vetëm nëpërmjet pikturave murale të bazilikave të vjetra të Kostandinopojës, Romës, Istrias, Romanjës, Lombardisë dhe nga pikturat në varret Aleksandrinë. Madje dhe në ditët e sotme ne e dimë se sa pak origjinalitet ka mbetur në këto piktura murale.

Le të citojmë Dom Lazer Shantojën:, “Arti i Puljas u përhap në Ballkan nëpërmjet Kotorit dhe Shqipërisë së Veriut duke krijuar kështu në gjirin e artit bizantin një stil të ri, më të gjallë, më të përsosur, plot me pasion, i cili me pa të drejtë quhej serb ose maqedonas, por që në fakt ishte Italian nga origjina. (Qendra e Studimeve Shqiptare në Akademinë Italiane, Dom Lazer Shatoja, AQSH, Fondi 1261, Dosja 610, 1939).

Paule Garde në “Jeta dhe vdekja e Jugosllavisë”(Paris, 1992),dëshmon për gjuhën liturgjike. Për këtë ai shkruan:” Popujt ortodoksë, bullgarë dhe serbë përdorin një gjuhë liturgjike vendore, sllavonin, dialekt bullgaro-maqedonas i shekullit IX, i cili u ka shërbyer “apostujve sllavë”, Cirilit dhe Metodit, për të përkthyer shkrimet e shenjta, me anë të një alfabeti të veçantë cirilik.

Në Serbinë e Nemanjidëve mbretëronte, përveç krimit, edhe grabitja. Udhëtarët ishin në rrezik të madh kur kalonin në tokat serbe të Nemanjidëve. Për këtë Jireçeku, në veprën e cituar, na bën të ditur se nuk ishin të rralla rastet, kur shihje njerëz të cilëve u kishin marrë rrobat e trupit, kur të kapurin e vinin me kokë poshtë ose e linin të prangosur në gropë si ndonjë ari.

Kur na flet për ushtrinë serbe të Nemanjidëve, autori i sipërpërmendur në faqen 76 të veprës së cituar, shkruan: “Lufta bazohej, mbi të gjitha, në plaçkitjen e vendeve armike, në shkatërrimin e pemishteve dhe të vreshtave, si dhe në djegien e shtëpive”.

Mbretërit e Serbisë luftonin fenë katolike. Konfliktet midis tyre dhe Papës shkuan duke u ashpërsuar gjithnjë e më shumë. Papa Klementi i kërkoi Milutinit që të lirojë kishat latine, që i kishte okupuar ai e të tjerët.(Augusto Theiner “Monumente të vjetra të sllavëve të jugut”, botim i Akademisë së Shkencave të Sllavëve të Jugut, Zagreb, 1875, I.127-130). Katolikët persekutoheshin, rriheshin dhe vriteshin.

Vlen të përmendet kurorëzimi i Stefan Nemanjës I nga Papa Onori III. Ai, pasi u pranua si bir i Kishës së Romës, i dërgoi Papës dëshmi besnikërie dhe fill pas saj u kthye tek ortodoksia.

Më 1250 u kthyen në fenë katolike krahinat e Pulatit, Arbërisë dhe Kandavisë. “Ky akt i lavdishëm i pavarësisë kishtare, i deklaruar prej shqiptarëve gegë, shënohej prej analistëve romanë në vitin 1250, gjë që ka ashpërsuar akoma më shumë urrejtjen kombëtare midis Serbisë dhe Shqipërisë”.  (Jakob Fallmerayer: “Elementi shqiptar në Greqi”, Mynih, 1857-1861).

Serbët si dje ashtu edhe sot, kishën e kanë pasur institucion politik. Për këtë citojmë historianin e fillimit të këtij shekulli Cedomil Mjatoviç: “Ndjenjat fetare të serbëve nuk janë asnjëherë të thella dhe të zjarrta. Kishat e tyre janë në përgjithësi të zbrazura, me përjashtim kur zhvillohen festivale shumë të mëdha të kishës, si edhe festivale politike. Serbët e kishës sonë e konsiderojnë kishën si një institucion politik.

