Albspirit

Media/News/Publishing

Skandal në Bashkinë e Pogradecit, polici dhunon “Partizanin e vogël Velo”

 

Kostandin Ropi banor i qytetit të Korçës, i mbiquajtur “Partizani i vogël Velo”, për shkak të pjesëmarrjes në luftë në moshë të vogël, që kur ishte 12 vjeç, çka u bë frymëzim edhe për shkrimin e skenarit të këtij filmi nga ana e Anastas Kondos, ka përjetuar një tmerr të vërtetë, ndërsa gjendej në ambientet e Bashkisë Pogradec.

Një polic bashkiak përveçse e ka goditur me grusht poshtë syrit të majtë e ka nxjerrë jashtë duke e tërhequr zvarrë, madje duke i shqyer xhaketën e kostumit edhe duke e ofenduar mes njerëzve  që ndodheshin aty.

Fill pas kësaj ngjarjeje ai ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Pogradec, policinë e bashkisë së këtij qyteti për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Cili ishte shkaku i kësaj ngjarjeje? Të gjitha këto na i shpjegon me detaje “Partizani i vogël Velo”.

“Ditën e hënë, më 27 qershor, shkova në bashkinë e Pogradecit për t’u takuar me kryetarin e kësaj bashkie. Si një nga veteranët më të vjetër të luftës, kisha për qëllim t’i kërkoja kryebashkiakut të Pogradecit të na ndihmonte duke na ofruar (gjithnjë brenda mundësive), ndonjë ambient, kurora lulesh apo qoftë edhe ndonjë ndihmesë tjetër, pasi në datë 29, ditën e mërkurë, do të festonim përvjetorin e krijimit të Brigadës së 15 Sulmuese.

Deri para pak vitesh këtë përvjetor e përkujtonim në “Qafën e Panjës”, ose të “Guri i Kamjes” siç njihet ndryshe vendi ku u krijua brigadada, por me qenë se tani kemi mbetur vetëm ne që jemi shumë të moshuar, kemi filluar ta festojmë në qytetin e Pogradecit, sepse nuk shkojmë dot atje. Kjo ishte dhe arsyeja pse mora përsipër të takoja kryetarin e Bashkisë Pogradec”, rrëfen “Partizani i vogël Velo”

“Me shpresën se gjithçka do të shkonte mirë” – vijon më tej Kostandin Ropi –“mëngjesin e së hënës mbërrita në këtë qytet në ora 09.00. Kërkova te punonjësja e sportelit, në katin e parë, që nëse ishte e mundur të merrja takim me kryebashkiakun. Pak më vonë më thanë se duhej të prisja, mirëpo koha kalonte dhe gjithnjë më thoshin se me kryetarin do të takohesha më vonë. Të njëjtat fjalë i dëgjova deri sa ora shkoi 14.45 minuta. Pavarësisht pse orari zyrtar po përfundonte unë vendosa ta prisja kryetarin deri sa të më thoshin nëse ai do të më priste ose jo.

Mirëpo, pikërisht në këtë kohë, ndodhi ajo që nuk e prisja. Një polic bashkiak m’u afrua duke më pyetur: Çfarë pret ti këtu? Pres të takohem me kryetarin, – Iu përgjigja. Nuk do të takohesh, – ma ktheu ai duke shtuar – duhet të dalësh jashtë! Ju jeni polic, – i thashë, – por unë jam i moshuar, veteran i luftës edhe njeri që ka kontribuar për këtë vend, ndaj ju nuk duhet të silleni në këtë mënyrë dhe aq më shumë kur jemi mes njerëzve. Mirëpo ai pa më dhënë asnjë shpjegim, më kapi me dy duart dhe duke më tërhequr zvarrë më nxori jashtë. Xhaketa e kostumit m’u gris.  E keqja nuk mbaroj këtu. Polici i Bashkisë nuk u kursye as për të më goditur me grusht poshtë syrit të majtë.

Më nxori në rrugë sikur të isha ndonjë qen. As pushtuesit nuk do të ishin sjellë në këtë mënyrë me një të moshuar, 84 vjeç siç jam unë. Sjellja e tij ishte skandaloze, ndërsa fyerjet e tij jashtë çdo logjike njerëzore. Ndaj vendosa ta denoncoj në shtyp, por edhe në organet e drejtësisë, pasi nuk e kuptoj dot si mundet të jenë në shërbim të komunitetit njerëz të tillë. Dhe veç kësaj për shkak të goditjes, poshtë syrit që prej një jave ndihem me dhimbje të tmerrshme koke, madje nuk jam i sigurt çfarë do të ndodhë me gjendjen time shëndetësore”.

Please follow and like us: