Turizëm dhe shpresë, në vendin ku diktatura syrgjynoste armiqtë
Fishta, pak kilometra nga Lezha, një fshat që shërbeu si kamp internimi u kthye në pak vite në një destinacion turistik falë një shefi të kuzhinës me ushqim të ngadaltë dhe natyrës e banorëve që nuk pranuan ta braktisin
Luk Koleci ka jetuar 90 vjet. 8 muaj prej të cilave i ka kaluar në birucat e hetuesisë komuniste, 8 vjet në një burg në Elbasan. Pjesën tjetër të jetës përfshi edhe dy vitet e fundit të dënimit politik i ka kaluar në Fishtë, vendin ku lindi e prej të cilit nuk ndahet dot. “Këtu kam qëndruar për rreth 2 vite në internim dhe për mua kanë qenë kohë shumë të vështira… Edhe pse e kisha shtëpinë fare pranë, nuk me lejohej asnjëherë që që të takoja familjarët e mi”, thotë Koleci. E megjithatë Fishta e Zadrimës vendi prej të cilit policët e diktaturës e morën me forcë pa i thënë as pse as qysh e që më pas shërbeu edhe si burg për të nuk i ka dalë kurrë nga zemra. Ai u kërkoi djemve që patën emigruar herët në Itali të ndërtonin një shtëpi të re në Fishtë. “Mua ky fshat më pëlqen shumë, pasi kam lindur dhe jam rritur. Edhe pse kam kaluar kohë të vështira në burg, unë nuk e kam menduar asnjëherë që të largohem nga këtu”, thotë Koleci për BIRN. Fishta e At Gjergj Fishtës, poeti të cilit Koleci ja ka mësuar përmendësh vargjet dhe ja reciton edhe në këtë moshë, është një fshat kodrinor 17 kilometra nga Lezha, e deri para pak vitesh pak i njohur, përpos atyre që ishin çuar atje me përdhunë në kampin e internimit. Sot ajo është një nga cepat më të vizituar të Shqipërisë e famshme për mjedisin dhe kulinarinë. “I tërheq ushqimi, por edhe natyra, pasi këtu të ofrohet liqeni, mali, fushat dhe kodrat. Kush e ka vizitura njëherë këtë vend është rikthyer sërish”, thotë Altin Prenga, shefi dhe drejtuesi i “Mrizit të Zanave” restoranti i ushqimit të ngadaltë me “certifikatë ekselence” në Tripadvisor, që është përgjegjës për ndryshimin e imazhit të fshatit.
Kampi i internimit
“Ky vend këtu ka qenë i rrethuar me kangjella nga katër anët, na detyronin të punonim në bujqësi. Kemi hapur kanale dhe kemi bërë dhe shumë punë të tjera. Nëse nuk bënim normën që na kërkonin ishte një birucë ku na çonin dhe na turturonin”, thotë 90-vjeçari Koleci, i cili mezi e beson ndryshimin që ka pësuar fshati. Shumë të tjerë e kujtojnë atë po ashtu si një vend vuajtjesh. Lin Shtjefni, historian, thotë se ka patur edhe raste që të burgosur kanë vdekur nga turturat. “Ky burg është hapur në vitin 1967 dhe unë atëherë kam qenë në moshën 10-vjeçare. Burgu ka pasur një kapacitet për 320 përsona të dënuar dhe ka pasur një regjim shumë të egër”, thotë Shtjefni për BIRN.