Në vitin 1319 bujarët shqiptarë i dërguan letër Papës Gjon XXII, duke i kërkuar që të ndërhynte për ndjekjet e ashpra që i bënte Uroshi II katolikëve (Farlati VII, 63). Vetëm Uroshi III, Deçanasi, i përmirësoi kushtet e katolikëve. Theiner-i, në “Monumenta Hungariae” (I, f.701), përmend letrën e Papa Klementit VI, viti 1346, drejtuar Stefan Dushanit, i cili i bën të ditur se Prizreni, Novobërda, Trepça dhe Janjeva janë nën juridiksionin e ipeshkëvit të Kosovës. Papa, në letrën tjetër të 7 shkurtit 1346, “Monumenta slavorum”(I, 215, Nr.280), i shkruan Uroshit IV se disa mbretër të Rashkës, paraardhës të Dushanit, kishat e përmendura i kanë mbajtur të okupuara. Papa kërkoi që këto kisha të lirohen prej tij.

Populli shqiptar kërcënohej nga rreziku i greqizimit dhe i sllavizimit, për këtë akademiku N. Jorga pohon se: “Shqipëria pa prestigjin e forcën e doxheve të Venedikut kurrë nuk do të  ishte shkëputur nga Konstantinopoja; vetë karakteri i racës së saj do të goditej ndoshta do të përzihej me sllavizmin dhe greqizmin e fqinjëve, kundër karakterit ortodoks të të cilit  luftonte prej shekujsh, duke ruajtur kombësinë e vet dhe duke u ndihmuar nga misionarët që vinin nga Perëndimi…Nga vrulli kalorsiak i normanëve italianë dhe nga ekspansioni ekonomik i Venedikut, ajo pothuajse i shpëtoi plotësisht sovranitetit bizantin. Shqipëria u ringjall”. (N. Jorga “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, Bukuresht 1919). Pra, ishte ofensiva perëndimore ajo që i dha një ndihmë të madhe popullit tonë që të mbante marrëdhëniet e vjetra politike dhe fetare me Europën.

Lidhjet jetëdhënëse të Shqipërisë me Vatikanin si dhe historia e saj mesjetare pasqyrohen zbehtë në kronikat bizantine. G. Petrotta në “Katoliçizmin në Ballkan”,(Albania, vëll. I, fashikull III-IV, maj-gusht, 1928), vë në dukje se bizantinëve nuk u interesonte të vinin në pah lidhjet e atij populli me Selinë e Shenjtë, të cilat nuk u dobësuan asnjëherë në atë kohë.

Më 29 janar 1369 bënë betimin vëllezërit Balsha, duke kaluar në kishën katolike. Kjo ndikoi në mbrojtjen e katolicizmit në Shqipëri, çka largonte ndikimin sllav në vendin tonë.

Të bie në sy përkatësia historike e kishave serbe në Kosovë: ato, në shumicën e rasteve, u përkasin shqiptarëve. Car Stefan Dushani filloi rindërtimin e kishës së Deçanit. Ai u detyrua të mbante një njësi ushtarake, sepse vendasit (shqiptarët katolikë) nuk lejonin që mjeshtërit të punonin në faltoren e tyre. (S. Riza: “Shqiptarët dhe serbët në Kosovë”). Pra, është e padrejtë që të mashtrohet komuniteti botëror prej gënjeshtrave serbe, që këto kisha të kenë sot garnizone ushtarake serbe “për t’i mbrojtur” për të realizuar qëllimet e ringjalljes të  Car Stefan Dushanit (!) Edhe sot i shkon vula car Stefan Dushanit tek serbët dhe tek rusët.