Zef Hila nga fshati Troshan i Lezhës, ka punuar në burg. Ai ka qenë shofer zetori dhe thotë për se transportonte ushqim për të internuarit që prej vitit 1971. “Mbaj mend shumë të dënuar në këtë vend… ndërsa vuajtjet e tyre kanë qenë të shumta.Ata punon në bujqësi, hapnin kanale e duhej siguronin vetë ushqimin”, kujton Hila. “Kush punonte mirë merrte vlersime dhe trajtohej ‘mirë’, por kush kundërshtonte futej në birucat e burgut. Kanë qenë disa dhoma tepër të vogla ku i turturonin”, tregon Hila. Aty u internuan me dhjetra familja ndër më të njohurat familjet Paçrami dhe Lubonja, të cilat u dënuan në vitin 1973 pas “Festivalit të 11” dhe u vendosën në Fishtë në vitet 80’. Liri Lubonja në librin “Larg dhe mes njerëzve” tregon se si vuanin të internuarit në kamp, sa pak mundësi kishin. Si mbeteshin pa dru për ngrohje e si mezor siguronin ushqimin. “Ndërsa shkarkoheshin plaçkat, vështroja me vëmendje natyrën përreth, me nevojën për të gjetur medoemos të bukurën edhe atje ku isha e detyruar të jetoja me dhunë, ndoshta deri në fund të jetës time. Kur mendoja këtë ndjeja frikë, trishtim”, shkuan ajo në libër. Diktatura mesa duket kishte arsye për të besuar se në Fishtë e bukura nuk mund të gjendej dhe fshati ishte një vend “i mirë” për të dërguar armiqtë.
Një xhevahir në mes të askundit
Altin Prenga, kuzhiner i ushqimit të ngadaltë, mendoi ndryshe kur hapi restorantin e tij në një zonë ku më herët kishte vetëm ferra dhe barishte edhe pse për të ishte një aventurë. “Mrizi i Zanave” dhe Fishta prej atëherë kanë fituar një “Certifikatë Ekselence”, prej Tripadvisor.com falë vlerësimeve prej udhëtarëve nga e gjithë bota. Dy javë më parë Marc.B. nga Cascais, i Portugali shkruante në faqen e udhëtimeve: “Nuk prisja të gjeja një xhevahir të tillë në Shqipëri, në mes të askundit. Ja vlen të vish këtu”. “Vetëm tek restoranti im vijnë më shumë se 60 mijë vizitorë dhe tursitë në vit”, na thotë Prenga. Shembullin e tij ndërkohë po e ndjekin të tjerë dhe numri i viztorëve është edhe më i madh.
Altini po ashtu thotë se investimi ka qenë pozitiv edhe për banorët e zonës. Disa prej tyre janë punësuar, të tjerë kanë gjetur një vend ku shesin produktet e fshatit. “Të punësuar direkt vetem tek biznesi im janë më shumë se 30 persona. Por këtu janë 200 familje të cilët janë furnizues të restorantit t’i me prodhime të ndryshme bujqësore dhe blektorale”, thotë ai. Ai mendon se tashmë banorëve u është rikthyer besimi. “Të gjithë ata që i kanë pas braktisur shtëpitë kanë nisur të kthehen që të investojnë diçka dhe mendjen e kanë në Fishtë”, thotë Prenga. Edhe 90-vjeçari Luk Koleci jeton prej pesë vjetësh në shtëpinë e re, të cilën ia ndërtuan djemtë emigrantë në Itali. “Ky ka qenë një fshat shumë i varfër deri në vitet 2000. Nuk e kam menduar ndonjëherë se gjërat do të ndryshonin kështu dhe kjo zonë të zhvillohet. Unë sot jam shumë i gëzuar kur shikoj fshatin tim si ka qenë dhe si është bërë tani…. djemtë e zonës kanë emigruar herët dhe kanë investuar më pas këtu”, thotë Koleci. Rrënojat e ish-kampit ku ai kaloi vitet e fundit të internimit dallohen edhe në ditët e sotme, si një dëshmi e vuajtjeve që kanë kaluar me qindra persona të dënuar nga regjimi. Luk Koleci i mban mend mirë. Ai ende si ka mbyllur të gjitha hesapet me diktaturën. 90-vjeçari që mësoi në qeli poezitë e Gjergj Fishtës dhe italishten ka marrë një këst të tretë dëmshpërblimi në shkurt të 2016, për 8 vitet larg fshatit dhe dy vitet kur ishte i burgosur brenda tij.