Për të treguar se sa properëndimorë dhe sa e kanë mbrojtur kishtërimin serbët, do t’u bëjmë të njohur lexuesve tanë vetëm katër nene të Kodit barbar të Stefan Dushanit.

Disa nene të Kodit të Stefan Dushanit:

“Ligje dhe rregulla të car Stefan Maqedonasit, adhuruesit të Krishtit, autokratit të Serbisë, të Bullgarisë, Hungarisë, Shqipërisë, Hungari-Vllahisë si dhe mjaft vendeve të tjera. Ligje të vendosura me mëshirën e shumë të lartit Perëndi Jezu Krisht në vitin 6757 (1349) në të njëzetin indikt, ditën e ngritjes në qiell të Zotit tonë”.

“Neni 6. Përsa i përket herezisë latine, si dhe besimtarëve të vërtetë që bëjnë pjesë në këtë fe, patriku dhe mitropolitët, po kështu edhe peshkopët, duhet t’u shpjegojnë këtyre të fundit teologjinë dhe shkrimet e shenjta, me qëllim që të kthehen përsëri në fenë e vërtetë dhe në krishtërimin e vërtetë. Nëse ndokush nuk dëshiron të kthehet dhe të vijë përsëri në fenë e vërtetë, ai do të ndëshkohet me vdekje, ashtu siç është e shkruar kjo në veprat e etërve të shenjtë dhe besimtari i vërtetë, Cari, duhet ta shkulë nga shteti i tij gjithë këtë herezi. Ai që nuk do të dojë të kthehet në fenë ortodokse, do të humbasë të gjithë pasurinë e tij; në të kundërt, ai që do të kthehet në fenë e vërtetë, do të rimarrë menjëherë të gjithë pasurinë e tij të konfiskuar. Klerikët heretikë të një bashkësie tjetër, që kërkojnë të bëjnë proselitë (njerëz të kthyer rishtazi në një fe tjetër), do të arrestohen, do të çohen në miniera ose do të dëbohen jashtë vendit. Do t’i shenjtëroj kishat heretike dhe do t’i vë në dispozicion të klerikëve të vërtetë, me qëllim që çdo person që ka hequr dorë nga kjo e fundit, të rikthehet në fenë e mëparshme.

  • Protopapët do të lidhen me kishat e mëdha dhe ata duhet të konvertojnë latinët e të gjitha qyteteve të vogla dhe të  fshatrave. Nëse gjendet në ndonjë vend një person i vetëm që nuk është besimtar i vërtetë, atij do t’i bëhet një mësim shpirtëror dhe ata do të meshojnë çdo ditë në kishë. Çdo i krishterë duhet të kthehet në fenë e vërtetë, siç e urdhërojnë apostujt dhe etërit e shenjtë.
  • Nëse gjendet një klerik latin, që kërkon të kthejë të krishterë në fenë latine, ai do të ndëshkohet me vdekje, sipas parimeve të etërve të shenjtë.
  • Nëse gjendet një gjysmë besimtar, që është martuar fshehurazi me një të krishtere, ai duhet të pagëzohet vetëm në mënyrë të krishterë (ortodokse – Sh. D.); por nëse ai nuk lejon ta pagëzojnë, atij do t’i merret gruaja, fëmijët, shtëpia; ai do të mposhtet me mizerje dhe do të detyrohet të emigrojë.

 

  1. Nëse gjendet një heretik, duke jetuar së bashku me të krishterët, ai duhet të çikatrizohet në fytyrë dhe të dëbohet, ai që e fsheh, do të vuajë të njëjtin dënim”.

Më pas ky car katil i tejkaloi nenet kriminale të Kodit të tij. “Stefan Dushani ndaloi shtetasit e tij, besimtarë të ritit katolik, që të merrnin pjesë në meshën latine. Nëse këta e thyenin urdhrin, u nxirreshin sytë”. (Aseman, vëll.V, f.57,59).

Në bazë të dokumenteve që disponohen, këtë urdhër e theu garda e tij gjermane, e cila i tha krenarisht me një zë car Dushanit: “Më mirë është t’i bindesh perëndisë se njerëzve”. (Chopin, “Provincat danubiane”, cituar prej librit “Serbia  krishtere”, “Studime historike”, A. D’Avril, 1897).

Përsa i përket propagandës mashtruese, që kanë bërë serbët për të ashtuquajturën “Serbi e Vjetër” dhe për kodin e S. Dushanit, si dhe dëmet që ka sjellë ajo me keqinformim, mjafton të përmendim “Shtegtim në Serbinë e Vjetër”, (Londër, 1865, të A.P. Irby dhe G.M… Mackenzie). Aty pohohet: “Distrikti që shtrihet në veri-perëndim të Maqedonisë quhet nga banorët muhamedanë “Arnautllëk”, kurse nga të krishterët “Serbi e Vjetër”;ky vend deri në fund të shekullit XIV bënte pjesë në monarkinë e fuqishme të krishtere, e cila shtrihej nga Danubi deri në Adriatik. Kjo monarki quhej Serbi, ajo mbeti në dorëshkrime, piktura dhe arkitekturë së bashku me Kodin e ligjeve, (Kodi i S. Dushanit), i cili tregon saktësisht se ka qenë në të njëjtin nivel me ato të shteteve të krishtere të sotme” (No comment).

Sllobodan Millosheviçi zbatoi pikë për pikë Kodin e Stefan Dushanit. Mjafton që në vend të togut të fjalëve “herezi latine”, të vendoset togfjalëshi “herezi myslimane”.

Për gjendjen e popullsisë shqiptare në atë kohë na flet Brocardus Monacus, i cili shëtiti disa vise të Shqipërisë dhe i paraqiti një relacion princit Filip Valua në vitin 1332. Citojmë disa rreshta nga origjinali, të botuara në “Historia e kryqëzatave…” (Ka mundësi që autori të jetë Gulielm Adam, kryepeshkopi i Tivarit. A. Dysellier-i është i mendimit se është ai vetë. “Et quia dicti, tam Latini, quam Albanenses, sub jugo importabili et durissima servitute illis odiosi et abhominandi Sclavorum dominii e sunt opressi, populus scilicet anguariatus, clerus dejectus et minoratus…”. (“Këta popuj, si latinët ashtu edhe shqiptarët, janë të shtypur në mënyrën më çnjerëzore nën të padurueshmen dhe tepër të ashprën skllavëri, dhe tepër të neveritshmin dhe të urryerin sundim të sllavëve (serbëve – Sh. D.). Sigurisht, është një popull që urrehet nga sllavët (serbët), një kler i përbuzur dhe i poshtëruar…”).

“Peshkopët e tyre dhe priftërinjtë shpesh gjenden në pranga, fisnikët e tyre të shpronësuar… Prej tyre, të gjithë së bashku ose individualisht, mendojnë se ata do t’i shenjtëronin duart, duke i ngjyer me gjakun e shpatave të sipërpërmenduara”. Kështu shkonin serbët me shqiptarët; këtu e ka burimin urrejtja për njëri-tjetrin para se të vinin osmanët. Shqiptarët kishin të drejtë t’i urrenin serbët, sepse ata u sollën skllavërinë me të gjitha të këqijat që sjell ajo kur robëron një popull.

Mjaft historianë serbë mbajnë një qëndrim të padrejtë ndaj Kishës Katolike, gjatë sundimit të Nemanjidëve; arsyetimet e tyre janë pa baza. Klerikët katolikë, sipas tyre, janë fajtorë, sepse tregojnë realitetin! Citojmë njërin prej tyre:”Deri në këtë kohë Filip Valua kishte halle të tjera dhe nuk merrej me pushtimet teritoriale në Ballkan. Ndërsa Gijon Adami pjestar i qeverisjes së Filipit të VI, pohon:” Shqiptarët e sotëm gjatë bregut Adriatik janë të shumtë, me që ky kryepeshkop katolik paska patur 15 mijë veta që mund t’i merrte nën armë. Atëhere e tërë popullsia shqiptare kishte 150 mijë banorë. Prej kësaj del se Kisha Katolike bregdetare mbante qëndrim armiqësor ndaj serbëve”.(“Historia e Car Dushanit” e shkruar nga dr.Vladimir Nikoliq-Zemunski, ish anëtar i Parlamentit).

Gjatë sundimit të dinastisë së Nemanjidëve në Kosovë është përdorur dhuna fetare. Për ta ilustruar këtë, citojmë profesor Skënder Rizën:” Shqiptarët, para se të futeshin nën sundimin e shtetit serb të Nemanjidëve, i takonin kryesisht fesë katolike. Mirëpo, gjatë sundimit serb, sidomos në kohën e Car Stefan Dushanit, pozita e shqiptarëve u keqësua. Një pjesë e tyre nën presionin e inkuizicionit të shtetit serb, u detyruan të kalonte në fenë ortodokse, ndonëse këta ortodoksizmin e pranuan sa për sy e faqe.

K.Jireçeku në “Historinë e Serbisë”,(I,Gotha, 1911,f.387-389) thekson :”Patriku i Konstandinopojës, Kalisti, anathemoi perandorin e ri(Stefan Dushanin -Sh.D), patrikanën e Pejës dhe klerikët e saj.

Për të treguar se Stefan Dushani vuante nga kryevesi i të gjitha veseve, mosmirënjohja,( përcaktim shekspirian ky), citojmë një nga bëmat e tij, nxjerrë nga “Japigia”, organ i përfaqësimit mbretëror “Atdheu”, Bari, 1939. Dokumenti flet për dhënien e një të ardhure vjetore, nga ana e këtij cari serb, Bazilikës së Shën Kollit në Bari. “Nipi i Uroshit, (Stefan Uroshi II, 1282-1321 – Sh.D.) Stefan Dushani, duke pasur devotshmëri për gjyshin e tij, Urosh, dhe babain e tij, Stefan, (Urosh III Deçanski, 1321-1331 – Sh.D.), i cakton Bazilikës së Shën Kollit një të ardhur vjetore prej dyqind perperesh, shumë kjo që i merrej çdo vit si taksë qytetit të Raguzës, për t’i harxhuar për qirinjtë, për kultin hyjnor, që bëhej për përshpirtjen e gjyshit dhe të babait dhe për shëndetin e vetë të birit dhe të gruas së tij”. Kjo diplomë iu dha asaj bazilike me 30 gusht 1346. Hipokrizia e mbretërve serbë këtu mbërrin pikën kulminante. Babai i car Stefan Dushanit vritet nga vetë i biri dhe pastaj car Stefani merr dhe paguan taksat e një qyteti tregtar, siç është Raguza (Dubrovniku), bazilikës së Shën Kollit, që ky shenjtor të ndërmjetësojë tek Shën Pjetri, që shpirti i të atit t’i transferohet nga ferri në parajsë. Kësaj i thonë: të vret dhe pastaj të paguan përshpirtjet! Shtojmë se këtij perandori i drejtohet me adhurim Zhirinovski, që thotë: “Ja, një vend i vjetër, që ka një perandor në qiell. -Serbi, nëna jonë e shtrenjtë, ti na ke dhënë jetë të gjithëve. Rroftë Serbia!”. Këtij perandori i falet populli serb duke i paguar përshpirtjet me paratë që u merrte kosovarëve para vitit 1999.

Së fundi, mjaft bukur e përshkruan Millorad Tomaniqi në “Kisha Serbe në luftë dhe luftrat brenda saj”, (përkthyer nga Rustem Gjata, dhe Esat Myftari), bashkëpunimin e kishës serbe me regjimin e Milosheviqit. Për këtë jepen të dhëna të sakta, aty flitet qartazi së gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhen veçuar peshkopët serbë me në krye kryepeshkopin Pavël nga krimet e kryera nga serbët e Millosheviçit.

Radovan Karaxhiqi për këtë shkruan: “Që nga fillimi i vitit 1994, marrëdhëniet midis kishës dhe shtetit i vlerësoj si të jashtzakonshme. “Kleri ynë është i pranishëm në të gjitha meditimet dhe vendimet tona, kurse zëri i Kishës dëgjohet si zëri i autoritetit më të lartë.”

Vetë Zhelko Razhnjatoviqi, thotë se dashamirësi më i madh i Patrikanës dhe komandanti i tij suprem ishte personalisht, Patriku Pavël.

Në Jugosllavi shkëlqenin “Tri-A-të”: peshkopët Amfillohije, Artemije dhe Atanasije. Këta peshkopë ishin mefistofelë me pëlhura të zeza:

Peshkopi Amfillohije ka mbrojtur haptazi ekzistencën e shtetit, në krye të të cilit ndodhet dhëndri i tij, Vojisllav Koshtunica. Udhëheqësit serbë pa përjashtuar këtu parinë e tyre fetare, shkojnë sipas parimit të  Gëbelsit: “Thuajeni gënjeshtrën shumë herë, pastaj përsëriteni, se njerëzit mund ta besojnë” dhe “njerëzit e zakonshëm janë përgjithësisht më primitivë nga sa mund të mendojmë. Propaganda gjithmonë duhet të jetë e thjeshtë dhe të mund të përsëritet”.

Dhe kur populli serb, megjithë përpjekjen e madhe të parisë së tij, përjetoi një nga dështimet dhe rëniet e tij më të mëdha në histori, u desh përsëri të bindet se kjo ishte shenjë e veçantisë së drejtësisë së tij. Mitropoliti Amfillohije, për shembull ka thënë: “Zoti kërkon prej këtij populli diçka të madhe, posa e vendosi në fokus të ngjarjeve botërore” (Millorad Tomaniq, “Kisha serbe në luftë dhe luftërat brenda saj”).

Vlen të theksohet se Arkimandriti Artemije u shugurua peshkop i Rashkës e i Prizrenit në qershor të ’91-shit dhe shugurimi i tij u shoqërua me orën letrare ku Radosllav Ratanoviqi, poeti i ri shkroi të famshmin panegjirik “Himni në lëndinë” ku lavdërohej pafund Sllobodan Milosheviqi. Po ashtu, Atanasije Jevtiqi thotë: “Populli serb sërish është me kryq në krah dhe në Kosovë e Metohi, edhe në Dalmaci, në Krajinë, në Sllavoni, në Bajina, Lici, Kordun, Srem, Bosnje dhe Hercegovinë. Ky popull është mësuar të mbajë kryqin në krah, sepse ky është fati ynë. Zoti na ndihmoftë që edhe tash këtë kryq ta mbajmë me dinjitet, siç kemi bërë përherë. E të themi ndryshe nga ç’pati thënë Çifutja e urtë  për myslimanët smirëzi e agresivë: “Ju falim për vrasjet që na keni bërë, por nuk mund t’ju falim nëse na detyroni t’ju vrasim”.

Çuditem përse kryepeshkopi Pavël dhe peshkopë të tjerë serbë, miq dhe frymëzues të kriminelëve që shkuan në Hagë, të mos denoncohen dhe të shkojnë edhe ata në Hagë. Kryepeshkopin Pavël dhe peshkopin Artemije i njeh mirë populli Kosovës se aty ata kanë punuar me vite. Çuarjen në Gjykatë të Hagës dhe dënimin e këtyre kriminelëve barbarë e kërkojnë të masakruarit e popullit të Kosovës si edhe të popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë. Në Hagë duhet të shkojnë këta shërbëtorë të satanait.

Please follow and like us: